Connect with us

Ambienti

Mbrojtja e mjedisit nuk ka qenë prioritet i asnjërës prej qeverive

Published

on

“Mbrojtja e mjedisit nuk ka qenë prioritet i asnjërës prej qeverive dhe ka shumë sfida e ngecje serioze në secilën fushë”. Kjo ishte njëra ndër gjetjet e raportit “Shkatërrimi ekologjik”, i hartuar nga grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit, “Koalicioni 27”.

Nën moton “Koha të veprojmë!” ky raport tregon gjendjen e mjedisit në Kosovë me 5 tema kryesore: ndotja e ujit, ndotja e ajrit, mbrojtja e natyrës, pylltaria dhe ndryshimet klimatike.

Gjatë prezantimit të raportit, Krenare Salihu tha se ndër problemet kryesore me mjedisin në Kosovë është moszbatimi i ligjeve të caktuara për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, mungesa e kuadrit dhe stafit si dhe mungesa e investimeve në këtë fushë, raporton Kallxo.com.

Raporti thotë Kosova ka mungesë të ujit në periudha të caktuara dhe problemet kryesore me ndotjen e ujit janë eksploatimi i pakontrolluar i zhavorrit nga shtretërit e lumenjve dhe ndotja e lumenjve nga ujërat e zeza dhe mbeturinat.

“Problem tjetër është fakti se vitet e fundit është shkelur Ligji për ujërat në rastet e ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë” – thuhet në raport.

Miratimi i Ligjit të ri për ujërat në përputhje me acquis të BE-së, zhvillimi dhe zbatimi i planeve menaxhuese të pellgjeve lumore, monitorimi i ndërtimeve të hidrocentraleve janë disa prej rekomandimeve në raport.

Referuar raportit, niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë ndonjëherë mund të krahasohet edhe me qytetet si Mumbai e Pekini.

Ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë në raport thuhet të jenë KEK-u, transporti rrugor, djegia e drurit dhe thëngjillit, industria, bujqësia dhe mbeturinat.

Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, ata rekomanduan miratimin e Strategjisë së re të Energjisë, instalimin e filtrave të ajrit në termocentrale, promovimin e transportit publik dhe detyrimin e ndotësve që të paguajnë.A

ta konsideruan se biodiversiteti në Kosovë gjendet në rrezik dhe ata që ndikojnë më shumë në këtë janë prerja e pyjeve, humbja dhe degradimi i habitateve, zjarret dhe luftimi i tyre, gjuetia ilegale dhe peshkimi, aplikimi i kimikateve të ndryshme në bujqësi, etj.

Ata rekomanduan aprovimin e Planit Hapësinor dhe formimin e Planit Menaxhues për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, rritja e buxhetit për investime kapitale, parandalimin e gjuetisë së jashtëligjshme dhe prerjen e pyjeve, etj.

Sipas inventarizimit të fundit, 44.7% e sipërfaqes së Kosovës është pyjore, më së shumti në rajon.

Ndër të tjera, ata përmendën nivelin e ulët të bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve përgjegjëse, si MBPZHR, MMPHI dhe komunave si problem kryesor.

Sipas raportit shkaktar kryesor i emetimeve të gazrave serë në Kosovë është sektori i energjisë, që ndikon direkt në ndryshimin klimatik. Fitore Pacolli tha se këtë raport do ta analizojnë si komision dhe do të shohin, se çfarë do të mund të ndërmarrin ata.Ajo tha se komisioni të cilin ajo udhëheq, ka qenë ndër komisionet më të angazhuar, duke përmendur disa nga punët që kanë bërë./Media Ndërtimi.

Ambienti

Konventa e Bernës do të monitorojë projektin e Skavicës për shkelje të mundshme, shpresë për lumin e Drinit të Zi dhe speciet e rrezikuara

Published

on

Konventa e Bernës*, në mbledhjen e saj të prillit ka vendosur të monitorojë HEC-in e Skavicës dhe të kërkojë nga qeveria Shqiptare t’i përgjigjet shqetësimeve të përbashkëta të mëposhtme:

– HEC-i i Skavicës në lumin Drini i Zi mund të prekë një zonë të mundshme të Rrjetit Emerald dhe gjithashtu specie të shumta të mbrojtura në Konventën e Bernës, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në ligj, shkruan Monitor.al

– Shqetësim i veçantë është për Rrëqebullin e Ballkanit të rrezikuar në mënyrë kritike dhe korridoret e tij migratore. Konventa e Bernës ka theksuar se projekti i HEC-it të Skavicës bie ndesh me Projektin e Rimëkëmbjes së Rrëqebullit, në të cilin Shqipëria ishte propozuesi kryesor për renditjen e rrëqebullit të Ballkanit si një specie rreptësisht e mbrojtur.

