Connect with us

Trashëgimia

Mulliri i Bicajve në Istog, vlerë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mullinjtë e ujit janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës, të ndërtuar kryesisht në vende ku kapaciteti i burimit të ujit nga lumenjtë është më i fuqishëm. Historikisht, mullinjtë e ujit kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekzistencën e popullit dhe furnizimit me miell.

Mullinjtë kanë shërbyer edhe si pikëtakim, ku njerëzit kanë ndërvepruar, janë njohur me njëri-tjetrin dhe kanë shkëmbyer mallra. Kjo për arsye se procesi i bluarjes ka marrë më shumë kohë, sepse kërkesa për bluarje ka qenë më e madhe, dhe njerëzit është dashur të qëndrojnë më gjatë (shpeshherë edhe me ditë të tëra) në mënyrë që të furnizohen me miell.

Një ndër vendet më karakteristike ku gjenden mullinjtë e ujit është fshati Vrellë në Komunën e Istogut. Ky fshat shtrihet në pjesën veri-perëndimore të Kosovës, shtatë kilometra nga Istogu, rrethuar nga bjeshkët dhe me një burim të ujit që plotëson nevojat e fshatit dhe rrethinës.

Një ndër mullinjtë më karakteristikë është mulliri i Bicajve, i ndërtuar në shekullin XIX, ndër më të vjetrit në Istog, i cili vazhdon të jetë në funksion edhe sot e kësaj dite. Ky mulli ka formë katërkëndëshe, është i punuar me teknikën e gurit dhe me ilaç gëlqereje, dhe është i mbuluar me tjegulla tradicionale.

Fillimisht, familja Bicaj kishte ndërtuar dy mullinj, mirëpo pas luftës së fundit në Kosovë 1998 – 1999, njëri nga mullinjtë u dogj nga forcat serbe, ndërsa mulliri tjetër ishte shkatërruar sepse kafshët e kishin përdorur për t’u fshehur dhe strehuar në të.

Pas përfundimit të luftës, pronari thekson se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e bëri meremetimin e mullinjve si nevojë esenciale.

Andaj, familjarët vendosën t’i rregullonin që të dy mullinjtë vetë. Njëri prej tyre është jashtë funksionit dhe ruhet vetëm si kujtim. Ndërsa mulliri tjetër është në funksion.

Pronari Fazli Bicaj tregon se para 20 vitesh kishte më shumë punë, sepse njerëzit ushqeheshin kryesisht me miell të misrit, ndërsa tani miellin e misrit e konsiderojnë më tepër si luks, kjo sepse edhe mënyrat e përgatitjes dhe përbërësit e ushqimit janë pasuruar.

“Nganjëherë bluaj deri në 500 kg blojë, po sot qysh po shihet nuk koka dita jonë me fat”, thotë Fazli Bicaj gjersa pastron gurin e mullirit.

Gjatë diskutimit me z. Bicaj, erdhi një veturë dhe solli një thes me misër që ta bluante. Ata ranë dakord që të vinte ta merrte në mbrëmje. Pronari futi brenda thesin me misër, e peshoi dhe më pas filloi që me një kovë ta vendoste në mushnjakë (kosh). Rregulloi ngrefcin me anë të të cilit vendoste se sa duhej të ishte trashësia e miellit.

Sipas pronarit mund të bluhej miell i trashë dhe i hollë, por që miellin e trashë kryesisht e kanë bluar për “gja” (bagëti).

Kjo ishte një mundësi e artë për ta parë për së afërmi se si zhvillohet procesi i bluarjes së misrit në mulli.

Në pjesën anësore të gurit të mullirit, pronari tërhoqi një dru. Kështu, në këtë vend që ishte i qetë e mund të dëgjoje vetëm rrjedhën e ujit, tani zotëronte një zhurmë që lëshonin çakallet e mullirit. Ky proces i bluarjes vazhdoi pa ndërprerje pothuajse për një orë e gjysmë dhe në përfundim pronari mbushi thesin me miell dhe mbi të vendosi inicialet e personit që i përkiste mielli, në mënyrë që thesi mos të ngatërrohej me atë të dikujt tjetër.

Gjatë kohës që po qëndroja në mulli, shumë fshatarë kalonin aty pari dhe mua m’u dha mundësia që t’i pyesja rreth mullirit. Sipas tyre, brezi i vjetër mullirin e shihte fare ndryshe prej të riut. Për brezin e vjetër, mulliri ngjallte nostalgji: “Pasaniku më i madh është ai që ka mulli… Ke qenë zotni nëse ke pasë mulli”, thoshin ata.

Sot, urbanizmi, teknologjia dhe jeta dinamike, kanë ndikuar që shumë veprimtari të kultivuara brez pas brezi të mbesin nën hijen e së kaluarës, përfshirë këtu edhe mullirin.

