Në kontrast me ecurinë e ekonomisë, si gjatë periudhës së pandemisë, ashtu dhe inflacionit të lartë, sektori i ndërtimit ka shfaqur një rritje të pazakontë.
Gjatë vitit 2020, kur ishte kulmi i pandemisë, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme udhëhoqën ekonominë, duke bërë që rënia nga mbyllja të ishte vetëm -3.5% nga -8% që prisnin institucionet ndërkombëtare.
Vetë sektori i ndërtimit në 2020-n u rrit me gati 2% dhe ai i pasurive të paluajtshme me 5.7, më i larti nga të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë. Tendenca vijoi edhe në vitin 2021, me ritme më të shpejta se gjallërimi e ekonomisë pas pandemisë.
Ndërtimi u rrit me gati 20% në 2021 (nga 8.5% që u zgjerua gjithë ekonomia) dhe pasuritë e paluatshme me gati 9%. Edhe në tremujorin e parë të këtij viti ndërtimi pa një shtuim me 25.5%, nga rreth 6% gjithë ekonomia, shkruan revista Monitor.
Edhe në pjesën e parë të 2022-it, pavarësisht se inflacioni i lartë, që ka arritur aktualisht në 7.5%, (më i larti në 20 vjet) dëmtoi konsumin, sërish ndërtuesit shfaqeshin optimistë në vrojtimet e besimit të Bankës së Shqipërisë.
Por, optimizmi i tyre është kthyer në pesimizëm për herë të parë në muajin korrik. Sipas Bankës së Shqipërisë, në korrik treguesi i besimit në ndërtim (TBN), regjistroi rënie me 1.9 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë.
“Ky zhvillim u ndikua si nga përkeqësimi i balancës për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse. Rënie regjistruan pritjet për punësimin, por edhe ato për çmimet, pas rritjes së dukshme të muajit paraardhës”, vlerëson Banka e Shqipërisë.
Muajt e fundit kostot e ndërtimit po rriten me shpejtësi për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit, por edhe mungesës së fuqisë punëtore, si rrjedhojë e emigracionit.
Sipas INTSAT, për 6 mujorin e parë, importet në vlerë të gizës dhe çelikut u rritën me 40% (+8.6 miliardë lekë), ndonësë në sasi ranë me 5.8%. Edhe alumin u importua 60% më shumë në vlerë (+3.5 miliardë lekë), për pothuajse të njëjtën sasi si e njëjta periudhë e një viti më parë.
Kjo kosto pritet të transferohet te çmimet e apartamenteve, ndërkohë që ndërtuesit e punëve publike u siguruan që koston shtesë do ta mbajë buxheti (taksapaguesi), pasi ata do të subvencionohen për rritjen e kostove.
Çmimet e apartamenteve janë rritur me shpejtësi vitet e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i Çmimit të Banesave në vitin 2021 u rrit me 9% krahasuar me një vit më parë.
Rritja vjetore e çmimit të banesave rezultoi më e ngadaltë, krahasuar me nivelin 11.3% të vitit 2020. Krahasuar me vitin 2013, çmimet e pasurive të paluajtshme në rang vendi janë rritur me pothuajse 58%./Media Ndërtimi.