Punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë po rrezikojnë jetën për punë, ata përballen me pasiguri në punë, por edhe ballafaqohen me shkelje të të drejtave të punëtorëve.
Kontrollet shëndetësore që kushtojnë vetëm 15 euro injorohen shpesh herë nga punëdhënësit, ndërsa numri i të vdekurve dhe të lënduarve në punë, po rritet nga viti në vit.
“Kurrë s’jemi kontrollu për certifikatë shëndetësore.
Kurrë s’kanë ardh me na kontrollu, asnjë inspeksioni as sen, natën dathun duhet me ikë prej këtu”, kështu e përshkruan gjendjen në punë L.D., i cili tash e gati gjashtë vite punon në sektorin e ndërtimtarisë.
32-vjeçari nga Ferizaj thotë se përgjatë këtyre viteve sa është duke punuar në sektorin e ndërtimtarisë asnjëherë nuk ka pasur kontratë pune, rrjedhimisht as nuk ka kryer kontrolle shëndetësore. Kësisoj atij dhe kolegëve të tij u janë shkelë një sërë të drejtash që ua garanton Ligji i Punës në Kosovë.
Ky i ri thotë se për pesë vite me radhë ka punuar në një firmë tjetër dhe tash e katër muaj në një firmë tjetër në sektorin e ndërtimtarisë, ai thotë se asnjëherë nuk janë kontrolluar nga inspektorët e punës, shkruan Kallxo.com.
Nga frika se mund ta humbas vendin e punës, në kushte anonimiteti thotë se ka kërkuar nga punëdhënësi i tij i ri, kontratë punë, por që i është thënë se do ta marrë vetëm vitin e ardhshëm.
“Javën e kaluar bile u rroka me shef, i thash qysh qe sa pa dokumente, pa kontratë pa sen. Me tha hajt se vitin tjetër kysmet. Një punëtor këtu e ka thy krahun tu punu ja kanë shti në gips edhe asgjë tjetër, domethënë deri sa t’i shërohet dora jetë pa punë, pa pagesë, pa asgjë”, shprehet L.D.
Megjithatë, ka raste kur punëtorë të tjerë nga ky sektor për të cilët janë interesuar Inspektorati i Punës, por që sipas punëtorëve, ata kanë shpëtuar madje as pa u gjobitur.
“Ka ndodhë ka ardh inspeksioni, na ka kontrollu se a kemi shlema, dorëza, çizme mbrojtëse. Kontrolla shëndetësore kurrë s’kemi ba, ka ardh inspeksioni, po shefi s’është denu kurrë”, thotë V.D., nga Ferizaj.
Ai thotë se për shkak të rrezikshmërisë, është detyruar të largohet nga sektori i ndërtimtarisë, për të punuar në një rrjet të marketit. Ai thotë se të paktën në këtë sektor nuk ka rrezikshmëri, teksa potencon faktin se tashmë kryen edhe kontrolle shëndetësore.
“Tash që po punojë në market, tash po bajm edhe kontrolla shëndetësore, a sa kam punu në ndërtimtari, jo kurrë”, thotë ai.
Në Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë theksohet se punëdhënësi është i detyruar t’u sigurojë të gjithë punëtorëve kontrolle shëndetësore. Ekzistojnë dy lloje të kontrolleve mjekësore me çka obligohet punëdhënësi t’u sigurojë punëtorëve: kontrolli për certifikim të punës dhe kontrollet sistematike. Lloji i parë ka të bëjë me diagnostikimin e gjendjes së përgjithshme psiko-fizike.
Ai bëhet zakonisht në fillim të punës dhe vlen gjashtë muaj, ndërsa vizitat sistematike varësisht nga lloji i punës bëhet një herë në vit deri në tri vjet./Media Ndërtimi.