Në një sondazh të bërë nga Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, e cila përfaqëson interesat e miliona ndërmarrjeve nga industria, tregtia dhe shërbimet, 56 përqind e ndërmarrjeve ankohen për mungesën e puntorëve dhe e quajnë këtë mungesë si një nga rreziqet më të mëdha për biznesin.
Agjencia Federale e Punës ka rradhitur aktualisht mungesë fuqie punëtore në 148 profesione. 122 profesione të tjera ndodhen nën vëzhgim. Tetë muaj zgjat mesatarisht deri sa një strehimore të moshuarish të gjejë një punonjës kujdestar për shëndetin. Firmat e ndërtimit duhet të llogarisin pritje gjashtë mujore deri sa të gjejnë një punëtor ndërtimi. Në të gjithë Gjermaninë janë shpallur vakant 1.7 milionë vende pune.
“Për të shitur shërbimet tona ne kemi shpërndarë njoftime pesë deri dhjetë vjet me radhë. Sot ne bëjmë reklama në të gjitha llojet e mediave për të fituar punonjës të rinj”, thotë Markus Winter, drejtor i ndërmarrjes së shërbimeve, IDS, në Baden-Vyrtemberg. Firma ka 750 punonjës dhe kërkon personel në më shumë se 20 profesione duke filluar nga teknikë bravash, tek bojaxhinjtë, punonjësit e ngarkim shkarkimit, punonjësit e montimit dhe shoferët për furnizimin e pijeve.
“Ne nuk kemi më një problem me forcat e specializuara, por një problem të përgjithshëm me fuqinë punëtore”, thotë Winter. Edhe vendet e punës për punonjësit pa eskperiencë pune, nuk zihen. “Këto janë sektorë që janë vërtet relevant për industrinë, pa to nuk funksionon.”
Së shpejti dalin në pension njerëzit e lindur në kohën e lindjeve të shumta
Kjo mungesë nuk është e papritur. “Ne ndodhemi tani në një situatë relativisht dramatike, për të cilën kemi bërë faktikisht parashikime prej kohësh,” thotë Herbert Brücker, profesor në Institutin për Studimin e Tregut të punës dhe profesioneve në Nyrnberg. Ndryshimet demografike kanë filluar të ndihen. Gjermania humbet çdo vit rreth 350 mijë vetë që janë në moshë pune. Ndërkohë që njerëzit e lindur në vitet me nivel të lartë lindjesh, fillojnë të dalin në pension. Ekspertët si puna e Brücker-it, llogarisin që deri në vitin 2035, tregu i punës të ketë në dispozicion rreth shtatë milionë vetë më pak.
Ky nuk është një mangësi e vogël, por është një mungesë e madhe. Para së gjithash, sepse nuk mund të plotësohet as nga fuqia punëtore e punës që ndodhet në vend dhe as nga ardhjet e punëtorëve nga Bashkimi Europian.
Sipas studiuesit të tregut të punës, Brücker, numri i migrantëve nga vendet e BE-së është vazhdimisht në rënie. “Të ardhurat janë duke u rritur edhe në vendet e tjera të BE-së, të cilat po ashtu janë prekur nga ndryshimet demografike.” Potenciali i njerëzve të rinj, të gatshëm për të migruar është vazhdimisht në rënie në BE. “Në parim festa ka mbaruar, ta them kështu troç.”
Për të zgjidhur çështjen e mungesës aktuale në tregun e punës, duhet që çdo vit në Gjermani të vijnë 400 mijë migrantë, që edhe të qëndrojnë. Ata duhet të jenë njerëz nga të ashtuquajturat vende të treta jashtë Bashkimit Europian. Që prej vitit 2012 forcat akademike kanë pasur mundësi të vijnë në Gjermani nëpërmjet Kartës Blu të BE-së. Përveç kësaj në vitin 2020 hyri në fuqi ligji për migrimin e forcave të specializuara (FEG), që kishte të bënte me profesionet jo-akademike. Por ai nuk pati efektin e shpresuar, dhe kjo jo vetëm sepse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Gjermani shpesh e kanë të vështirë të marrin forca të huaja të specializuara. Në vitin 2020 në Gjermani erdhën nga vendet e tjera 30 mijë forca të specializuara, ndërkohë që nga Gjermania u larguan 20 mijë vetë. Studiuesi i tregut të punës, Brücker, flet për “zhgënjim”.
Qeveria gjermane kërkon të reformojë ligjin dhe të prezantojë në muajin shtator pikat e para të ndryshimeve. Këtu bëjnë pjesë hapja e tregut të punës edhe për forcat e specializuara që kanë një kontratë pune, por nuk kanë diplomë shkolle profesionale në Gjermani. Këtë e bëri të ditur para pak kohe ministrja e Brendshme, Nancy Faeser dhe ministri i Punës, Hubertus Heil. Diploma profesionale mund të merret më vonë edhe me ndihmën e punëdhënësit gjerman./Media Ndërtimi.