Ka dy vjet e gjysmë që Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë nismën për hartimin e një ligji që do të rregullonte fushën e monedhave virtuale – të njohura si kriptovaluta – por ende pa sukses.
Zyrtarë të partisë në pushtet pranojnë se ka pasur vonesa, por thonë se drafti i ligjit është drejt përfundimit.
Ata të opozitës pretendojnë se ligji, thjesht, është neglizhuar, raporton Radio Evropa e Lirë.
Nga viti 2022, kur Kosova është përballur me krizë energjetike, Qeveria e ka ndaluar mihjen e kriptovalutave, meqë procesi shpenzon shumë rrymë.
Por, autoritetet e rendit raportojnë vazhdimisht për konfiskim të pajisjeve që përdoren për prodhimin e tyre.
Analistët e tregut e përshkruajnë si “kaotik” tregun e kriptovalutave në vend.
Kriptovalutat janë para digjitale. Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.
Ato mund të përdoren, pastaj, për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.
Në botë ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.
Evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë, nuk ka.
Këtë gjë pritet ta rregullojë ligji. Por, besohet se ato kanë arritur në vend së paku nga viti 2017.
Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë nismën për hartimin e një ligji të kriptovalutave në verë të vitit 2021.
Në krye të grupit punues për këtë ligj është vënë Mimoza Kusari Lila, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet.
Atëkohë, ajo ka thënë se me ligj nuk synohet të ndalohet veprimtaria me monedhat digjitale, por se të futet nën kontroll, duke i verifikuar pajisjet e importuara për prodhimin e tyre, veprimtarinë e transaksioneve dhe formën e tatimit.
Kjo ide, sipas saj, ka lindur pas shqetësimeve për rritje të konsumimit të rrymës në mënyrë të paligjshme në veri të Kosovës, si dhe me qëllim që të parandalohet krimi i organizuar dhe veprimtaritë jolegale me kriptovaluta.
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian – ku Kosova synon të anëtarësohet – ka miratuar një rregullore për tregjet e kriptoaseteve, e njohur si MiCa.
Ajo kërkon që firmat e kriptoaseteve të autorizohen nga BE-ja për t’u shërbyer klientëve në bllok dhe t’i respektojnë masat mbrojtëse kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Rregullorja, po ashtu, u kërkon ofruesve të shërbimeve të kriptoaseteve që t’i ndajnë informacionet e detyrueshme me autoritetet tatimore./Media Ndërtimi