Në fshatin Akërni pranë lagunës piktoreske të Nartës, makineritë e rënda kanë avancuar punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës – një projekt koncesionar i qeverisë shqiptare që kundërshtohet nga organizatat mjedisore vendase dhe ato ndërkombëtare.
Projekti shtrihej brenda zonës së mbrojtur Vjosë- Nartë, një strehë e rëndësishme për flamingot, pelikanët dhe qindra zogj shtegtarë. Por me një vendim të marrë në tetor 2022, qeveria i hoqi sipërfaqes së planifikuar të aeroportit statusin e mbrojtjes.
Pas një beteje 5-vjeçare për anulimin e projektit, aktivistët mjedisorë besojnë se vendimet e qeverisë po shkaktojnë një dëm të pakthyeshëm për natyrën dhe po shtyhen përpara nga interesa të mëdha financiare.
“Duket se ka një forcë vërtet të fortë shtytëse për ndërtimin e këtij aeroporti. Dhe ne thjesht mund të supozojmë ose të kemi një ide për këtë. Ky aeroport është vetëm fillimi i ndërtimeve të mëtejshme, për shembull, resorte turistike në këtë zonë. Pra, forca lëvizëse, nga këndvështrimi im, është se këtu mund të ketë para të mëdha për zhvillimin turistik,” thotë Annette Spangenberg nga organizata mjedisore EuroNatur Conservation.
Në mars të vitit 2021, fitues u shpall konsorciumi i kompanive Mabco Construction në pronësinë e biznesmenit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli në partneritet me kompaninë turke, Yda Group, e cila ka në eksperiencën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte në Turqi, Kazakistan dhe Ukrainë.
Konsorciumi fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro për ndërtimin e aeroportit, por rreth një vit e gjysmë pas fitimit të tenderit, kompania turke, YDA Group u largua nga projekti dhe i shiti Pacollit paketën e vet prej 40% të aksioneve për një vlerë minimale prej 4450 eurosh.
Përfaqësuesi i kompanisë koncesionare, Valon Lluka, i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se kompania turke u largua nga projekti pasi nuk iu përgjigj investimit të premtuar, ndërsa shtoi se Mabetex Group është i zotëruar për të përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale.
“..Situata të caktuara, të provokuara si pasojë e çështjeve të brendshme të shoqërisë turke, të cilët nuk iu përgjigjën investimit të zotuar pas nënshkrimit të Kontratës së Koncesionit, kanë imponuar kalimin e kuotës së aksioneve nga YDA tek anëtari tjetër i konsorciumit në përputhje me përcaktimet e Kontratës së Koncesionit dhe legjislacionit shqiptar,” tha Lluka.
Kompania turke, Yda Group nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi arsyet e largimit nga projekti.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës në kufijtë e zonës së mbrojtur dhe në rrugëkalimin e zogjve shtegtarë nga Europa drejt Afrikës është kundërshtuar nga Komisioni Europian dhe Konventa e Bernës, e cila deklaroi në takimin e fundit të mbajtur në Strasburg se projekti kishte mungesë të theksuar të zbatimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e mjedisit.
Aktivistët mjedisorë thonë se do ta vazhdojnë betejën për mbrojtjen e ekuilibrave natyrorë që cënon ky projekt.
“Vetë aeroporti nuk është thjesht disa fluturime, janë një sërë ndërtimesh që kanë filluar të bëhen rrugë ndërtesa të ndryshme ndoshta nesër do të ketë edhe të tjera gjatë bregdetit. E gjithë kjo prish integritetin e këtyre ekuilibrave natyrorë të shpendëve dhe habitateve të tjera të dy anëve të lumit,” tha pedagogu Aleko Miho.
Ndryshe nga ambientalistët, kompania koncesionare thotë se sipas studimeve të saj, projekti nuk pritet të ketë efekte të shkatërrimit të biodiversitetit dhe posaçërisht të shpendëve gjatë ndërtimit dhe operimit. Sipas administratorit Lluka, ndikimet negative në mjedis janë një e keqe e domosdoshme për zhvillimin, por e rëndësishme sipas tij është që të menaxhohen dhe monitorohen.
Aeroporti Vlorës do të ketë pistën më të gjatë në Republikën e Shqipërisë, prej 3.2 km, një kusht për kategorinë 4E të aeroportit./Media Ndërtimi./Media Ndërtimi.