Markat e njohura të industrisë së modës si “Zara” dhe “H&M” shesin veshje të prodhuara nga pambuku i punishteve të Brazilit. Ky prodhim lidhet me shpyllëzimin dhe grabitjen e tokave, sipas një hulumtimi të ri.
Përpara se të mbërrijnë në vitrinat e gjigantëve të modës si Zara dhe H&M, pantallonat e pambukta, këmishat dhe çorapet lënë pas në Brazil gjurmë shpyllëzimi, grabitje tokash dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Edhe pse shumë prej tyre mbajnë etiketën e një produkti të qëndrueshëm, një hetim njëvjeçar i shoqatës “Earthsight” në Mbretërinë e Bashkuar, ka hulumtuar në mënyrë të detajuar lidhjen ndërmjet të korrave në Brazil, prodhuesi i katërt më i madh në botë i pambukut, dhe markave europiane. “Earthsight” analizoi pamje satelitore, bilance transporti, arkiva publike dhe vizitoi rajonit e prodhimit, në mënyrë që të vërtetojë “zgrapjen” e 816 mijë tonëve pambuk.
Sipas raportit, lënda e parë prodhohej specifikisht për tetë kompani aziatike të cilat, në periudhën 2014-2023, prodhuan rreth 250 milionë artikuj pakice. Sipas hetimit, shumica e tyre furnizoi kryesisht kompanitë e veshjeve “Zara” dhe “H&M”.
“Është tronditëse të shohësh lidhjen mes këtyre markave të njohura botërore, që dukshëm nuk përpiqen të kontrollojnë zinxhirët furnizues, në mënyrë që të dinë se nga vjen ky pambuk dhe çfarë ndikimi shkakton” – thotë për DW drejtuesi i kërkimeve mbi shpyllëzimin në “Earthsight”, Rubens Carvalho.
Problemi qëndron që tek burimi: pambuku për eksport kultivohet kryesisht në pjesën perëndimore të shtetit Bahia, rajon i shtrirë në savanën tropikale dhe me një biodiversitet të jashtëzakonshëm, të quajtur Cerrado.
Bimësia në Cerrado shpesh shkatërrohet në mënyrë të paligjshme, për të krijuar hapësirë për të korrat dhe kultivimin. Sipas Institutit Kombëtar për Kërkime Hapësinore në Brazil, shpyllëzimi atje është dyfishuar në pesë vitet e fundit,
Shpyllëzim dhe grabitje tokash
Mes rasteve të hetuara në raport është dhe raporti mbi grupin “SLC Agricola”, i cili pretendohet të jetë përgjegjës për 11% të pambukut të eksportuar të Brazilit. “Earthsight” ka arritur në përfundimin se në 12 vitet e fundit, toka e Cerrados, sipërfaqja e së cilës është e barazvlefshme me 40 mijë fusha futbolli, është shkatërruar nga fabrikat e “SLC”.
Sipas qendrës kërkimore “Chain Reaction Research”, në vitin 2020, “SLC” e cila kultivon edhe sojë, u shpall shpyllëzuesi më i madh i këtij habitati.
Në vitin 2021, “SLC” u angazhua për të pasur një politikë kundër shpyllëzimit. Një vit më vonë, raporti i publikuar nga shoqata konsulente “Aidenvironment” zbuloi se 1365 hektarë të Cerrados ishin rrafshuar brenda tokave ku kultivohej pambuk. Dhe thuajse gjysma e kësaj sipërfaqeje ndodhej brenda një zone të ligjshme.
Të pyetur rreth këtyre pretendimeve, kompania i tha DW se “të gjitha konvertimet e bimësisë vendase të bëra nga SLC ishin kryer brenda kufijve ligjorë”.
H&M i tha DW-së se “gjetjet e raportit janë tepër shqetësuese”, duke shtuar se po e trajtojnë çështjen me shumë seriozitet. “Ne jemi në dialog të vazhdueshëm me Better Cotton për të ndjekur rezultatet e hetimit dhe hapat e tjerë që do të ndërmerren për të forcuar dhe rishikuar standardet” – tha kompania përmes një emaili.
Zara i tha DW se dhe ajo “i merr shumë seriozisht akuzat ndaj Better Cotton” dhe kërkon që certifikuesi të ndajë me kompaninë rezultatin e hetimit sa më parë që të jetë e mundur.