Përdorimi pa kriter i pesticideve në tokat që shtrihen buzë liqenit të Prespës dhe atij të Ohrit, kërcënon ndotjen e ujërave të këtyre dy baseneve. Bujqësia e pakontrolluar ka rritur shqetësimin tek ekspertët për pasoja afatgjata në liqen dhe në mjedisin përreth, i cili gëzon statusin e Zonës së Mbrojtur nga legjislacioni shqiptar, por edhe nga UNESCO.
Nesti Çobani zotëron 10 dynymë tokë në afërsi të liqenit të Ohrit, të cilën e mbjell me kultura të ndryshme.
Teksa del nga farmacia bujqësore e fshatit Buçimas në Pogradec, 72-vjeçari tregon se për mollën bën deri në 12 spërkatje, por vitet e fundit edhe për domaten dhe specin bën deri në 4 spërkatje.
Ai rrëfen se nuk konsultohet me specialistët e bujqësisë, por spërkatjet dhe pesticidet, që përdor, i përzgjedh, duke iu besuar njohurive personale, të fituara pas gjithë kësaj kohe në shërbim të tokës.
“I dalloj sëmundjet me sy të lirë, sepse kam një jetë që merrem me tokën. Kur shkoj në farmaci, di çfarë ilaçi të kërkoj”, – rrëfen ai.
I vetëdijshëm për dëmet që shkakton përdorimi në sasi kaq të mëdha i produkteve të mbrojtjes së bimëve (PMB), si te konsumatorët, ashtu dhe në mjedis, fermeri thotë se kjo është e vetmja zgjidhje për ta mbrojtur prodhimin.
“Furnizoj me prodhimet e mia disa restorante në Pogradec dhe përpiqem që të përdor sa më pak kimikate, por, nëse nuk i përdor, prodhimi do të prishet”, – tregon i moshuari, me bindjen se përdorimi i kaq shumë pesticideve nuk arrin deri në ujin e liqenit.
Ujërat e liqenit të Ohrit, i mbrojtur nga UNESCO, dhe ato të Prespës, pjesë e Parkut Kombëtar, kërcënohen seriozisht nga përdorimi pa kriter i kimikateve dhe pesticideve nga banorët që zotërojnë tokat buzë këtyre pasurive.
Zhvillimi i bujqësisë në afërsi të zonave të mbrojtura dhe në brendësi të tyre rregullohet me ligj të veçantë (VKM nr. 317, datë 15.05.2019), që ndalon përdorimin e pesticideve, por faktet e mbledhura nga Investigative Network Albania dëshmojnë se asnjë institucion nuk e ka marrë seriozisht këtë detyrim ligjor. Si pasojë, zhvillimi i bujqësisë në zonat pranë liqeneve të Ohrit dhe të Prespës është jashtë kontrollit.
Ligji parashikon përdorimin e pesticideve, vetëm në rastet kur alternativat e tjera të kontrollit të sëmundjeve te bimët janë joefektive. Edhe në këto raste përdorimi duhet të bëhet nën kontrollin strikt të pushtetit vendor dhe të institucioneve të tjera për mbrojtjen e mjedisit dhe të popullatës.
Institucionet, që e kanë për detyrë kontrollin, monitorimin dhe parandalimin e pasojave mjedisore nga veprimtaria bujqësore, janë dorëzuar dhe nuk i përmbushin detyrimet, me të cilat i ngarkon ligji.
Pavarësisht detyrimit ligjor, Ministria e Bujqësisë nuk ka bërë asnjë diferencim mes pesticideve, që përdoren zakonisht dhe atyre, që mund të përdoren në afërsi apo brenda zonave të mbrojtura.
“Nuk ka listë specifike të PMB-ve të miratuara për përdorimin në kulturat që ndodhen brenda dhe në afërsi të zonave të mbrojtura, por ka listë të PMB-ve të regjistruara për t’u tregtuar në Republikën e Shqipërisë”, – thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion të ministrisë.
Për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe të mjedisit, ligji i detyron fermerët që të marrin leje të veçantë me shkrim nga Administrata e Zonave të Mbrojtura për përdorimin e PMB-ve në tokat e tyre.
Po ashtu, fermerët, të cilët i shesin prodhimet, janë të detyruar të mbajnë një regjistër, ku të pasqyrojnë me saktësi kohën, sasinë, llojin dhe frekuencën e PMB-ve të përdorura. Këto kërkesa të ligjit mbeten të pazbatueshme, si nga ana e fermerëve, ashtu edhe nga ana institucionale, duke u kthyer në një burim të vazhdueshëm ndotjeje dhe kërcënim për shëndetin e popullatës.
Raporti i fundit monitorues i UNESCO-s, i publikuar në janar 2020, konstaton se nga zhvillimi i bujqësisë dhe përdorimi i PMB-ve është rritur ndotja në liqenin e Ohrit, në disa pjesë të së cilit ka nisur edhe procesi i eutrofizimit./Media Ndërtimi