Connect with us

Aktuale

Mangësitë e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Published

on

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19, i cili do të mundësojë ndryshimin e disa ligjeve.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se me ndryshimet që do t’i bëhen Ligjit për Fondin Pensional, Fondi autorizohet që brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligjit t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës që të tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike- COVID-19 që e ka parë lajmi.net, ka për qëllim t’i relaksojë kufizimet ligjore të cilat ekzistojnë në shumë ligje që prekin kryesisht çështjet financiare.

Me ketë Projektligj janë paraparë të plotësohen dhe ndryshohen disa ligje.

Derisa të shkojë në Kuvend për votim, Projektligji mund të pësojë ndryshime, shkruan lajmi.net.

Një pjesë e Shoqërisë civile dhe bizneset kanë dhënë komentet e tyre, të cilat ende nuk dihet nëse janë përfshirë në Projektligj nga qeveria.

Ata kanë kundërshtuar disa nene të projektligjit, sikundër kanë kërkuar që të shtohen edhe nene të reja.

Instituti për Politika Zhvillimore -INPED në kuadër të programit për Zhvillim të Qëndrueshëm ka bërë analizimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike COVID 19. Rekomandimet janë dhënë duke marrë parasysh nevojat e tanishme dhe duke balancuar nevojën për intervenim me domosdoshmërinë për të ruajtur të drejtat e njeriut.

INDEP përkrah këtë Projektligj duke e cilësuar të një rëndësie të veçantë për përballjen me pasojat e pandemisë.

INPED konsideron që informatat e ndara në Dokumentin e Konsultimit nuk janë të mjaftueshme për të bërë një gjykim më të bazuar mbi arsyeshmërinë e masave të propozuara.

“Në rastin ideal, në Dokumentin e Konsultimit do të kishim të shtjelluar me shifra problemet që janë shfaqur si pasojë e pandemisë, nivelin e fuqisë blerëse dhe sa ka rënë ajo, qasjen në financim dhe shkallën e qarkullimit të parasë etj. Të gjitha këto, të shtjelluara me shifra, do të duhej po ashtu të jepnin një projeksion të planifikuar dhe në opsione të shpjegonin se për cilin opsion është Qeveria dhe përse dhe gjithashtu të lihej mundësia e komentimit të palëve. Të gjitha këto, Qeveria, shpresojmë ti përmirësoj në fazën e hartimit të Memorandumit Shpjegues i cili do t’i bashkëngjitet Projektligjit pas miratimit në Qeveri”, thuhet në komentin e INPED për këtë projektligj, shkruan lajmi.net.

Sipas INPED, Projektligji ka dështuar të zbatojë kriteret e Rregullores për Standardet Minimale në Procesin e Konsultimit Publik duke dhënë afat jashtëzakonisht të shkurtër për konsultim të palëve dhe kështu, duke e dobësuar kualitetin e konsultimit. “Ne konsiderojmë që megjithatë, Qeveria do të duhej të bënte përpjekje shtesë duke thirrur takime publike shtesë në mënyrë që të përpiqej të rikuperonte dëmin që shkaktohet nga mos respektimi i afatit prej 15 ditëve për konsultim publik”.

Neni 5, paragrafi 1 ku thuhet se pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë për qind të kursimeve pensionale në FKPK, përjashtimisht, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund ti tërheqin deri në pesëmbëdhjetë për qind të kursimeve pensionale në FKPK, INPED mendon se, në formën e tanishme, niveli prej 10% të tërheqjes është edhe i ultë si nivel, por edhe mjaft kufizues.

“Duke pasur parasysh që paragrafi 2 i nenit 12A ka paraparë aplikim elektronik të pjesëmarrësve për tërheqjen e mjeteve, ne konsiderojmë që me akt nënligjor do të mund të rregullohej në atë mënyrë që qytetarët, me rastin e aplikimit të mund të zgjidhnin nëse duan të tërheqin 5%, 10% apo 15% të shumës së Trustit. Trusti pensional është fond individual i qytetarëve dhe atyre duhet tu lihet të zgjedhin jo vetëm se a duan të tërheqin mjete nga fondi apo jo, por të paktën edhe një sistem tre-shkallësh ku ata do të mund të zgjidhnin edhe se sa para duan të tërheqin. Në këtë mënyrë, potencialisht do të mund të kishte më shumë mjete në treg dhe siguria e fondit nuk do të vihej në pikëpyetje”, konsideron INPED.

