“Mbrojtja e mjedisit nuk ka qenë prioritet i asnjërës prej qeverive dhe ka shumë sfida e ngecje serioze në secilën fushë”. Kjo ishte njëra ndër gjetjet e raportit “Shkatërrimi ekologjik”, i hartuar nga grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit, “Koalicioni 27”.
Nën moton “Koha të veprojmë!” ky raport tregon gjendjen e mjedisit në Kosovë me 5 tema kryesore: ndotja e ujit, ndotja e ajrit, mbrojtja e natyrës, pylltaria dhe ndryshimet klimatike.
Gjatë prezantimit të raportit, Krenare Salihu tha se ndër problemet kryesore me mjedisin në Kosovë është moszbatimi i ligjeve të caktuara për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, mungesa e kuadrit dhe stafit si dhe mungesa e investimeve në këtë fushë, raporton Kallxo.com.
Raporti thotë Kosova ka mungesë të ujit në periudha të caktuara dhe problemet kryesore me ndotjen e ujit janë eksploatimi i pakontrolluar i zhavorrit nga shtretërit e lumenjve dhe ndotja e lumenjve nga ujërat e zeza dhe mbeturinat.
“Problem tjetër është fakti se vitet e fundit është shkelur Ligji për ujërat në rastet e ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë” – thuhet në raport.
Miratimi i Ligjit të ri për ujërat në përputhje me acquis të BE-së, zhvillimi dhe zbatimi i planeve menaxhuese të pellgjeve lumore, monitorimi i ndërtimeve të hidrocentraleve janë disa prej rekomandimeve në raport.
Referuar raportit, niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë ndonjëherë mund të krahasohet edhe me qytetet si Mumbai e Pekini.
Ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë në raport thuhet të jenë KEK-u, transporti rrugor, djegia e drurit dhe thëngjillit, industria, bujqësia dhe mbeturinat.
Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, ata rekomanduan miratimin e Strategjisë së re të Energjisë, instalimin e filtrave të ajrit në termocentrale, promovimin e transportit publik dhe detyrimin e ndotësve që të paguajnë.A
ta konsideruan se biodiversiteti në Kosovë gjendet në rrezik dhe ata që ndikojnë më shumë në këtë janë prerja e pyjeve, humbja dhe degradimi i habitateve, zjarret dhe luftimi i tyre, gjuetia ilegale dhe peshkimi, aplikimi i kimikateve të ndryshme në bujqësi, etj.
Ata rekomanduan aprovimin e Planit Hapësinor dhe formimin e Planit Menaxhues për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, rritja e buxhetit për investime kapitale, parandalimin e gjuetisë së jashtëligjshme dhe prerjen e pyjeve, etj.
Sipas inventarizimit të fundit, 44.7% e sipërfaqes së Kosovës është pyjore, më së shumti në rajon.
Ndër të tjera, ata përmendën nivelin e ulët të bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve përgjegjëse, si MBPZHR, MMPHI dhe komunave si problem kryesor.
Sipas raportit shkaktar kryesor i emetimeve të gazrave serë në Kosovë është sektori i energjisë, që ndikon direkt në ndryshimin klimatik. Fitore Pacolli tha se këtë raport do ta analizojnë si komision dhe do të shohin, se çfarë do të mund të ndërmarrin ata.Ajo tha se komisioni të cilin ajo udhëheq, ka qenë ndër komisionet më të angazhuar, duke përmendur disa nga punët që kanë bërë./Media Ndërtimi.