Shkeljet u kontatuan, mexha u caktua kundërligjshëm, Agjencia Kadastrale dhe Komuna e Prishtinës refuzojnë të deklarohen.
Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) dhe Komuna e Prishtinës kanë refuzuar të japin informacion nëse është rishqyrtuar ose anuluar lënda e caktimit të kufirit mes parcelës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrishtë, ku ishin konstatuar shkelje.
Sipas një raporti të siguruar nga burimet, AKK-ja më 29.10.2021 ka konstatuar se Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës kishte aprovuar dhe ekzekutuar lëndën e caktimit të kufirit, pa autorizim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si palë në kontest dhe për këtë shkak i kishte kërkuar kësaj drejtorie ndërmarrjen e masave të nevojshme për evitimin e të gjeturave.
Agjencia Kadastrale e Kosovës ndonëse është autoriteti qendror për të dhënat kadastrale dhe për monitorimin e zbatimit të vendimeve të Zyrave Komunale Kadastrale, nuk ka ofruar transparencë e as qasje në dokumente publike sa i përket zbatimit të ligjshmërisë rreth kërkesës së saj, as dy javë pas parashtrimit të pyetjeve.
“Është e vërtetë se AKK ka udhëzuar Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prishtinës të bëjë rishqyrtimin e lëndës me numër 011-940/01-0218663/20 datë 11.01.2021 rreth përcaktimit të kufijve të parcelave të NPB dhe AKP-së nê Lakrishtë dhe t’i ndërmerr masat e nevojshme për evitimin e të gjeturave të saja, ndërsa se a është anuluar vendimi, kjo pyetje duhet të i drejtohet ZKK Prishtinë, pasi që kemi të bëjmë me vendim të tyre”, thuhet në përgjigjen e AKK-së që udhëheqet nga Zv. drejtoresha e përgjithshme, Afërdita Thaçi.
Lidhur me këtë çështje nuk ka kthyer përgjigje as Komuna e Prishtinës e drejtuar nga ish-kryetari Shpend A. Ahmeti e as Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër udhëhequr nga ish-drejtoresha Valbona Osmani-Mehmetaj ndonëse kërkesa ishte parashtruar para një muaji, më datën 04 tetor 2021.
Më 12.10.2021, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, pas sinjalizimit të banorëve se në këtë proces kishte pasur parregullsi, i kishte kërkuar AKK-së që ta njoftonte se a është e rregullt ligjërisht procedura e rregullimit të kufirit (azhurnimit) të pronës në parcelat 7493-3 dhe 7495-2, ku njëra nga to është nën menaxhim të AKP-së dhe tjetra të NPB-së.
Ministri në kërkesën e parashtruar ndaj AKK-së kishte kërkuar që në rast se vërtetohen shkeljet e pretenduara të merren masat e parapara me ligj.
Shkeljet ishin vërtetuar pasi AKP-ja nuk i kishte dhënë pëlqim NPB-së.
Por, dy muaj pas Agjencia Kadastrale e Kosovës që vepron si Agjenci Ekzekutive në kuadër të Qeverisë, gjegjësisht të Ministrisë së Mjedisit është mbyllur për publikun rreth kësaj çështjeje.
Sipas ligjit për kadastër, Agjencia Kadastrale e Kosovës është autoriteti vendimtar i cili bën ekzekutimin e vendimeve nëse një gjë e tillë nuk bëhet nga Zyra Komunale Kadastrale.
Kujtojmë se përkundër shkeljeve rreth përcaktimtit këtij kufiri dhe një varg shkejesh tjera në proces, Komuna e Prishtinës ia kishte lëshuar lejet Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë për ndërtimin e projektit të dyshimtë 120 milionësh afaristo-banesor në Lakrishtë, që çoi në skandalin mjedisor të shkatërrimit të azbestit, i cili u konstatua nga laboratori gjerman se përban rrezikshmëri kancerogjene të shkallës së tretë nga gjithsejt 5 kategoritë e rrezikshmërisë.
(Artikulli është shkruar nga gazetari i mediumit publik të Kosovës, Arsim Halili)/Media Ndërtimi.