Vitin që lamë mbrapa numri i shtetasve të huaj që aplikuan për të marrë leje-qëndrim për të punuar në Kosovë ishte 4 mijë e 439, por nga institucionet e Kosovës pas trajtimit të këtyre aplikimeve, ishin pranuar 3 mijë e 645 prej tyre.
Këto të dhëna janë nxjerrur nga një raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme për periudhën janar – dhjetor 2023 dhe janë krahasuar me të raportit paraprak të tremujorit të fundit të vitit 2022.
Për të punuar në Kosovë, një nga procedurat kryesore është pajisja me dokumentin e leje-qëndrimit që lëshohet nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), qoftë të përhershëm apo të përkohshëm.
Në një raport të publikuar nga MPB më 22 janar, listën e kërkesave për leje-qëndrim për punë e kryesojnë qytetarët turk, serb, shqiptarë, bengal, të Maqedonisë së Veriut dhe 958 të tjerë, për të cilët MPB nuk ka ofruar të dhëna për shtetësisë e tyre.
Sipas këtij raporti, gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2023, MPB ka lëshuar 722 leje-qëndrime të përkohshme për qytetarët e Bangladeshit me qëllim që të punojnë në Kosovë nga gjithsej 1 mijë e 62 kërkesa nga ta.
Ndërsa në raportin tetor-dhjetor 2022 asnjë kërkesë për leje-qëndrim nga qytetarë nga Bangladeshi as nuk është kërkuar, e as nuk ishte fituar.
Numrin e qytetarëve bengalë të interesuar për të punuar në Kosovë i kalojnë qytetarët turq, ku sipas raportit të MPB-së, 3 mijë e 646 dokumente leje-qëndrim janë lëshuar përkohësisht për qytetarët turk që të punojnë në Kosovë, ndërsa 22 të përhershme. Ndërkaq, gjithsej ishin 1,217 aplikime vetëm për leje-qëndrim pune.
Ndryshe nga viti 2023, në raportin e Ministrisë së Punëve të Brednshme për periudhën tetor – dhjetor 2022, për shtetasit e Turqisë ishin lëshuar 224 leje-qëndrime për punë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për Kallxo.com është përgjigjur që në Ambasadën e Kosovës në Bangladesh ka pasur 1,285 aplikime për viza. Në periudhën kohore tetor 2022- dhjetor 2023. Prej tyre, 907 janë aprovuar, ndërsa 378 janë refuzuar.
Kallxo.com një javë më parë kishte raportuar që Ambasada e Kosovës në Bangladesh është bllokuar nga numri i madh i kërkesave për viza pune, dhe se nuk ka të lira deri në mars.
Në listë janë edhe shtetasit serbë me 515 kërkesa për leje-qëndrim për punë, ndërkaq janë lëshuar për 465 prej tyre. Ndryshe nga viti 2023, në tre-mujorin tetor-dhjetor 2022, ishin lëshuar 136 leje për qëndrim për shtetasit serbë.
Në vitin e kaluar janë lëshuar gjithsej 4 mijë e 439 leje-qëndrimi për punë, nga gjithsej 6 mijë e 785 të lëshuara, ku këto tjerat janë për bashkim familjar, studime, qëndrim autonom, e çështje humanitare.
Në po të njëjtën periudhë kohore janar – dhjetor 2023, numri i kërkesave për të gjitha llojet e lejeve të qëndrimit ishte 7 mijë e 924, sipas këtij raporti.
Kërkesat për leje qëndrim të përkohshme ishin gjithsej 7 mijë e 682. Prej këtyre, shtetasit e huaj që për herë të parë kishin kërkuar leje qëndrim ishte 4 mijë e 6 shtetas. Ndërsa 3 mijë e 676 kërkesat e tjera ishin për vazhdim të lejes së qëndrimit.
Ndërkaq, kërkesat për leje-qëndrime të përhershme ishin 242, ku 92 prej tyre kishin kërkuar për herë të parë leje-qëndrim të përhershëm, ndërsa 150 kishin kërkuar vazhdimin e lejes së qëndrimit./Media Ndërtimi