Tërmetet mbeten “testuesit” e vetëm të objekteve që janë ndërtuar në dy dekadat e pas luftës në Kosovë, ku janë shpërfillur shpesh rregulla bazë të ndërtimit, raporton emisioni “Udhëve” në televisionin publik të Kosovës.
Halim Sinani, është me profesion inxhinier i ndërtimtarisë. Ai është banor në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë, ku në vitin 2010 kishte blerë një banesë derisa po ndërtohej. Por, që nga ajo kohë ai ende nuk ka arritur ta bëjë bartjen e pronësisë së banesës që ka blerë.
“Kjo banesë që 10 vite është në funksion. Por investitori nuk iu ka përgjigje qysh duhet në këtë banesë. Pikë së pari tash me Termokosin kemi pasë problem. Banesën e kemi ble në ndërtim. Mas kontratës kemi banu këtu. Ka pasë mirëmbajtjen deri në shtator 2022”, thotë ky banor.
Para një viti, sipas tij, ndërtuesi kishte ftuar banorët që të koordinoheshin rreth pranimit teknik. Por, ai kishte ndryshuar planin dhe kishte filluar procesin e legalizimit, raporton emisioni Udhëve në RTK.
Në vend të pranimit teknik, kompanitë kalojnë në legalizim
Sinani thotë se është e pakuptimtë që një objekt që është ndërtuar me leje tashmë duhet t’i nënshtrohet procesit të legalizimit, në vend se i njëjti të pranohej teknikisht.
“Ky qetash veç po thotë objektin e kam kalu në legalizim. Objekti duhet me shku në pranim teknik e jo në legalizim. Shpenzimet i kemi pagu vet individualisht, ai arsye të kota po jep pse ka kalu në legalizim…”, thotë ai.
Ajo që e pengon Sinanin dhe familjen e tij është fakti se ata nuk zotërojnë ende pronësinë për banesën pavarësisht çmimit që kanë paguar.
“Na pengon me dashtë me shitë banesën; as baba jem mu nuk mun me ma qitë në emër temin. Pronësia është vetëm me kontratë”, thotë ai.
Arbër Sadiki është drejtor i urbanizmit në Prishtinë. Ai thotë se shumë kompani është fakt që nuk e përmbyllin ciklin e pajisjes me dokumentacion nga marrja e lejes ndërtimore deri tek pranimi teknik. Arsyet për këtë, sipas Sadikit janë të ndryshme.
“Ky zinxhiri deri te leja përdorimit ku mbyllet komplet cikli dhe një ndërtesë futet në funksion është një zinxhir që jo lehtë kontrollohet…”, thotë drejtori Sadiki.
Një objekt që nuk është i pranuar teknikisht, ligjërisht nuk ka përmbushur kushtet për të qenë i banueshëm.
Tërmeti në Turqi ka ngritur dilema te shumë banorë të objekteve banesore sa i përket sigurisë së këtyre objekteve.
Situatë e ngjashme me Prishtinën sa i përket mbikëqyrjes është edhe në komunat tjera. Asamblistë dhe aktivistë komunalë të Fushë Kosovës thonë se edhe në këtë komunë ka pasur ndërtime pa asnjë kriter dhe ka munguar mbikëqyrja.
“Ka shumë objekte në Komunën e Fushë Kosovës që kanë mbetur pa pranim teknik por ka edhe objekte që kanë mbetur përgjysmë. Me gjithë këtë ndërtim ju mungon edhe pranimi teknik. Ka edhe objekte të banueshme që nuk iu ka ba pranimi teknik”, thotë Durim Hajra asamblist në komunën e Fushë Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje./Media Ndërtimi.
Në janar, prodhimi i ndërtimit në eurozonë pati një rritje prej 3.9%, krahasuar me muajin e kaluar, sipas shifrave të fundit të Eurostat.
Në raportin e euroindikatorëve të këtij muaji, dega e statistikave dhe e të dhënave të Komisionit Evropian raportoi gjithashtu se prodhimi i rregulluar sezonalisht vetëm në BE u rrit me 3.5%.
Prodhimi u rrit gjithashtu krahasuar me janarin 2022, me 0,9% në eurozonë dhe me 1,4% në BE.
Nga muaji në muaj, ndërtimet e ndërtesave në eurozonë u rritën me 4.2%, me inxhinierinë civile me 3.0%.
Në krahasimin e saj vjetor, shifrat e eurozonës nuk ishin aq pozitive, me ndërtimin e ndërtesave me 1.4% në janar 2023, krahasuar me janarin 2022. Sa i përket inxhinierisë civile, prodhimi ishte në -1.9%.
Nga një këndvështrim rajonal, Eurostat theksoi se rritja më e madhe në prodhim ishte në Gjermani (+12.6%), Slloveni (+9.8%) dhe Poloni (+7.0%).
Në anën tjetër të shkallës, rënia më e madhe e prodhimit u pa në Hungari (-5,0%), Rumani (-4,3%) dhe Belgjikë (-1,5%)./Media Ndërtimi.
Analiza e re e 200 kompanive më të mira të ndërtimit të International Construction ilustron se sa shpejt kompanitë kineze të ndërtimit kanë rritur pjesën e tyre në tregun global të ndërtimit.
Në dekadën e fundit, kompanitë kineze të ndërtimit kanë pothuajse dyfishuar pjesën e tyre në të gjitha të ardhurat e gjeneruara nga Top 200. Ndërsa në vitin 2012, firmat kineze përbënin 23.2% të të ardhurave totale, deri në vitin 2022 ishte 44%.
Siç tregon Top 200 më të fundit, të pesë kompanitë më të mëdha në listë tani vijnë nga Kina. Shitjet për firmat kineze në listë arritën në 866 miliardë dollarë vitin e kaluar, nga 697 miliardë dollarë një vit më parë.
Ndërkohë, vendet e tjera kanë parë që pjesët e tyre të të ardhurave në Top 200 ose të bien ose të qëndrojnë të pandryshuara.
Pjesa e Japonisë ra nga 14.2% një dekadë më parë në 9.4% në listën e vitit 2022. Spanja gjithashtu pati një rënie nga 7.3% në 2012 në 3.9% në shifrat më të fundit. Gjermania ra nga 3.5% në 2.2% dhe Holanda nga 2.5% në 1.6%.
Ndërkohë, pjesa prej 12.5% e SHBA-së në listën e vitit 2022 ishte pak a shumë në përputhje me 12.1% që kishte në vitin 2012 dhe ishte një histori e ngjashme për kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar me 4.2% në 2022, krahasuar me 4.5% në 2012.
Ngadalësimi i Kinës është i përkohshëm?
Kohët e fundit, Kina është përballur me një ngadalësim. Fundi i vitit 2022 pa një rënie graduale të besimit midis blerësve të ndërtimit, me Indeksin e Menaxherëve të Blerjeve (PMI) që ra në një pikë prej 54.4 në dhjetor nga 58.2 në tetor 2022. Indeksi PMI ndjek nivelet e besimit midis menaxherëve të blerjeve me një rezultat më të lartë që tregon besim më të madh në nivelet e ardhshme të punës. Një pikë nën 50 tregon se blerësit presin që tregu të tkurret./Media Ndërtimi.
Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova njofton se lagjja TaukBahqe po bëhet me fushtë të Streetball.
Rugova tregon se fusha do të ketë material nga goma, e hapur për të gjithë, dhe do të jetë në harmoni me ambientin e mrekullueshëm që e rrethon.
“Fushë për STREETBALL në TaukBahqe
Pas shumë kërkesave nga banorët e lagjes së TaukBahqes, posaçërisht të rinjtë e talentuar të saj, filluam me ndërtimin e fushës speciale për Streetball.
Bashkë, do të kombinojmë natyrën, sportin dhe ambiciet e rinisë tonë të mrekullueshme, për t’u dhënë platformë moderne në realizimin e ëndrrave të tyre.
Fusha do të ketë material nga goma, e hapur për të gjithë, dhe do të jetë në harmoni me ambientin e mrekullueshëm që e rrethon.”, deklaroi drejtori Rugova./Media Ndërtimi.