Pagesta e vogla, kushtet jo të mira në vendet e punës, mungesa e kontratave të punës, mospagesa e kontributeve pensionale, janë vetëm disa prej arsyeve që kanë çuar punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë të emigrojnë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021, 43,5% e punonjësve kanë qenë me kontrata të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërsa 56,5% kanë pasur kontrata me afat të caktuar.
D.Hasani nga një kompani ndërtimi në Prizren ka treguar se punëtorët po kanë oferta të shumta për punësim jashtë vendi.
Disa prej vendeve ku ata po shkojnë janë Kroacia, Sllovenia dhe Gjermania.
“Kontratat ofrohen kryesisht nga firma rajonale në Gjermani dhe Evropë, të cilat pretendojnë se kushtet atje janë më të mira. Edhe pse sipas asaj që dimë paguhen si punëtorë gjysmë tëkualifikuar apo të pakualifikuar” – ka thënë Hasani.
Nga ana tjetër, 60-vjeçari Bajram Ramadani, i cili më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar duke punuar në ndërtimtari, ka thënë se ka pasur raste kur nuk është paguar për punën që bën, po kjo nuk e ka dekurajuar që të largohet nga Kosova.
Inxhinieri nga rajoni i Prizrenit, Çemailj Ismaili, ka thënë se pas luftës ‘të gjithë’ filluan punën në ndërtimtari, si ata profesionistë por edhe ata joprofesionistë.“Është e thjeshtë që njerëzit të shikojnë gjithçka përmes përfitimit ekonomik dhe jo përmes të drejtave të punëtorëve” – shtoi ai.
Ismaili ka fajësuar edhe shtetin që nuk ka investuar në profesionalizimin e punëtorëve të ndërtimit në mënyrë që të njëjtit të qëndrojnë në Kosovë.
“E shihni, punëtorët tanë shkojnë çdo ditë në vendet fqinje dhe në BE” – vazhdoi ai.
Sipas Agjencisë së Statistikave, paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2021 ishte 419 euro, derisa në vitin 2020 ishte 380 euro. Pra, kishte një rritje prej 39 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto në vitin 2021 ishte 376 euro, krahasuar me vitin 2020 e cila ishte 342 euro.
Një rritje totale prej 34 eurosh.Aktualisht Inspektorati i Punës ka 35 inspektorë. Por sipas inxhinierit Ismaili, ky është numër i pamjaftueshëm. Këshilla e tij është që të rritet numri i inspektorëve që kontrollojnë kantieret e ndërtimit. Ai theksoi se sipas hulumtimit të tij, në pesë vitet e ardhshme, rajoni i Prizrenit do të humbasë 50 për qind të punëtorëve të ndërtimit.
Punëtori i sektorit të ndërtimit, Bajram Ramadani, ka thënë se qe 22 vjet pas luftës asnjëherë nuk është vizituar nga inspektorët derisa ka qenë duke punuar në kantiere të ndryshme ndërtimi.“Një numër i punëtorëve të paregjistruar punojnë në çdo godinë, është e vetmja mënyrë që investitori të paguajë për të ndërtuar” – ka përfunduar Ramadani.
Në raportin e Institutit “Riinvest” të publikuar së fundi, thuhet se rreth 34 për qind e bizneseve kosovare nuk i deklarojnë shitjet për qëllime tatimore dhe mbi 34 për qind e fshehin fuqinë punëtore.
Nga këto të dhëna, sipas këtij hulumtimi, thuhet buxheti i Kosovës nga evazioni dhe joformaliteti, humb një të tretën e fuqisë së tij./Media Ndërtimi.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.