Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe përmes një investimi prej 14 milionë eurosh, është duke e përfunduar “Luginën e Diellit” në Zveçan, që përfshin ndërtimin e 300 njësive banesore.
Në Zveçan, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe janë duke e përfunduar ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”. Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb. Lidhur me ndërtimin e vendbanimit, që kap vlerën e rreth 14 milionë eurove, pak kush pranon që të flasë ose di të flasë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Si u ndërtua “Lugina e Diellit”
Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit për të kthyerit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksionon në kuadër të sistemit serb.
Në krye të këtij organi është Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë. Vlera e projektit është rreth 14 milionë euro.
Vendbanimi është duke u ndërtuar që nga viti 2016 dhe deri më tash janë ndërtuar mbi 250 njësi banesore, ndërkaq që janë duke përfunduar punimet edhe për ndërtimin e çerdheve për fëmijë, kishës dhe objekteve përcjellës.
Në Serbi, në mars të vitit 2016, tre muaj para fillimit të ndërtimit të vendbanimit për të kthyerit, “Lugina e Diellit, është regjistruar kompania me emër “Lugina e Diellit D.O.O”, gjegjësisht Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar “Lugina e Diellit” në Graçanicë.
Sipas të dhënave që janë të regjistruara në Agjencinë e regjistrave të biznesit në Serbi, “Lugina e Diellit D.O.O” është në pronësi të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe.
Si veprimtari e kompanisë, theksohet “Marrje me qira e pasurive të patundshme, vetanake ose me qira dhe menaxhimi me to”.
Drejtor i kompanisë është Slobodan Mihajloviq, i cili është drejtor edhe i projektit “Lugina e Diellit”, ndërkaq, kryetar i këshillit mbikëqyrës është Teodosije Shibaliq ( peshkopi Teodosije), kurse anëtar të këshillit janë Alekasandar Radovanoviq, Borisllav Tajiq, Savo Shmigiq, Milosav Gvozdoviq.
Nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit kanë thënë për Radion Evropa e Lirë që lidhur me çështjet për pronësinë mbi kompaninë “Lugina e Diellit D.O.O” do të përgjigjet ekipi i tyre ligjor, por deri në kohën e publikimit të këtij teksti, përgjigja nuk ka ardhur.
Sipas Dokumentit të Marti Ahtisaarit për zgjdhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të vitit 2007, në bazë të së cilit është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është “pronar i vetëm i pronës së tij në Kosovë, me diskrecion ekskluziv për të menaxhuar pronën e saj dhe për t’iu qasur objekteve të saj”./ Media Ndërtimi.