Në Kosovë llogaritët se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 2 mijë e 821 ndërmarrje të reja. Por, numri i të punësuarve nëpër këto ndërmarrje del të jetë shumë i vogël. Madje, 97 për qind e tyre kanë vetëm 1 deri në 4 të punësuar.
Mbi 1 mijë e 600 biznese janë mbyllur në vitin 2023, sipas të dhënave të Aleancës Kosovare e Bizneseve. Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në tre mujorin e katërt (TM4) janë shuar 397 ndërmarrje, ndërsa janë regjistruar 2 mijë e 821 ndërmarrje.
Ndërmarrjet me 1 deri në 4 të punësuar, janë regjistruar më së shumti, teksa nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në kategorinë me më shumë se 250 punëtorë.
“Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 735 ndërmarrje të regjistruara (97,0%); me 5 deri 9 të punësuar janë 52 sosh (1,8%); 10 deri në 19 të punësuar 26 ndërmarrje të regjistruara (0,9%); 20 deri 249 të punësuar me 8 ndërmarrje të regjistruara (0,3%). Ndërsa, në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka ndërmarrje të reja në këtë tremujor”.
Në cilat qytete u regjistruan këto ndërmarrje?
Prishtina prin me ndërmarrjet e regjistruar me 942, ndërsa në vendin e dytë është Ferizaj me 250.
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 942 ndërmarrje të regjistruara (33,4%); Ferizaj me 250 ndërmarrje të regjistruara (8,9%); Prizreni me 222 ndërmarrje të regjistruara (7,9%); Fushë Kosova me 145 ndërmarrje të regjistruara (5,1%); Gjilani me 139 ndërmarrje të regjistruara (4,9%); Peja me 120 ndërmarrje të regjistruara (4,3%); dhe Gjakova me 113 ndërmarrje të regjistruara (4,0%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.”, thuhet në raportin e ASK-së “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, TM4 2023”.
Sa biznese u mbyllën gjatë vitit 2023?
Ndërkaq, sipas Aleanca Kosovare të Bizneseve (AKB), gjatë vitit 2023 në Kosovë janë mbyllur rreth 1 mijë e 600 biznese.
Si pasojë e mbylljes së këtyre bizneseve, AKB-ja ka thënë se kanë mbetur pa punë rreth 5 mijë punëtorë.
“AKB në bazë të dhënave që posedon të vitit 2023 u mbyllen mbi 1600 biznese të sektorëve të ndryshëm nga të gjitha regjionet dhe komunat e Kosovës, këto kompani kishin mesatarisht 1-4 punëtorë ku mbetën pa punë rreth 5000 punëtorë”, thuhet në reagimin e tyre.
“Kryetari i AKB-së Agim Shahini ka vlerësuar se trendi i hapjes dhe i mbylljes së bizneseve në Kosovë gjatë tri viteve të fundit ishte mesatarisht i njëjtë rreth 11000 biznese të hapur dhe mbi 1600 të mbyllur”.
AKB-ja në reagimin e tyre në Facebook, ka thënë se viti 2023 ishte vit sfiduese në aspektin ekonomik të vendit.
“AKB e vlerëson se viti 2023 ishte sfidues për Kosovën si në aspekte ekonomike, politike, integruese dhe në atë të Sigurisë ku ka ndikuar në rënie të investimeve dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Ekonomia kishim rënie të zhvillimit në krahasim me vitet paraprake si në investime, investime kapitale, eksporte por edhe kishim shuarje të bizneseve”./Media Ndërtimi