Eksportet e Kosovës në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian (BE) në dhjetor të vitit të kaluar arritën vlerën 18,7 milionë euro, ose rreth 28,6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 2,1 për qind.
Gjermania me pjesëmarrje 10 për qind prin në eksportin e Kosovës, më pas renditet Italia me 4,2 për qind, Holanda 2,1 për qind etj.
Në anën tjetër, nga vendet e BE-së Kosova importoi mallra në vlerë rreth 225,3 milionë euro, ose 47,0 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17,5 për qind, raporton Kallxo.com
Edhe tek importi Gjermania regjistron pjesëmarrjen më të lartë me 14,8 për qind, pastaj Greqia 5,6 për qind, Italia 4,3 për qind etj.
Ndryshe, të dhënat për tregtinë e jashtme të përgjithshme të Kosovës për muajin dhjetor të vitit 2023 tregojnë se u importuan mallra në vlerë 543.1 milionë euro, që paraqet një rritje 4.1 për qind për import ndërsa u eksportuan mallra në vlerë 65.4 milionë euro që është një rënie 9.3 për qind për eksport, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2022.Statistikat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se deficiti tregtar është më i lartë për 6,3 për qind në muajin dhjetor të vitit të 2023 në krahasim me muajin dhjetor të vitit paraprak, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milionë euro krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë.
Kosova shiti mallra kryesisht metale bazë e artikuj prej tyre, artikuj nga plastika e goma, produkte ushqimore dhe të tjera.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18,5% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,8% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.” – thuhet në komunikatë.
Në anën tjetër, në importin e mallrave 13,6 për qind e përbëjnë produktet minerale, 13,1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,1 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 11,5 për qind e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, 8,8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj./Media Ndërtimi