Sektori i paluajtshmërive dhe industria ndërtimore kontribuojnë afro 20 për qind në Bruto Produktin Vendor të Kosovës.
Situata e krijuar nga pandemia ka ndikuar që 75 për qind e kompanive ndërtimore të ndërpresin ose reduktojnë punën e tyre dhe 80 për qind e agjensioneve të patundshmërisë dhe pronarët privat, kanë deklaruar se çmimet e shitjes dhe çmimet e qirasë kanë filluar të kenë rënie.
Gent Sejdiu, Kryetar i Bordit të Drejtorëve në Institutin për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL), ka thënë se dëmet e shkaktuara nga pandemia në sektorin e palujtshmërisë janë të mëdha.
“Sektori i patundshmërisë është një prej kontribuuesve më të mëdhenj të Bruto Produktit Vendor (BPB), po ashtu kur e shohim prej numrin të punëtorëve është 0.7 për qind, që marrin pjesë në punësimin e punëtorëve në sektorin privat”, ka thënë ai për EkonomiaOnline.
“Kështu që si sektor është mjaftë i ndjeshëm dhe i rëndësishëm. Në bazë të hulumtimeve afro 75 për qind të segmentit të investitorëve e kanë ndërprerë investimin e planifikuar për vitin 2020, pra është një rënie drastike”.
“Po ashtu tek pjesa e perceptimi i ndikimit të shitjes në prona. Prej të anketuarave, 83.3 për qind gjatë vitit 2019, kanë pasur një pronë 1 deri në 10 prona që i kanë shitur në baza mujore, por që nga momenti i ndikimit të masave, është 83.3 për qind e tyre nuk kanë shitur asnjë pronë”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për këtë, Sejdiu ka thënë se planet për blerje të patundshmërisë kanë rënë, si shkak i pandemisë.
“Nga kërkesa e pjesës së blerjes, shumica e personave individ dhe juridik, kanë thënë se edhe pse kanë pasur plane të blejnë, shumica e tyre kanë thënë se për momentin nuk duam të bëjmë, sepse e kanë të pasigurt se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me pandeminë. Arsye tjetër ka qenë rreziku i humbjes së punës. Sepse shumica e të anketuarve kanë qenë nga sektori privat”, tha ai.
“Që nga fillimi i pandemisë, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera, sektori privat ka qenë më i ndikuar. Nga sektori publik, kanë qenë 18.5 për qind. 18.5 për qind po ashtu kanë qenë nga organizatat joqeveritare, kurse 7 për qind vetëpunësim. Shumica totale e kësaj shifre janë nga bizneset që varen nga veprimtaritë e tyre”, ka thënë ai.
Sipas Sejdiut, sektori i paluajtshmërisë ka qenë 15 për qind i përfshirë në Bruto Produktin Vendor. Kontribut tjetër sipas tij, ka qenë edhe tërheqja e remitencave.
“Sektori i patundshmërisë ka marrë pjesë në Bruto Produktin Vendor (BPB) afër 15 për qind, që ka qenë në rritje por ka pasur impakt edhe në tërheqjen e remitencave. Pra shumë bashkatdhetarë kanë blerë dhe kanë investuar”.
“Tani pas pandemisë, edhe bashkatdhetarët janë të pasigurt nëse do të munden të investojnë sërish në Kosovës, pra është një zinxhir total i kolapsit”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore dhe të dhënave tjera zyrtare një pjesë të madhe të fuqisë punëtore e bartë sektori i ndërtimit, i cili llogaritet të jetë punëdhënësi i katërti apo i pesti më i madh në Kosovë./EkonomiaOnline/
You must be logged in to post a comment Login