Ndërkohë, tek neni 12A paragrafi 6, Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga tatimi në të ardhurat personale. Mjetet e tërhequra deri në masën 5000 EUR sipas këtij neni janë të përjashtuara nga tatimi në të ardhura personale. Ndaj shumës së tërhequr që tejkalon vlerën 5000 euro aplikohet niveli standard i tatimit mbi të ardhurat personale. “Jo të gjithë qytetarët kanë arritur të mbledhin shuma të konsiderueshme në Tustin Pensional. Ne propozojmë që shumat që tërhiqen mbi 5000 euro të jenë të tatueshme në bazë të Ligjit dhe që këto mjete të shkojnë në Buxhetin e Kosovës. Për këta qytetarë kjo nuk përbën një barrë të madhe dhe për shtetin janë të ardhura shtesë të cilat mund t’i fusë në ekonomi për të përkrahur grupet më të cenueshme nga pandemia”, thotë INDEP.

Edhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka pranuar ftesën për komente në kuadër të procesit të konsultimit publik për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. KCSF-së është përqendruar kryesisht në procesin e hartimit të projektligjit dhe mundësinë që ky projektligj ti përgjigjet nevojave të grupeve të ndryshme të shoqërisë, pa u futur në dispozita specifike të karakterit financiar ose ekonomik.

Sipas KCSF-së, përkundër që Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike trajton një nga situatat më të rëndësishme të interesit publik me të cilën ballafaqohet Kosova, procesi i hartimit të këtij projektligji nuk ka qenë gjithëpërfshirës dhe nuk i ka plotësuar as për së afërmi standardet minimale të konsultimit publik.

“Fillimisht, procesi nuk ka siguruar gjithëpërfshirje duke mos i përfshirë të gjitha palët e prekura qysh në fillim të procesit të hartimit të këtij akti. Dhe më e rëndësishmja, në vend që afati për konsultim publik me shkrim të reflektonte rëndësinë e aktit, pra të konsiderohej zgjatja përtej afatit minimal prej 15 ditë pune, Qeveria vendos që këtë afat edhe ashtu minimal ta shkurtojë në 2 ditë pune, respektivisht 4 ditë kalendarike.[5] Në këtë mënyrë, pamundësohet çfarëdo kontributi cilësor i palëve të prekura për një akt kaq të rëndësishëm për interesin publik”.

Sipas KCSF-së, projektligji ka mungesë ndaj grupeve të margjinalizuara.

Kjo OJQ konsideron se shumë studime, jo vetëm në Kosovë, dëshmojnë që grupet e margjinalizuara janë ato të cilat më së shumti preken nga krizat e ndryshme që godasin shoqëritë.

“Për shkak të problemeve të shumta sistemike me të cilat këto grupe ballafaqohen në vazhdimësi, ato rëndom janë të parat që preken e të fundit që pushojnë së përjetuari efektet e krizave. Kjo është konfirmuar edhe në rastin e pandemisë me Covid-19, sidomos me pasojat ekonomike që janë shkaktuar nga kjo pandemi. Vajzat dhe gratë janë vetëm një nga grupet më të prekura nga efektet ekonomike të pandemisë, por ngjashëm janë prekur edhe grupet tjera të margjinalizuara siç janë rinia, komunitetet Rom, Ashkali e Egjiptian, të moshuarit, etj. Për këtë arsye, qeveria do të duhej që të ishte e ndjeshme ndaj këtyre grupeve duke e aplikuar këtë ndjeshmëri te të gjitha masat për rimëkëmbje ekonomike, të cilat do të duhej të kishin parasysh aspektet e veçanta të ndikimit të krizës ekonomike te secili grup i margjinalizuar dhe të trajtonin tejkalimin e tyre”, ka shkruar KCSF.

Po ashtu, KCSF konsideron se, nëse projektligji do të ishte i ndjeshëm ndaj grave, do të përmbante dispozita të favorshme të targetuara, p.sh. zvogëlim të barrës tatimore nëpërmjet lirimit nga tatimi në të ardhura personale për nënat vetushqyese.

