Komuna e Vitisë ka vendosur që të qojë deri në fund synimin e saj për të shpërblyer një grup të kompanive me tender duke e shkelur ligjin e prokurimit publik. Fadil Abazi nuk do jetë menaxher i prokurimit në Komunën e Vitisë, pozitë të cilën e ka ushtruar deri më tani. Komisioni Rregullativ i Prokuirmit Publik –KRPP ia ka revokuar certifikatën e prokurimit për shkak të disa veprimeve që ai i ka bërë në procedurën e prokurimit për tenderin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaqanik –Faza e II”.
Lajmi.net është informuar nga burimet e veta se Abazit i është tërhequr licenca këtë të hënë mbi bazën e një kërkesë që e kishte bërë Organi Shqyrtues i Prokurimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. Në ditën e revokimit të certifikatës së prokurimit, ai ka bërë një tjetër shkelje të madhe lidhur më veprimet në procedimin e këtij tenderi.
Pasi ishte shpallur fituesi i tenderit konzerciumi “Rahovica Comerc” Shpk, “Quality Asphalt” Shpk, “Mirusha Company” Shpk, menjëherë pas këtij vendimi, kërkesë për rishqyrtim më datë 04.05.2021 kishte bërë kompania “Sallahu” duke mos u pajtuar me vendimin e Komunës, pasi konsideronte që ishin bërë shkelje duke kërkuar kështu që lënda të kthehet në rivlerësim.
Më datë 11 Maj, AK i Vitisë e ka refuzuar këtë ankesë, duke mos shqyrtuar asnjë nga pretendimet. Në vendimin mbi refuzim, Komuna e ka udhëzuar që në afat prej 10 ditësh të parashtrohet ankesë në OSHP nëse pala është e pa kënaqur me vendimin e komunës.
Një ditë para se të përfundojë afati ligjor për dorëzimit e ankesës në OSHP, Komuna ka bërë “Njoftim mbi ndryshimin e vendimit të Autoritetit Kontraktues”, në të cilin thuhet se “Komuna e Vitisë, pas shqyrtimit të ankesave shpërblen me kontratë Grupin e Operatoreve Ekonomik “Pro& Co Group” Shpk, “Co Group” Shpk, “Company Eskavatori” Shpk, në vlerë prej 1, 952, 820.69 euro”.
Vendimi për rivlerësim pas ankesës ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Kjo ngase, sipas ligjit, kur një kërkesë për rishqyrtim hidhet poshtë, lihet në fuqi vendimi i mëparshëm i Autoritetit kontaktuese. Ky veprim ka qenë i pa precedent deri më tani në prokurimin publik.
Dhe në këtë vendim, AK-ja ka shkruar edhe informata të pasakta, ku ka thënë se “pas shqyrtimit të ankesave”. Në fakt ka qenë vetëm një ankesë që ishte hedhur poshtë, dhe nuk ka ankesa të tjetër të ngarkuara në sistemin e E-prokurimit tek procedura e këtij prokurimi. Po ashtu, lajmi.net ka mësuar se nuk ka pasur ankesa tjera që janë shqyrtuar, pra që për ndonjë arsyeje mund të mos ishin ngarkuar në E-prokurim.
Derisa, Komuna e ka refuzuar kërkesën e kompanisë “Sallahu”, e çuditshme ka qenë se procedurën e ka kthyer në rivlerësim sipas pretendimeve ankimore të kësaj kompanie.
Pra, konkretisht, në këtë rast AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 108/A të LPP-së, pika 10. Autoriteti kontraktues mund, me anë të një vendimi:10.1 të refuzojë kërkesën e propozuar për rishqyrtim si të pa bazë; 102.2 të miratojë një kërkesë për rishqyrtim si të bazuar dhe të anulojë pjesërisht ose tërësisht vendimin e miratuar.
Standardi i dyfish i Komunës
Që nga koha kur kishte nisur kjo procedurë e prokurimit në vitin 2020, Komuna e Vitisë është duke e zhvilluar kundërligjshëm, duke përdorur edhe standarde të dyfishta. Kjo për shkak se ky projekt ka qenë ritender, pasi me datë 29.03.2021 ishte shpallur procedura re nga fillimi.
Fillimisht në muajin prill, Komuna shpalli fitues grupin e kompanive “Rahovica Comerc” & Quality Aspalt” & “Mirusha Company” & “Atc Com” –Ferizaj, me çmim 1. 863.133, 48. Komuna kishte përzgjedhur kompaninë e tretë më të shtrenjtë, pasi dy kanë qenë më të lira për rreth 150 mijë euro, për të dyja janë eliminuar nga komisioni komunale për arsyeje të ndryshme.
Tash, në rivlerismin e ri Komuna ka listuar arsyet e eleminimit të konzorciumit “Rahovica Comerc” Shpk, “Quality Asphalt” Shpk, “Mirusha Company” Shpk. Sipas vendimit të ri, arsye e eliminimit ka qene se “Ju nuk keni plotësuar kërkesat sipas FDT. Nuk keni plotësuar kërkesën: Një (1) bachelor të gjeodezisë të licencuar, mungon përvoja e kërkuar prej 5 viteve: Lista e stafit prej 45 punëtorëve në tri vitet e fundit, nuk e keni kompletuar edhe pas ftesës. Marrëveshja e bashkëpunimit, noterzimit nuk konkretizon marrëveshjen, ne titull, është marrëveshje për qera”, thuhet në arsyetimin e eliminimit shkruan Lajmi.net.