Artistët e operës dhe baletit të Kosovës nuk kanë arritur të performojnë asnjëherë në vendin e tyre, në kushte dhe skenë adekuate për këto arte.
Ideja për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës nisi të institucionalizohej që nga viti 2006.
Por, siç thonë këto artiste, ndërtimi i një objekti të tillë, tashmë është shndërruar në sagë.
Besa Llugiqi, debutimin e saj në skenën operistike, rreth 11 vjet më parë e kishte shënuar në Tiranë, pavarësisht dëshirës që këtë ta bënte në Kosovë.
Ajo thotë se ka performuar edhe në vendlindje, por në kushte jonormale.
“Kam pasur rastin të këndoj edhe në Kosovë, por në kushte të tilla të improvizuara, të një skene në sallë të sportit. Nuk është aspak e lehtë për një artist që pretendon të zhvillohet artistikisht, sepse nuk ka hapësirë në vendin e vet”, thotë Besa.
Besa, dikur ishte pjesë e përhershme e trupës së Operës së Kosovës. Ajo thekson se tashmë mund të angazhohet vetëm herë pas here në këtë trup.
Që nga viti 2007 e deri më tash janë hapur katër konkurse për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Aulonë Nuhiu është pjesë e përhershme e Trupës së Baletit të Kosovës, tash e 17 vjet.
Ajo thotë se streha e balerinëve, Teatri Kombëtar i Kosovës, nuk ka ofruar asnjëherë kushte optimale për punën e balerinëve. Për më shumë, tash e 2 vjet ky teatër është në proces renovimi.
Aulona thekson se ajo dhe kolegët e saj, gjatë karrierës kanë arritur të shijojnë skena të bukura dhe me kushte të mira, vetëm në teatrot jashtë vendit.
“Unë i kam 30 vjet. Balerinët e tjerë janë në moshë edhe më të madhe. Në qoftë se ne e lejojmë veten të presim që shteti ynë të na i bëjë kushtet neve, vitet tona shkuan dhe karriera jonë iku”, thotë Aulonë Nuhiu.
Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, hapi konkursin për projektin ideor, kurse lokacioni për ndërtimin e tij ishte caktuar në afërsi të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në vitin 2009, në mënyrë ceremoniale ishte hedhur edhe guri themeltar. Dhe, puna ngeci aty.
Në vitin 2019, në kohën kur MKRS-në e drejtonte Vlora Dumoshi, pati dy konkurse për projektin ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit.
Gjatë vitit 2020, MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës nuk arritën të pajtohen që objekti i këtij teatri të ndërtohej në parcelën e caktuar më herët, në afërsi të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.
Komuna e Prishtinës të njëjtën parcelë e përcaktoi për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Ndërtimi i objektit të këtij fakulteti është duke vazhduar edhe sot.
Konkursi i katërt për projektin ideor të Teatrit të Operës dhe Baletit u shpall nga MKRS-ja e drejtuar aktualisht nga Hajrullah Çeku.
Tashmë, edhe hapësira për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit është ndryshuar.
Ajo është caktuar prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, me pajtimin e Komunës së Prishtinës
Tenderi për projektin ideor u hap nga MKRS-ja në tetor të vitit 2022.
Ai u anulua me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), më 24 janar të këtij viti.
Bazuar në vendimin e OSHP-së, konkursi është anuluar pas ankesës së një prej tri kompanive konkurruese. OSHP-ja ka konstatuar shkelje ligjore nga ana e MKRS-së gjatë procesit të vlerësimit të projekteve konkurruese, për shkak se tri kompanitë kanë zbuluar identitetin e tyre.
Sërish konkurs për projektin ideor
Pas anulimit të atij në janarin e sivjetmë, MKRS-ja ka rihapur sërish konkurs më 13 mars të vitit 2024 dhe do të zgjasë deri më 12 prill.
Vlera e parashikuar për tenderin për projektin ideor për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit është 2.5 milionë euro.
Artistët shpresojnë që saga e Teatrit të Operës dhe Baletit të përfundojë dhe të nisë ndërtimi i objektit.
Teatri i Operës dhe Baletit parashihet të jetë një shtëpi e përbashkët për tri institucione, Operën e Kosovës, Filarmoninë e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës.
Bazuar në informacionet që kanë përfaqësuesit e këtyre institucioneve, për ndërtimin dhe finalizimin e një objekti të tillë do të nevojiten 50 milionë euro./Media Ndërtimi