Turistët e huaj po përballen me dyert e mbyllura të muzeve nën rikonstruksion apo të dëmtuar nga tërmeti dhe pamundësinë për të parë mozaikë të fshehur në bodrume pallatesh gjatë vizitës së tyre në qytetin e Durrësit.
Turistët e huaj që kanë mbërritur në Durrës gjatë javëve të fundit nuk kanë mundur të vizitojnë Muzeun Arkeologjik dhe atë Etnografik.I pari po i nënshtrohet restaurimit me një financim nga BE, ndërsa ende nuk ka asnjë projekt për muzeun etnografik që u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019.
“Në qytet ka vetëm dy muze dhe unë nuk munda t’i shoh, pasi mësova se janë mbyllur për një periudhë kohe,” tha Chantelle, një turiste franceze që mbërriti me kroçerë dhe që preferoi të shëtiste në Durrës pa ndihmën e guidës.
Numri i turistëve të huaj në qytetin bregdetar që nga fillimi i këtij viti ka ardhur duke u rritur, por një pjesë e objekteve të trashëgimisë kulturore janë të mbyllura për motive të ndryshme, ndërsa njoftimi përkatës në internet thuajse mungon .
“Unë u përpoqa të shoh edhe Torrën veneciane,” tha Chantele për BIRN, duke shtuar se në këtë rast nuk arriti ta kuptojë arsyen e rrethimit dhe të mbylljes me dryn.
“Monumenti ishte restauruar që prej disa muajsh, por siç më thanë ende nuk ishte plotësuar me disa pajisje kompjuterike që do t’i shërbejnë informimit të vizitorëve të huaj apo vendas,” shtoi turistja e huaj.
Muzeu arkeologjik i Durrësit i ka mbyllur dyert për vizitorët në tetor të vitit të kaluar, dhe restaurimi i tij me financim nga BE duket se do të zgjasë më shumë se sa parashikimi.Ndryshimi nga projekti fillestar për ndërtimin e objekteve ndihmëse ku do të sistemohen arkeologët, ka shkaktuar ndërprerjen e punimeve dhe përfundimi i restaurimit në të vetmin muze kombëtar të arkeologjisë do ta tejkalojë tetorin e parashikuar të këtij viti.
Ndërkohë tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi rëndë Muzeun etnografik, për të cilin nuk ka ende një investim restaurimi.
Shtëpia me çardak e shekullit 19-të ku ishte vendosur edhe muzeu kushtuar aktorit me famë europiane, Aleksandër Moisi tashmë është zbrazur prej vitesh nga objektet e jetës së Moisiut, i cili kaloi në Durrës disa vite të fëmijërisë, si dhe nga elementet etnografike të jetës qytetare, që ishin ekspozuar në godinën dykatëshe prej guri./Media Ndërtimi