Masat që ka marrë Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit nuk kanë ndikuar që të ndalet puna për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. Është një tjetër “virus” që këtë projekt e ka goditur qysh nga dhjetori i vitit të kaluar.
Ministria e Kulturës nuk i ka bërë hesapet mirë sa i përket buxhetit. Hapësira ku ka nisur konkretizimi i një prej projekteve më të mëdha të trashëgimisë kulturore në dy dekadat e fundit, tash e katër muaj ka ngelur kantier i mbyllur ndërtimi.
Aty mund të shihet vetëm rojtari i punishtes. Nga krejt kompleksi, për një vit është ndërtuar vetëm bodrumi dhe një kat i një objekti të vogël. Nuk është kryer një e treta e punës, siç edhe është paraparë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vitin e kaluar del se ka shpenzuar 121 mijë euro për ndërtesën që do të konkretizohet në fshatin Sllatinë të Fushë – Kosovës, në hapësirën e njohur “Te pishat”.
Gurin themeltar më 7 maj të vitit të kaluar MKRS-ja e kishte vënë duke pasur të ndara për këtë projekt 80 mijë euro nga buxheti i konsoliduar e duke llogaritur në 200 mijë të tjera të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Për sivjet, sa i përket projektit që peshon 2.4 milionë euro, MKRS-ja ka paraparë 100 mijë euro nga buxheti i Qeverisë dhe 162 mijë të tjera nga të hyrat e AKP-së. Me këtë ritëm projekti që është llogaritur të përfundojë për tre vjet do të marrë hiç më pak se një dekadë kohë. Sipas kompanisë punëkryese, problem del të jetë planifikimi i buxhetit nga Ministria e Kulturës.
Adem Musa, inxhinier i ndërtimtarisë dhe udhëheqës i projektit nga kompania punëkryse, ka thënë se për vitin e kaluar janë paraparë pak mjete nga ana e MKRS-së. Sipas tij, pritet që punimet të fillojnë pas shfuqizimit të masave të Qeverisë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
“Është e vërtetë se MKRS-ja nuk i ka ndarë mjetet siç ka qenë e paraparë me kontratë, mirëpo, megjithatë punët së shpejti do të vazhdojnë”, ka thënë Musa.
Sipas tij, kohëzgjatja e realizimit të punimeve varet nga financimi. Ai ka thënë se nëse financimi përfundon brenda tri vjetëve, atëherë edhe projekti do të finalizohet në këtë periudhë.
“Është bërë vetëm një pjesë e pagesës se avancës, por jo vlera e paraparë me projekt, ndërsa pagesa të rregullta nuk janë bërë për shkak se nuk ka pasur mjete të parapara”, ka thënë Musa.
E drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vjollca Aliu, ka thënë se në fund të vitit të kaluar është dashur që të bëhej një harmonizim midis projektit arkitekturor dhe atij të statikës. MKRS-ja ka caktuar arkitektet Ardiana Qorraj dhe Merita Augustini-Ndrecaj si mbikëqyrëse të projektit. Në dy raporte ato kanë cekur nevojën për harmonizim të projekteve. Për këtë edhe janë mbajtur dy takime midis punëkryesve, hartuesve të projektit dhe zyrtarëve të MKRS-së.
“Ne e kemi ftuar edhe kompaninë projektuese që të rishikohet ajo pjesë në mënyrë që këtë vit t’i hapet rrugë vazhdimit të projektit. Janë kryesisht gjëra të projektit të statikës që është dashur të harmonizohen me projektin e arkitekturës”, ka thënë Aliu.
Sipas saj, krahas buxhetit që MKRS-ja ka pasur, kompania punëkryese ka qenë në nivel të detyrës./Koha
You must be logged in to post a comment Login