Për të evituar problemet e përshkruara më lart, dhe për të mundësuar përfshirjen e palëve të prekura në procesin e hartimit të këtij akti shumë të rëndësishëm për interesin publik, KCSF-ja ka propozuar propozuar që Ministria e Financave të zgjasë afatin për konsultim publik me shkrim, si dhe të ndërmarrë metoda tjera të konsultimit publik (p.sh. takime publike, diskutime të targetuara, etj.) nëpërmjet një qasje proaktive në identifikimin dhe përfshirjen e grupeve të prekura, me theks te grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Komentet e tyre kanë dhënë edhe disa biznese.

Kompania “City Inn” Sh.P.K ka propozuar që të shtohet një paragraf i ri në Nenin 4 të këtij projektligji në mënyrë që tu mundësohet NMVM-ve të riprogramojnë kreditë në pamundësi të gjenerimit të hyrave në këtë periudhë të pandemisë që nga data 13 mars 2020, me qëllim të ofrimit kushteve më të mira për rikthim të kredisë.

“Po ashtu të plotësohet Neni 12A Paragrafi 4 i këtij projektligji me tekstin e mëposhtëm pas paragrafit 4. Institucionet financiare të lejojnë tërheqjen apo transferin e mjeteve vetëm për blerje të mallrave dhe shërbimeve në vend kundrejt paraqitjes së faturave nga përfituesit ose ndonjë qasje/formulim të ngjashëm me kuponë, që mundëson shfrytëzimin e këtyre mjeteve për blerje të mallrave dhe shërbimeve në vend dhe të pamundësohet që kjo shumë të shfrytëzohet për import ose shërbime jashtë vendit (si p.sh. pushime jashtë vendit)”, konsideron “City Inn”

Ndërsa sipas kompanisë “O & D Group sh.p.k”, Qeveria duhet t’ua mbulojë interesin e kredisë bizneseve.

“Duke pas parasysh qe ekonomia ka nis me ra për tokë, dhe restrikcionet bankare ne dhënien e kredive, si hap i parë qe duhet te intervenohet sa me shpejt, qasja ne financa duke e mbuluar komplet interesin e kredisë. Qeveria si dhe me fondin garantues, dhe po ashtu te zbatohet grejs periudha minimumi 12 muaj, duke ditur qe kriza do te vazhdon dhe grejs periudha mundet me i kfill sa do pak bizneset. Subvencionimin e punëtorëve, aman jo ne vlere 170 euro, por se paku 250 euro, subvencionimin e 100% te qirasë se paku për 12 muaj”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë “O & D Group”, Alutrim Dermaku.

Ai ka propozuar që neni 7, paragrafi 2.14 i këtij projektligji të ndryshohet nga furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimeve të ushqimit, në shërbimet e hoteleve dhe restoranteve. Sipas tij, kjo me qëllim të përkrahjes të këtij sektori. “Përkrahja e furnitorëve të këtij sektori më të prekur nga pandemia nuk krijon ambient favorizues pasi që TVSH vetëm bartet nga furnitoret tek konsumatori. Ndërsa ulja e TVSH për shërbimet e HORECA në 8% është stimulues i drejtpërdrejtë. Ky propozim duhet të konsiderohet seriozisht pasi që veçanërisht hotelet do të duhej të konsiderohen si eksport pasi që konsumatorët janë kryesisht të huaj që konsumojnë shërbime vendore duke sjellë të hyra shtesë në tregun vendor”, ka shkruar Dermaku.

Në këtë projektligj po japin propozimet e tyre edhe qytetarët.

Sadri Berisha, një qytetarë, ka propozuar që tek Neni “12A: Pagesa e kursimeve individuale pensionale për rimëkëmbje ekonomike”, duhet te specifikohet afati kohore brenda te cilit FKPK duhet t’i shqyrtoj kërkesat dhe t’i kthej përgjigje parashtruesit te kërkesës.”P.sh. FKPK duhet te kthej përgjigje për aprovimin apo refuzimin e kërkesave jo me larg se 1 jave duke filluar nga dita/data e paraqitjes se kërkesës ne sistemin elektronik te FKPK”, ka propozuar Berisha.

Kur të aprovohet, ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending