Komuna e Podujevës, përkatësisht drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me Institutin “SpaceSyntaKs” kanë nënshkruar marrëveshjen e cila siguron ruajtjen e kujtesës kolektive për mësimin paralel në vitet e 90-ta në Kosovë.
Kjo do të bëhet nëpërmjet zhvillimit të një platforme e cila do të jetë adresë teknologjike dhe dokumentuese për shtëpitë shkolla.
“Marrëveshja përmban; identifikimin e vendndodhjeve të shtëpive shkolla, krijimin e databazës gjeografike të shtëpive-shkolla, mbledhja dhe digjitalizimi i materialit arkivor, identifikimi dhe intervistimi i personave të përfshirë në procesin e mësimit në shtëpi-shkolla për regjistrimin e memories kolektive, organizimin e diskutimeve publike me qytetarë dhe ngritja e fondeve për punën hulumtuese dhe nevojat e platformës digjitale”, thuhet në njoftimin e komunës së Podujevës.
Marrëveshjen e bashkëpunimit e kanë nënshkruar drejtori i Arsimit, Avni Fetahu dhe drejtoresha ekzekutive e organizatës, Gresa Neziri./Media Ndërtimi