Pas disa orëve të kaluara në mulli dhe bashkëbisedimin me shumë fshatarë, personat që kishin sjellë misrin për bluarje erdhën ta merrnin miellin.

Askush tjetër nuk erdhi më pas për të bluar, e Fazli Bicaj arsyetohej duke më thënë: “Po sot osht vikend, njerëzit kanë qejf me pushu… ditëve të javës bijnë ma shumë blojë”.

Teksa fliste, ndjeva brengosjen që kishte për të ardhmen e mullirit. Edhe unë fillova të mendoj për të ardhmen e mullirit, ndonëse isha një ndër të paktët persona nga brezi i ri që ende kishte interes për rolin e mullirit në kulturë dhe shoqëri.

Duke parë rëndësinë historike të mullinjve, është i nevojshëm një kujdes i shtuar për ta, në mënyrë që të ruhet trashëgimia kulturore e vendit.

Ekzistojnë mënyra të ndryshme se si mullinjtë mund të bëhen më joshës për popullatën, duke filluar që nga mbajtja e tyre afër restoranteve, që do të ofronte një përvojë të jetës “ktyneherë”, model ky që mund të ngjasonte me një tip muzeu, duke ruajtur kështu vlerat për të cilat konsiderohet.

Por, një gjë është e sigurt, nëse nuk merren masa tani, mullinjtë rrezikojnë të mbeten në memorien kolektive dhe të harrohen përfundimisht. Vizita në mullirin e familjes Bicaj në fshatin Vrellë ishte një përvojë e paharrueshme, e cila duhet të shërbejë për të reflektuar mbi rëndësinë dhe nevojën që të merren veprime konkrete për t’i mbrojtur mullinjtë e ujit në Kosovë./Media Ndërtimi

https://sbunker.net/teh/91915/mulliri-i-bicajve-vlere-e-trashegimise-kulturore/

Trashëgimia

Hora e Arbëreshëve, një pikëtakim mes shqiptarëve nga të gjitha trevat

Published

on

Piani degli Albanesi, qendra kryesore e arbëreshëve në Siçili, po zbulohet së fundmi si destinacion edhe nga shqiptarët e Kosovës.

Piana degli Albanesi, një qytezë arbëreshe vetëm 35 minuta larg Palermos në Siçili, po zbulohet së fundmi si një destinacion shpirtëror edhe nga shqiptarët e Kosovës. Veli Berisha, 41 vjeç, jeton prej shumë vitesh në Bernë të Zvicrës dhe bashkë me tre miq nga Kosova kanë ardhur në qytezë me një mision të veçantë.

“Për arbëreshët e Italisë më ka folur shumë babai im, por kur erdha këtu për herë të parë dhe kur njoha njerëzit e Pianës, të cilët i kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare për më shumë se 500 vjet, u mahnita,” tha Berisha për BIRN.

Veli Berisha udhëtoi drejt Horës së Arbëreshëve në prill bashkë me Gencin, Ramadanin dhe Adnanin dhe u takua me kryetarin e bashkisë, Rosario Peta. Ata kanë vendosur të financojnë realizimin e një monumenti kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Të frymëzuar nga historia e Horës së Arbëreshëve, Berisha thotë se ka krijuar në Kosovë shoqatën “Hora e Skënderbeut”.

Piana degli Albanesi, e njohur edhe si Hora e Arbëreshëvet, është qendra kryesore e komunitetit arbëresh në Siçili, i vendosur aty në fillim të shekullit XVI. Komuniteti e ka ruajtur prej shekujsh gjuhën dhe zakonet, por fatkeqësisht gjuha sa vjen e po humbet.

“Unë e kam ruajtur gjuhën e nënës sime dhe po të njëjtën gjë bëjnë edhe fëmijët e mi,” thotë Giorgio Cuccia, një nga aktivistët vendas për promovimin e Pianës, edhe jashtë ishullit më të madh në Italinë jugore.

“Në fakt, në Shqipëri njohin më shumë arbëreshët e Kalabrisë dhe drejtuesit e shtetit, vizitat zyrtare i bëjnë atje. Por tani, të gjithë po i kthejnë sytë edhe nga Piana degli Albanesi,” shton me krenari Giorgio.

Një ndeshje futbolli në vitin 2017 u bë shkak – tregon Giorgio – për të rivlerësuar historinë e Horës së Arbëreshëve.  Pasi tifozët shqiptarë dhe ata të Pianës i bashkuan brohorimat në stadiumin e Palermos, futbollistët shqiptarë dhe drejtuesit e FSHF-së bënë një vizitë emocionuese në qytezë.

Ndërkohë, pak ditë më parë, nga Shqipëria, Kosova dhe Italia kanë festuar së bashku suksesin e arritur nga skuadra lokale e arbëreshëve “San Giorgio Piana” dhe presidenti i saj, Evis Troka, një sipërmarrës nga Kuçova, i cili jeton dhe punon prej më shumë se 20 vitesh në Piana.

