Lirimi i mureve të amfiteatrit nga banesat që ndodhen mbi galeritë e tij mbetet peng i betejës ligjore të pronarëve të prekur nga shpronësimet për kompensim të drejtë financiar nga qeveria.
Tre vjet pas nënshkrimit të memorandumit që synon menaxhimin e integruar të zonës arkeologjike A të qytetit të Durrësit, amfiteatri antik ka të njejtën pamje me ditën kur u zhvillua ceremonia tripalëshe.
Një nga pikat e këtij dokumenti të firmosur nga titullarët e Ministrisë së Kulturës dhe bashkisë së Durrësit, si dhe nga drejtuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim parashikonte edhe “strehimin post-tërmet të familjeve në zonën arkeologjike”.
Kjo pikë është kundërshtuar nga pronarët e shtëpive të ndërtuara mbi amfiteatrin antik.
“Ekspertizat e Institutit të Ndërtimit, që i konsideronin të dëmtuara godinat e pjesës lindore të amfiteatrit u kundërshtuan nga familjarët, të cilët provuan të kundërtën, atë të gjendjes normale të banesave edhe pas goditjes sizmike”, tha për BIRN Eugen Simaku, një nga banorët e zonës.
Bashkia u tërhoq nga synimi i saj për ti sistemuar familjet në banesat e reja në lagjen Spitallë, 5 kilometra larg qendrës së qytetit.Athanas Simaku, një nga pinjollët e familjes që jeton në banesën e përbashkët të të parëve që e blenë atë nga fundi i viteve 1940, shpjegoi se ai dhe të afërmit e tij bëjnë pjesë në grupin e parë të banorëve, që pas vendimit për kompensim financiar duhet të largohen nga shtëpia.
Pasardhësit e katër vëllezërve dhe dy motrave të familjes Simaku pretendojnë në rrugë gjyqësore, të kenë në këtë territor, një sipërfaqe banese të paktën dy herë më të madhe, se sa ajo e paraqitur në vendimin e qeverisë për kompensimin e familjeve.
“Pas zbulimit të amfiteatrit deri në vitin 1990 prindërit tanë brenda truallit-pronë fillestare kanë ndërtuar shtesa, dhe nuk i kanë kushtuar rëndësi letrave, e për pasojë ndërtimet e reja kanë mbetur të palegalizuara e të pahedhura në hartat përkatëse”, shprehet për BIRN Flutura Kona, avokate e familjes Simaku.
“Do të jetë një proces i vështirë dhe i gjatë, dhe ne po grumbullojmë të gjithë dokumentet e mundshme, përfshirë edhe fotot e para viteve 1990”, shtoi ajo.
Procesi gjyqësor, sipas Konës, do të jetë i gjatë edhe për shkak të numrit të kufizuar të gjyqtarëve në Gjykatën e Durrësit./Media Ndërtimi