Një delegacion nga Federata Paneuropiane për Trashëgiminë Kulturore “Europa Nostra” është takuar të mërkurën me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosajn, ku temë diskutimi ka qenë Manastiri i Deçanit.
Pas takimit, Klan Kosova tentoi të marrë një prononcim nga anëtarët e këtij delegacioni po që këta të fundit nuk deshën të flasin.
I njëjti delegacion mbrëmë e ka vizituar Manastirin e Deçanit ku janë pritur nga Igumeni Sava Janjiq i cili edhe ka shtruar darkë për ta brenda këtij objekti fetar.
“Europa Nostra” e kishte radhitur Manastirin e Deçanit në mesin e shtatë objekteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore për vitin 2021, çka ishte kundërshtuar nga institucionet e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kishin dërguar një letër “Europa Nostra” ku kishin argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i përmbush kriteret për të qenë në mesin e shtatë objekteve më të rrezikuara./Media Ndërtimi.