Lëvizja Vetëvendosje dega në Prishtinë ka dorëzuar padi kundër Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), lidhur me dyshimet për keqpërdorime për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen Lakrishtë.
Kjo parti iu drejtua Gjykatës Themelore në Prishtinë me padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist” dhe kërkesë për masë sigurie ndaj: NPB-së, Sh.P.K, Made Group Construction, Sh.P.K, Arkos Sh.P.K dhe Madekos Sh.P.K., raporton Ekonomia Online.
Egzon Azemi, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta shqyrtojnë sa më parë këtë padi.
Sipas tij, për projektin milionësh në lagjen “Lakrishtë”, vetëm se po cenohet interesi i qytetarëve.
Azemi shtoi se projekti i ndërtimit të këtij kompleksi është përcjellë me parregullsi të mëdha.
Azemi listoi 6 shkeljet kryesore të këtij projekti:
NPB pa asnjë njoftim ose diskutim paraprak hapi thirrje për investim në ndërtim të lartë në pronën publike.
Kur NPB lëshon lokale me qira afati për aplikim zgjatë 15 ditë, ndërsa te ky projekt që është më i madhi në historinë e ndërmarrjes u caktuan vetëm 3 ditë, dhe shpallja ishte e pa vulosur dhe e pa protokolluar.
Kompania fituese “Made Group Construction” u themelua vetëm 1 ditë para aplikimit, dhe fitoi projektin me vlerë minimale 120 milion euro.
Pse ishte kaq i ngutshëm ky veprim?
Pse nuk ishte afati më i gjatë që të aplikojnë më shumë kompani? A nuk është në interesin e Ndërmarrjes dhe a nuk do t’i rritej vlera pronës, nëse do të kishte më shumë të interesuar për të?
NPB nuk na dha qasje në dokumentet rreth këtij projekti. Me datë 1 Korrik, në përgjigjen ku u refuzuam, NPB deklaroi se ende nuk ka përfunduar marrëveshja – ndërkohë, pak më vonë, doli se kontrata ishte nënshkruar 3 javë më herët!
NPB dhe këto kompani të dyshimta, po rrënonin pa asnjë kriter mbrojtës azbestin kancerogjen, 10 metra larg Gjimnazit “Xhevdet Doda”, 20 metra larg ndërtesave kolektive ku banojnë mijëra qytetarë të Lakrishtës.
Pas analizave që u zhvilluan në një laborator Gjerman doli se ky azbest ishte i shkallës së 3-të për nga niveli i rrezikshmërisë. Pra i rrezikshmërisë së lartë.
Pas gjithë këtyre shkeljeve në Ndërmarrjen Publike Banesore, Bordi i NPB-së, i përbërë nga Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, më 15 tetor, me vota unanime, kishte vendosur për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhaj anëtar i PSD-së, por shkarkimi nuk u lejua të protokollohej nga vet ai dhe vartësja e tij që e ka mbajtur vulën e protokollimit në mënyrë të paligjshme.
Me datën 19.07.2022, një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë paraqitur pranë zyrave të NPB-së dhe kanë paraqitur një urdhër kontrolli për të marrë një numër të dokumenteve të ndërmarrjes. Këto dokumente ndërlidhen me projektin më të rëndësishëm të NPB-së për projektin e ndërtimit në Lakrishtë./Media Ndërtim.