Krahas problemeve të theksuara me menaxhim të mbeturinave, ndotje të lumenjve, hapësirave të gjelbra e pyjeve, Kosova vazhdon të ketë problem edhe ndotjen e ajrit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Prishtina dhe Obiliqi janë dy vendbanimet që zakonisht e kanë ajrin më të ndotur në Kosovë, shkruan Kallxo.com.
Ndotës të madh të ajrit janë edhe veturat. Sidomos veturat e vjetra.
Në Kosovë për shembull, në vitin 2018 kishte 24 mijë e 202 vetura të tipit ‘Golf 2’, që për herë të parë ka dal në qarkullim në vitin e largët, 1984.
Kjo shifër përbënte 10% të veturave totale të regjistruara në Kosovë. Kjo shifër në vitin 2019 ishte përgjysmuar, duke rënë në 12 mijë e 952 vetura të tilla.
Taksa ekologjike duhet të përkthehet në investime në mjedis
Që nga viti 2012, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve.
Secili automjet që regjistrohet në Kosovë, detyrohet të paguajë një taksë ekologjike, që sipas Ligjit, automjetet nën 3.5 ton duhet të paguajnë 10 euro, ndërsa ato mbi 3.5 ton paguajnë 30 euro.
Nga taksa janë të liruar traktorët dhe mjetet e lehta bujqësore.
Pse veturat janë të dëmshme për ambientin? Veturat konsiderohen ndotësit më të mëdhenj të ajrit në një vend urban.
Sipas, Kallxo.com, tymi që lëshohet nga veturat e që më pas përfundon në ajër, përmban materie grimcore të rrezikshme për shëndetin. Por përveç tymit, veturat janë të dëmshme për ambientin dhe shëndetin e njeriut edhe në një tjetër aspekt. Përmes katalizatorëve apo siç njihet ndryshe konvertuesi katalitik.
Katalizatori në veturë shërben për të pastruar gazrat e shkarkimit dhe rrjedhimisht për të reduktuar emetimet e dëmshme në mjedis. Zakonisht një katalizator ka afat të përdorimit në një veturë rreth 4 deri në 5 vjet.
Katalizatori, në vetvete përmban disa metale të çmueshme dhe kjo shtyn njerëzit që të bëjnë grumbullimin e tyre, për të marrë metalet e çmueshme. Pjesën tjetër të katalizatorit e hedhin në mënyrë të pakontrolluar.
Katalizatorët kanë përmbajtje kimike të përafërt me atë azbestit, e për këtë arsye konsiderohen si një rrezik i madh për njerëzit, kafshët dhe mjedisin në përgjithësi.
Agjensia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në Raportin për menaxhimin e mbeturinave komunale për vitin 2020, thotë se komunat në Kosovë nuk kanë qenë në gjendje që të ofrojnë të dhëna cilësore lidhur me aktivitetin e riciklimit të mbeturinave.
“Gjatë përpunimit të të dhënave të raporteve kemi parë se nuk mundemi me ofru ndonjë shifër të përafërt të sasisë së mbeturinave që riciklohen nëpër komuna”, thuhet në Raport./Media Ndërtimi.