“Ky ishte një sukses që do t’i shërbejë edhe më shumë vëmendjes ndaj qytezës sonë,” thotë Cuccia, i cili tregon më tej se të martën e ardhshme në kalendarin e veprimtarive tradicionale janë ftuar katër këngëtarë të njohur nga Durrësi dhe Tirana, të cilët me siguri do t’i mbledhin të gjithë banorët e Pianës në shesh.

Continue Reading

Trashëgimia

Komisioni Evropian shpall shtatë vende të reja që marrin Etiketën e Trashëgimisë Evropiane

Published

on

Në një festë të trashëgimisë kulturore të pasur dhe të larmishme të Evropës, Komisioni Evropian ka shpallur vendet fituese të Etiketës së Trashëgimisë Evropiane për vitin 2023. Me marrjen e kësaj etikete, 7 vende historike nga i gjithë kontinenti janë njohur për rolin e tyre të rëndësishëm në historinë dhe kulturën e Evropa dhe zhvillimi i Bashkimit Evropian.

Faqet fituese janë:

Cisterscapes – Peisazhet cisterciane që lidhin Evropën (Austri, Çeki, Gjermani, Poloni, Slloveni)

Manastiri i San Jerónimo de Yuste, Cuacos de Yuste (Spanjë)

Zoti ynë në muzeun e papafingo (Holandë)

Teatri Mbretëror Toone (Belgjikë)

Kalevala (Finlandë)

Romanian Athenaeum (Rumani)

Sant’Anna di Stazzema (Itali)

Etiketa e Trashëgimisë Evropiane u krijua nga BE në 2011 për të promovuar ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit mes evropianëve. Ai thekson vendet që kanë luajtur një rol kryesor në formësimin e historisë së përbashkët të kontinentit tonë. Etiketa u dha për herë të parë në vitin 2013. Përzgjedhja e këtij viti e çon numrin total të vendeve me etiketë në të gjithë Evropën në 67.

Llojet e vendeve të pranueshme përfshijnë:

monumentet

zona natyrore, nënujore, arkeologjike, industriale ose urbane

peizazhet kulturore

vendet e kujtimit

mallrave kulturore

objektet

trashëgimi jomateriale e lidhur me një vend, duke përfshirë trashëgiminë bashkëkohore

Çdo vend pjesëmarrës i BE-së mund të propozojë deri në dy vende për të marrë etiketën, e cila jepet çdo dy vjet. Një panel evropian i ekspertëve të pavarur zgjedh një vend për çdo vend pjesëmarrës. Bazuar në këtë rekomandim, Komisioni Evropian cakton vendet që do të fitohen me etiketën. 7 lokacionet e këtij viti u zgjodhën nga 16 vende kandidate./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trashëgimia

Shumica e grave në Maqedoninë e Veriut heqin dorë nga trashëgimia e pronës

Published

on

Statistikat në Maqedoninë e Veriut tregojnë se gratë në shumicën e rasteve heqin dorë nga trashëgimia e pronave familjare, vetëm për të mos prishur raportet me vëllezërit e tyre.

Të dhënat e regjistrit të Kadastrës tregojnë se as çereku i pronave të paluajtshme nuk janë në emër të grave.

Njëra nga gratë që ka hequr dorë nga prona e prindërve është edhe Emine B, për shkak të, siç thotë ajo “të mos më mbyllet dera e shtëpisë së babait” në të cilën tani jeton i vëllai, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Sapo kam hapur bisedën e trashëgimisë u ndie një frymë e ftohtë, një situatë e tensionuar. E dini i është te familjet shqiptare dhe pas kësaj, nga frika se më mbyllet dera e shtëpisë së babait, tani e vëllait, nuk e kam hapur kurrë bisedën e trashëgimisë”, thotë ajo.

Edhe Lidija Andovska nga Shkupi nuk ka arritur të trashëgojë një pjesë të konsiderueshme të pronës familjare, pasi kështu kishin vendosur prindërit e saj.

“Djali konsiderohej si shtyllë e familjes dhe ai duhej të trashëgonte pronën për të prezantuar forcën, por edhe besueshmërinë e familjes. Personalisht kjo më ka kushtuar shumë, pasi në mungesë të kapitalit fillestar, për dallim nga vëllai im, unë e kam pasur shumë më të vështirë që të ndërtoj biznesin tim si floktare”, thotë ajo.

Në Ligjin për trashëgiminë, gratë dhe burrat trajtohen në mënyrë të barabartë. Sipas ligjit, personat që mund të paraqiten si trashëgues janë: të gjithë pasardhësit e personit të ndjerë që ka lënë prona pas vete, i adoptuari dhe pasardhësit e tij, bashkëshorti ose bashkëshortja, prindërit ë tij, vëllezërit dhe motra dhe pasardhësit e tyre, si dhe gjyshi dhe gjyshja dhe pasardhësit e tyre./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending