Lulzim Veseli ndau 100 euro për të paguar sigurimin e makinës për tre muaj, rrugës së tij nga Kosova për në Gjermani.
“Maltretim dhe i kushtueshëm”, thotë ai, teksa rrëfen për udhëtimin me makinë në fillim të shkurtit.
Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk bën pjesë në Këshillin e Byrove Evropiane dhe, rrjedhimisht, qytetarët e saj mbeten jashtë Sistemit të Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër është certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve dhe njihet nga autoritetet e 47 vendeve të Këshillit të Byrove Evropiane.
Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës, kur dalin jashtë, duhet të paguajnë shuma të ndryshme – varësisht kohëzgjatjes së qëndrimit në vendin e huaj.
Situata është e tillë prej vitesh, përkundër përpjekjeve të autoriteteve për të gjetur zgjidhje.
Por, ajo është risjellë në fokus pas liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti, dhe rritjes së numrit të qytetarëve që udhëtojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës.
Përveçse pranojnë kostot financiare që shkakton mungesa e Kartonit të Gjelbër, institucionet përgjegjëse nuk japin shumë informacione se çfarë është duke u bërë për të siguruar këtë sigurim të automjeteve.
Përse Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Byrove Evropiane?
Statuti i Këshillit të Byrove Evropiane, përveç tjerash, thekson se, për të pranuar një shtet, ai duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kosova nuk është pjesë e OKB-së.
Në vitin 2022, autoritetet bënë përpjekje që të anëtarësohen në Këshillin e Byrove Evropiane përmes një shteti tjetër.
Nuk treguan se për cilin shtet bëhej fjalë, por nisma nuk pati sukses.
Kusht tjetër për Kartonin e Gjelbër ka qenë, po ashtu, ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara nën nivelin prej 5% – gjë të cilën Kosova, sipas BKS-së, e ka plotësuar.
Derisa çështja betet pa u zgjidhur, ajo prek edhe vozitësit që hyjnë me automjete me targa të huaja në Kosovë.
Ata duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh.
Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe për kamionë me peshë mbi një ton.
Në të kaluarën, Qeveria e Kosovës ka ndarë disa herë mjete nga buxheti i saj për të mbuluar sigurimin kufitar për diasporën./Media Ndërtimi