Adresimi i problematikave që shkakton ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike, duhet të kenë një analizë të posaçme për sa i përket fëmijëve, edhe në vendin tonë.
Në një nivel të përgjithshëm, marrja e masave për uljen e shkarkimeve të gazrave me efekt serë dhe përshpejtimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, pritet që të ketë ndikime pozitive në jetën e fëmijëve dhe gëzimin e të drejtave të tyre, sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës.
Në një analizë më të detajuar, Konventa nënvizon se kuadri ligjor i miratuar është ende i paplotë dhe si rezultat, në një pjesë të madhe të tij i pazbatueshëm.
“Me përjashtim të akteve nënligjore të 35 miratuara më herët, lidhur me kufizimin e emetimit të gazrave serë, aktet e tjera që do të plotësojnë kuadrin dhe do të bëjnë ligjin efektiv do të miratohen brenda 4 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit, duke ulur në këtë mënyrë ndjeshëm efektivitetin e ligjit. Konstatohet që angazhimet ligjore janë më shumë retorike, në vend që të përfshijnë angazhime praktike, një fenomen ky jo vetëm shqiptar, pasi është konstatuar edhe në shumë vende të tjera.”-citohet.
Adresimi i ndryshimeve klimatike duhet të fillojë domosdoshmërisht nga edukimi, bën me dije raporti.
“Jo vetëm në kuptimin e ngushtë të edukimit të fëmijëve në shkollë, por edhe në shtëpi dhe në komunitet. Vetëm në këtë mënyrë, do të arrihet që fëmijët dhe të rinjtë të aftësohen për të ndërtuar një mënyrë jetese në përputhje me mjedisin, duke dhënë kontributin e tyre aktiv në uljen e rrezikut të ndryshimeve klimatike, por njëkohësisht do të arrihet që fëmijët të kenë mundësi të ushtrojnë efektivisht të drejtat e tyre për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes, për t’u dëgjuar, për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre në rrugë administrative dhe gjyqësore.
Përfshirja në kurrikulat mësimore shqiptare e kompetencës për jetën, mjedisin dhe sipërmarrjen, vlerësohet si një arritje pozitive.
Pavarësisht kësaj, nga fokus grupet e zhvilluara, u konstatua një mungesë e rezultateve konkrete në njohuritë e fëmijëve në ketë fushë. Pra, në këtë rast është e rëndësishme gjetja e mekanizmave efektiv për realizimin konkret të objektivit të vendosur nga kurrikula dhe zgjerimi i konceptit të edukimit, nëpërmjet përfshirjes dhe të aktorëve të tjerë jashtë shkollës.
”Nga ana tjetër, në një raport të Avokatit të Popullit mbi këtë çështje, theksohet se është e rëndësishme të rriten përpjekjet në vend për t’i adresuar çështjet e mjedisit si të lidhura ngushtësisht me çështjet e fëmijëve dhe respektimin e të drejtave të tyre, të garantuara nga Kushtetuta, nga KDF, por edhe nga akte të tjera ndërkombëtare dhe të legjislacionit të brendshëm.
“Ndërtimi i kornizës ligjore dhe qasja institucionale duhet që të funksionojnë në mënyrë paralele me qëllim përmirësimin dhe sigurimin e një impakti social të qëndrueshëm. Në këtë dimension, Avokati i Popullit me kompetencat e dhëna nga ligji ka potencialin për të qenë një mekanizëm thelbësor në nivel të përmbushjes së objektivave të ligjit dhe të monitorimit të zbatueshmërisë. Duhet rritur advokimi në nivel kombëtar, rajonal dhe global për të siguruar respektimin e të drejtës së patjetërsueshme të fëmijëve për një mjedis të shëndetshëm. Kjo mund të arrihet vetëm nga një bashkëpunim, koordinim dhe ndërveprim i të gjithë aktorëve të përfshirë dhe gjithmonë me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve, si zëdhënësit kryesorë të këtyre të drejtave.”- thuhet në raport.
Është e rëndësishme që të rritet pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve të të gjitha moshave në çështje që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike. Në kuadër të angazhimit është e nevojshme të përfshihen:
– Seminare të përshtatshme për moshën në mjedise arsimore formale dhe joformale.
– Pyetësorë dhe sondazhe.
– Rritje e ndërgjegjësimit për aktivizimin e të rinjve dhe fëmijëve.
– Punë me palët e përfshira që mbështesin fëmijët dhe të rinjtë.
– Nevoja për monitorim të respektimit të të drejtave të fëmijëve.
“Lëvizjet e viteve të fundit për përfshirjen e fëmijëve në vendimmarrje të rëndësishme për çështje mjedisore, duhet të marrin vëmendjen e duhur dhe në vendin tonë, duke filluar kjo nga edukimi i fëmijëve që në moshë të vogël për këto problematika.”- përfundon AP./Media Ndërtimi