Liqeni i Ohrit, që afekton jetën e më shumë se 180 mijë banorëve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, kërcënohet nga tonelata mbetjesh të industrisë minerare dhe nga ujërat e zeza që derdhen në të. Efektet kanë filluar të ndihen dhe disa lloje peshqish janë drejt zhdukjes. Nëse këto probleme nuk marrin zgjidhje sipas orientimeve të UNESCO-s, atëherë liqeni i Ohrit rrezikon të dalë përfundimisht nga lista e pasurive botërore.
Misioni i fundit i ekspertëve dhe vëzhguesve të UNESCO-s, i cili pa nga afër situatën në të gjithë zonën e mbrojtur të Pogradecit, që përfshin një sipërfaqe prej 11.300 ha, la mbi tryezën e autoriteteve shqiptare 32 rekomandime.
Zhvendosja e mineraleve apo mbetjeve të tyre, të depozituara prej vitesh në bregun e liqenit dhe në peizazhin e mbrojtur, trajtimi i ujërave të zeza, që derdhen në liqen, si dhe rehabilitimi i fushës së mbetjeve, u konsideruan emergjencë, raporton Rrjeti Investigativ Albania.
Edhe pse ky site i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, veç statusit të UNESCO-s, gëzon edhe statuse të tjera mbrojtëse nga legjislacioni vendas, autoritetet, jo vetëm që nuk janë treguar të gatshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kjo mbrojtje e shumëfishtë, por janë neglizhente ndaj problematikave.
Industria minerare e ktheu në “tokë të djegur” zonën e mbrojtur
Ismet Krasta është një prej minatorëve të Çervenakës, i cili prej vitesh punon për nxjerrjen e mineralit të hekur-nikelit në një minierë, që ndodhet në pjesën lindore të fshatit.
Mbarimi i rezervave nëntokësore të mineralit, i cili vazhdon të ketë treg të sigurt në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të rajonit, i ka orientuar subjektet e shfrytëzimit drejt nxjerrjes së mineralit nga faqet e maleve, përmes asaj që minatorët e quajnë teknika me zbulim.
“Kam vite që punoj si minator dhe kompania është përpjekur që të mos e lërë për një kohë të gjatë mineralin e depozituar në të njëjtin vend, por ta ngarkojë sa më parë nëpër kamionë dhe ta dërgojë drejt Qafë-Thanës, për të mos shkaktuar edhe ndotje të ambientit”, – thotë Ismeti.
Shqipëria ka vetëm 2 vite kohë për të përmbushur një listë me 32 rekomandime të lëna nga UNESCO, por ruajtja e statusit të liqenit kërkon detyrimisht të njëjtin angazhim edhe nga pala maqedonase, konstatojnë ekspertët.
“Në korrik të këtij viti në sesionin e 44-ët në Kinë, UNESCO i dha mundësinë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që për 2 vjet të rregullojnë mënyrën e konceptimit, ruajtjes dhe menaxhimit të këtij ekosistemi, me qëllim që rajoni i liqenit të Ohrit, si trashëgimi natyrore dhe kulturore, të mos futet në listën e site-ve që janë në rrezik.”, – tregon eksperti Arjan Merolli.
Ai shton më tej se mungesa e kulturës së bashkëpunimit dhe e strategjisë për ruajtjen e liqenit të Ohrit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shihet me rezerva edhe nga UNESCO, duke ngritur shqetësimin se këto problematika mund të bëhen shkak që të dyja vendet të humbin statusin si trashëgimi botërore.
Ministria e Kulturës në përgjigje të kërkesës për informacion në lidhje me atë që është bërë deri tani nga pala shqiptare për të përmbushur rekomandimet e UNESCO-s, sqaron se në korrik të këtij viti, “Komiteti i Trashëgimisë Botërore i ka kërkuar të dy shteteve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të përgatisin dhe paraqesin një plan të detajuar, strategjik të rimëkëmbjes, të shoqëruar me një plan-veprimi me afate kohore dhe brenda datës 1 shkurt 2022 të dyja vendet duhet të paraqesin raportin e progresit mbi gjendjen e konservimit të pasurisë botërore dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore”.
Kur na ndajnë më pak se dy muaj nga takimi i 1 shkurtit, nga sa konstatohet në terren, pala shqiptare ka mbetur ende në stadin e hartimit të strategjisë dhe duket qartë se do të ketë shumë pak material për të dorëzuar sa i takon zbatimit të rekomandimeve të UNESCO-s, ku prioritet mbeten problematikat mjedisore.