Aktuale
Ndërtimi i Kishës Ortodokse në Kampusin e UP-së, ku mori pjesë edhe Arkani në gurthemel [video]
Kishës ortodokse serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës, e ashtuquajtur Kisha e Krishtit Shpëtimtar, gurthemeli iu vu më 6 dhjetor 1992. Atëherë në Kosovë funksiononte vetëm pushteti okupues serb, ndërsa shqiptarët, me përjashtim të atyre që i shërbenin atij regjimi, ishin dëbuar nga puna dhe nuk kishin kurrfarë force ndikimi. I okupuar nga regjimi i Millosheviqit ishte edhe Universiteti i Prishtinës.
Atë ditë dimri, përveç gjithë kreut të Kishës tradicionalisht shoviniste dhe antishqiptare serbe, në Prishtinë kishte zbarkuar edhe kryekrimineli që i komandonte paramilitarët e quajtur “Tigrat”, Zheljko Razhnatoviq – Arkan (minuta 14:57). Ai merrte pjesë në gurthemelin e kishës, që do të përfundonte vetëm shtatë vjet më pas.
Shumë klerikë fetarë ortodoksë serbë, serbë të Kosovës dhe të ardhur merrnin pjesë në fillimin e ndërtimit të kësaj kishe në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Në videon e mëposhtme mund të shihni kronologjikisht se si ka shkuar ndërtimi i kësaj kishe, deri në vënien e kryqit në kupolën e kishës në janar të vitit 1999.
Ajo ka një strukturë të fortë betoni, e cila ishte tentuar disa herë që pasluftës të shkatërrohet me granata dore, por një gjë e tillë nuk është arritur.
Tani ka përafërsisht njëvit që kjo kishë është shndërruar në një nga temat kryesore në Kosovë. Klerikë fetarë me vullnetarët e tyre nga Graçanica kanë ndërmarrë aksione, sipas tyre për pastrimit e lyerjes së kishës, por që në fakt, sipas shumë analistëve, ka prapavijë destabilizimin e situatës në Kosovë, kurse Inspeksioni Komunal i Prishtinës ka ndaluar këto punime të paligjshme, ngaqë konsiderohet objekt pa leje.
Vetë i pari i Inspeksionit të kryeqytetit, Sali Zyba, ka thënë se serbët kanë dështuar të prezantojnë një dokument valid për objektin në fjalë. Ndërsa, studentë të organizatave studentore kanë protuestuar disa herë, duke shkuar edhe në përleshje.
Kisha serbe pretendon se ka dokumentacion legal të siguruar para vitit 1999, ndërsa për kishat e ndërtuara pas vitit 1999 Kisha serbe do të bëjë kërkesë për legalizim. Në Komunën e Prishtinës pohojnë se Kisha Serbe asnjëherë nuk ka dokument për të bërë një kërkesë, në përputhje me ligjet në fuqi, për legalizimin e kësaj kishe.
Së fundi Gjykata e Apelit ka vendosur në anën e Kishës Ortodokse, pas një padie nga Universiteti i Prishtinës. Këta të fundit nuk kishin marrë mundimin që të shkonin në seancë. Sipas sekretarit, Esat Kelmendi që ka folur për Ndërtimi.info, thuhet se kjo çështje nuk po përkrahet nga “politika dhe gjykatat”.
Në fakt me Rregulloren 24 të vitit 1999 të UNMIK-ut, që ka fuqinë ligjore, ligjet e nxjerra gjatë regjimit të Millosheviqit pas 23 marsit të vitit 1989, janë të pavlefshme.
“RREGULLORE NR. 1999/24UNMIK/RREG/1999/2412 dhjetor 1999
PËR LIGJIN NË FUQI NË KOSOVË
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm,
Në përputhje me autorizimin që i është dhënë me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të datës 10 qershor 1999,
Duke marrë parasysh Rregulloren nr. 1999/1 të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) mbi Autoritetin e Administratës së Përkohshme në Kosovë të datës 25 korrik 1999,
Me qëllim të përcaktimit të ligjit në fuqi në Kosovë,
Shpall sa vijon:
Neni 1 LIGJI NË FUQI
1.1 Ligji në fuqi në Kosovë përfshin:
(a) Rregulloret e shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to dhe
(b) Legjislacionin në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989.
Në rast konfliktesh do të mbizotërojnë rregulloret dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to. (…) “, ndërsa kisha serbe në kompleksin e Universitetit të Prishtinës është ndërtuara në vitin 1998/99, dhe çfarëdo lejesh që ka ajo janë të pavlefshme.
Kisha serbe thirret tani edhe në Planin e Ahtisarit rreth pronave kishtare, por Plani i Ahtisarit flet për kishat e ngritura më herët dhe të ligjshme.