Viti 2021 ka qenë i mbarë për pak aktivitete ekonomike, ndërsa ka rezultuar i vështirë për shumë të tjerë.
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, tre ishin aktivitetet ekonomike që panë një rritje të ndjeshme, teknologjia e informacionit, bizneset e shëndetit dhe ndërtimi e aktivitetet e lidhura me të, si dhe hoteleria.
Numri i bizneseve të reja (shtesa neto) në aktivitetin e “shërbimeve të teknologjisë së informacionit” ishte 625, duke shënuar hapjet më të larta nga të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike në vend.
Në raport me vitin e mëparshëm rritja ishte 39%. Ne vetëm pak vite, numri i kompanive në këtë fushë është dyfishuar, duke i kaluar 2 mijë.
Në shumë shtete të botës, po konstatohet lulëzimi i përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale, etj.
Tendenca ka rritur ndjeshëm kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën.
Prania e dixhitalizimit në çdo fushë të jetës, zgjerimi i tregtisë online, konferencat virtuale që duket se do të vazhdojnë edhe pas pandemisë, nevoja për integrimin e të dhënave dhe analizën e tyre në kohë reale, po kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë në fushën e Teknologjisë së Informacionit.
Edhe për Shqipërinë, interesi është i lartë për ta shfrytëzuar si një treg të shërbimeve nga të tretët, siç po raportohet nga shumë biznese të fushës.
Sipërmarrjet, si gjithnjë, janë të parat që nxitojnë të kapin trendin dhe të mos e lënë këtë mundësi t’u ikë nga duart, si dhe të përshtaten me realitetin e ri, ndonëse dhe ky segment po haset me mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të niveleve të larta të emigrimit të të rinjve.
Edhe aktiviteti i “Riparimit të kompjuterëve” dhe artikujve personale dhe familjarë shënoi rritje të numrit të bizneseve me 13.7%, duke i kaluar 3 mijë.
Pandemia krijoi probleme të mëdha në vend, si në drejtim të shëndetit të popullatës, ashtu dhe të tendencës së konsumit e punësimit. Por, për bizneset e lidhura me aktivitetin e shëndetit 2020-a dhe 2021-shi kanë qenë vite të arta.
Kryerja e analizës dhe kërkesat për testet përpara udhëtimeve nxitën hapjen e shumë pikave të laboratorëve në vend.
Në 2021 u shtuan neto 301 subjekte të aktivitetit të shëndetit, me një rritje prej 8.3%, në raport me vitin e mëparshëm, ndërsa në dy vitet e pandemisë u hapën gjithsej 440 subjekte të reja në këtë fushë. Numri i bizneseve të këtij aktiviteti po i afrohet 4 mijëve.
Teksa Shqipëria po bëhet një destinacion i preferuar turistik dhe kufizimet u lehtësua, aktiviteti i akomodimit shënoi një rritje të shpejtë. Në vitin 2021 u shtuan 262 njësi të reja akomoduese, duke arritur në total në 1633.
Ndërtimi dhe aktivitetet e lidhura me të vijuan ecurinë pozitive edhe në 2021, pasi ishin nga të paktat që shënuan rritje në vitin pandemik 2020. Aktivitetet e “Punime të specializuara ndërtimi” dhe “Ndërtimi i ndërtesave” shtuan përkatësisht 262 dhe 185 biznese të reja./Media Ndërtimi.