– Byroja e Konventës së Bërnës theksoi gjithashtu se projekti mund të prekë tre liqene të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë liqenet e Ohrit dhe të Shkodrës.

– Një çështje që kërkon monitorim të ngushtë është përpilimi i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social për HEC-in e Skavicës që është ende i pa finalizuar,

– Së fundi, Byroja vuri në dukje mbrojtjen e kafshëve mishngrënësve të mëdhenj, të cilët gjithashtu preken nga HEC-i i Skavicës.

Konventa e Bernës i ka kërkuar Shqipërisë të zbatojë parimin e parandalimit gjatë fazës së parë aktuale të projektit. Kjo do të thotë të mos zhvillohen projekte që mund të ndikojnë negativisht në habitatet dhe speciet e Shqipërisë dhe të territorit të Konventës së Bernës.

Continue Reading

Ambienti

Sheffield, qyteti me më shumë pemë në Europë

Published

on

Qyteti anglez, Sheffield, i cili dikur njihej më së shumti për çelikun, prandaj edhe është mbiquajtur “qyteti i çelikut”, sot në vend të industrisë “ushqen” gjelbërim.

Qyteti me nëntë herë më shumë pemë se njerëzit ka pak më shumë se gjysmë milioni banorë të cilët janë dakord se natyra duhet të ushqehet.

Qyteti ndodhet në bashkimin e pesë burimeve ujore, lumit Don dhe katër degëve të tij: Sheaf, Rivelin, Loxley dhe Porter Brook, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në evolucionin e Sheffield. Uji i vrullshëm nxiste rrotat e ujit dhe qindra mullinj që nga shekulli i 12-të.

Por fakti që Qyteti i Çelikut është sot kampioni britanik në gjelbërimin urban konfirmon se vetëm ndryshimi është konstant. Besoni apo jo, më shumë se gjashtëdhjetë për qind e zonës është e mbuluar me parqe, pyje dhe kopshte, duke përfshirë një të tretën e Parkut Kombëtar të Distriktit Peak. Autoritetet e qytetit janë të vendosur të ruajnë natyrën dhe plani i tyre është që qyteti të reduktojë emetimet e karbonit në zero deri në vitin 2025.

Sot, me rreth 4.5 milionë pemë që rriten në të gjithë qytetin, Sheffield ka më shumë pemë për person se çdo qytet tjetër në Europë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Nxehtësia ekstreme në Ballkanin Perëndimor është përkeqësuar

Published

on

Banka Botërore e Kosovës ka njoftuar se nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të nxehtit pritet të rriten edhe më shumë në pak dekada në vijim.

Në njoftim thuhet se për shembull, Tirana, Shkodra, Vlora, Mostari, Sarajeva dhe Shkupi janë deri në 4.5-7.5°C më të nxehtë në verë krahasuar me rrethinat e tyre rurale. Po ashtu, shumë qytete në rajon tejkalojnë nivelet e sigurta të grimcave PM2.5 dhe janë ndër më të ndoturit në Evropë.

“Raporti rekomandon veprim në tre fronte kryesore për t’i bërë qytetet në rajon më të gjelbër. Së pari, të zvogëlohet shtrirja urbane dhe qytetet të bëhen më kompakte. Kjo mund të bëhet nëpërmjet investimeve për rigjenerimin e zonave urbane për të rritur dendësinë, inkurajimin e përdorimit të përzier të tokës në zonat kryesore dhe rizhvillimin e hapësirave tashmë të përdorura”, thuhet në njoftim.

“Së dyti, qytetet duhet të ulin emetimet e tyre. Fokusi duhet të jetë në sektorët kryesorë duke përfshirë transportin, ndërtesat dhe menaxhimin e mbetjeve. Së treti, qytetet duhet të ndërmarrin veprime për të zvogëluar nxehtësinë ekstreme urbane dhe për të rritur gatishmërinë për të”, thuhet tutje në njoftim.

Masat, të tilla si çatitë e gjelbra, parqet dhe kopshtet urbane, dhe ligatinat e ndërtuara, duhet të promovohen duke pasur parasysh kostot e tyre të ulëta të zbatimit dhe përfitimet e larta mjedisore dhe sociale./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending