Gjykata Themelore e Prishtinës në aktgjykimin e datës 20.03.2024, ka konstatuar se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sekretari i përgjithshme i kësaj ministrie, Nebih Shatri dhe ushtruesi detyrës së drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri, nuk kanë qenë të thirrur për të nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e aftit të përfundimit të punimeve për rastin e ‘53 milionë eurove’ me Bechtel & Enka-n.
Qeveria e Kosovës ishte detyruar që t`i jepte 53 milionë euro kompanisë “Bechtel & Enka” për përfundimin e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, pasi ishte nënshkruar marrëveshja për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve.Mbi këtë bazë, trupi gjykues me kryetare Violeta Namani, anëtarët Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli, kanë ardhë në konstatimin se tre të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat e tyre me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
“Të pandehurit, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në cilësinë e personave zyrtarë në bashkëveprim dhe me dashje, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat zyrtare ashtu që e kanë nënshkruar marrëveshjen e datës 27.09.20217 në emër të Ministrisë së Infrastrukturës si punëdhënës në njërën anë dhe kompanisë “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër”- thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës, shkrua Kallxo.com
Trupi gjykues tutje kanë ardhë me konstatim se me veprimet e tyre tre të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara me statutin dhe kodin e sjelljes i cili parasheh detyrat dhe përgjegjësitë e Komitetit drejtues ndërministror. Ky komitet përbëhej nga pesë ministra me në krye, Pal Lekajn.
“… ku është konstatuar se KDNM është organi kryesor dhe i vetëm vendimmarrës në realizimin e projektit duke përfshirë edhe anën financiare. Pasi që sipas gjetjes së Gjykatës, kompetent për të vendosur për këtë kanë qenë anëtarët e KDNM, pasi që të njëjtit kanë qenë kompetent që në mbledhjen e tyre të bëjnë shqyrtimin dhe vlerësimin e marrëveshjes për zgjatjen e afatit për përfundimin e punimeve dhe më pas të merr miratim nga anëtarët e KDNM-së, kjo ka qenë kompetencë ekskluzive e këtij komiteti për zhvillimin e projektit”- thuhet tutje në Aktgjykimin e përpiluar më 20.03.2024.
Marrëveshjen për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë të tjera, Gjykata e shkallës së parë e konsideroi të kundërligjshme, duke dhënë si arsyetim se kur ishte nënshkruar marrëveshja nuk ishte përcaktuar kostoja financiare. Mospërcaktimi i kostos financiare në një marrëveshje sipas Gjykatës është në kundërshtim të plotë me rregullat e prokurimit publik.
Gjykata e Prishtinës më 31.01.2024 kishte gjetur fajtor të pandehurit, Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha.
Gjykata kishte shpallur fajtorë dhe kishte dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berishën ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike; sekretari i përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri, janë dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike./Media Ndërtimi