Zgjedhjet Lokale po afrohen, ndërsa gara për të parin e kryeqytetit si rrallë herë ka filluar të nisë shumë më herët në distancë.
Katër kandidatë tashmë e kanë ndarë mendjen për t’u përballur në maratonën për të qeverisur Prishtinën, pas 17 tetorit.
Përparim Rama nga LDK, Daut Haradinaj AAK, Selim Pacolli AKR dhe së fundit Uran Ismajli i PDK-së, zyrtarisht kanë shpallur kandidaturën për të menaxhuar qytetin që në vazhdimësi është ballafaquar me kaosin urban nga turbo-ndërtimet.
Problemet infrastrukturore dhe menaxhimi i dobët nga kryetarët e deritashëm janë disa prej motiveve që kanë kandidatë për të qenë pjesë e garës.
Më 19 mars, Daut Haradinaj ishte konfirmuar nga AAK-ja se do të kandidojë për kryetar të Komunës me popullsinë më të madhe të vendit.
“Me këtë Aleanca e konfirmon respektin për kryeqytetin, të cilin e bëri me ligj, ia ktheu Pallatin e Rinisë, e përkrahu me buxhet e projekte të shumta zhvillimore. Aleanca konfirmon po ashtu, respektin për qytetarin dhe qeverisjen komunale, si dhe vendosmërinë për të fituar.”, është thënë në njoftimin e AAK-së.
Në fund të muajit maj, arkitekti Përparim Rama “befasoi” duke u renditur në krah të LDK-së për t’u zyrtarizuar në këtë përballje elektorale.
“Tani ka ardhë koha që ecjen e tij nëpër botë ta ndërpresim; e këtë bagazh të madh të tij ta kthejmë në qytetin e tij e tonin – në Prishtinë. Ky vend bëhet mirë kur më të mirët japin veten. Përparimi është i tillë.”, ishte ky vlerësimi në superlativ, i Lumir Abdixhikut, kryetarit të LDK-së.
Vetëm pas dy dite vargut për të parin e kryeqytetit iu bashku nga radhët e AKR-së, Selim Pacolli.
“Selimi e ka dëshmuar veten si një menaxher i aftë dhe vizionar që mund të adresojë sfidat e Prishtinës, të angazhohet me qytetarët dhe të sjellë zgjidhje për problemet dhe sfidat me të cilat përballet Prishtina”, ka deklaruar kryetari i AKR’së, Behxhet Pacolli.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje, e cila qeverisë Kosovën, ende nuk e ka zyrtarizuar kandidatin me të cilin pretendon ta fitoj garën në Prishtinë.
Jozyrtarisht po lakohen emrat e dy ministrave aktual të Qeverisë Kurti II, Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë dhe Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës se do të jenë njëri nga ta që do të përballen me kandidatët zyrtarë të kësaj gare.
Plani Zhvillimor Komunal, krijimi i Hartës Zonale, rregullimi i infrastrukturës rrugore dhe një varg çështjesh që rëndojnë jetën e banorëve i kanë trimëruar kandidatët që të futen në garë serioze për ta menaxhuar Prishtinën./Media Ndërtimi.