Për këtë arsye, sipas autoriteteve kompetente dhe përfaqësueseve të punëtorëve, shqetësim kryesor vazhdon të mbetet gjendja e sigurisë dhe mbrojtja e shëndetit të punëtorëve në vendin e punës, pastaj zbatimi kontratave, por edhe numri i madh i punëtorëve që nuk kanë fare një kontratë pune.
Sipas të dhënave zyrtare, si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë në punë dhe mungesës së masave mbrojtëse, gjatë vitit 2019, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 11 punëtorë. Kurse në vitin 2018, në vendin e tyre të punës humbën jetën 22 punëtorë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e punësimit për tremujorin e tretë të vitit të kaluar, ka qenë 31.6 për qind.
Nga kjo përqindje, sipas anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së, rezulton se rreth 49 për qind të të punësuarve kanë kontrata të përhershme, ndërkaq 51 për qind, kontrata të përkohshme.
Autoritetet inspektuese nuk japin ndonjë përqindje të punëtorëve pa kontrata të punës, por konfirmojnë se gjatë vitit të kaluar kanë legalizuar 1,800 punëtorë.
Duke u nisur nga parregullsitë e raportuara dhe shkelja e të drejtave të punëtorëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se qeveria e re të cilën ai e drejton, do të vihet në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve. Për arritjen e këtij qëllimi, ai ka premtuar se do të rrisë numrin e inspektorëve.
Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës veprojnë 42 inspektorë të punës, të cilët funksionojnë në kuadër të Inspektoratit të Punës. E në rast se Kurti e përmbushë premtimin e tij, në të ardhmen do të ketë 400 inspektorë të punës që do të përkujdesen për zbatimin e Ligjit të punës.
Ushtruesi i detyrës i kryeinspektorit të këtij institucioni, Valon Leci, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se vazhdimisht i kanë paraqitur shqetësimet për numrin e vogël të inspektorëve.
Ai thotë me rritjen e numrit të inspektorëve, do të ishte më e lehtë të mbikëqyret zbatimi i Ligjit të punës, i cili parasheh trajtim të njëjtë si për punëtorët në sektorin publik, ashtu edhe atë privat.
“Ne do të zbatojmë çdo vendim të qeverisë dhe jemi të inkurajuar si Inspektorat i Punës për nivelin në të cilin është ngritur debati mbi këtë çështje, pra në nivel të kryeministrit. Kjo është inkurajuese dhe shpresoj që çështja e numrit të vogël të inspektorëve t’i takojë historisë”, tha Leci.
Të plotë mund ta lexoni në REL
You must be logged in to post a comment Login