Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se aktgjykimi i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duhet të deklarohet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje kontesti mes “Metalinvest” dhe Ferronikelit”. Kushtetuesja konstatoi se parashtruesit të kërkesës “Metalinvest” i është mohuar e drejta në seancë dëgjimore në dy nivele të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, në kundërshtim me garancitë kushtetuese.
“Metalinvest” Sh.A. kishte kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 16 marsit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kompania “Ferronikeli“, pretendohet se nuk i kishte paguar parashtruesit të kërkesës produktet që i kishte dorëzuar në vitin 1997, si rezultat i bashkëpunimit afarist ndërmjet këtyre kompanive.
Lidhur me këtë, “Metalinvest” në vitin 1997 kishte paraqitur padi ndaj kompanisë “Ferronikeli”, ndërsa në vitin 2006 kishte parashtruar kërkesën për përmbarim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku kjo e fundit e ndërpreu këtë procedurë me arsyetimin që kompania “Ferronikeli” kishte hyrë në procedurën e privatizimit.
“Si pasojë, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën në Autoritetin e Likuidimit në kuadër të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, me të cilën kërkoi arkëtimin e borxhit të pretenduar. Ankesa u refuzua nga kjo e fundit, me arsyetimin se në shkresat e lëndës nuk kishte prova që e njëjta ishte dorëzuar brenda afatit prej tre (3) vitesh nga data kur ka lindur borxhi”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Tutje thuhet se parashtruesi i kërkesës më tej parashtroi ankesë edhe në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, me ç’rast kjo e fundit refuzoi kërkesën e parashtruesit, pa mbajtur seancë dëgjimore publike gjatë procedurës së zhvilluar.
Njëjtë veproi edhe Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke përfshirë edhe kërkesën specifike të tij për mbajtjen e seancës dëgjimore.
në bazë të këtyre parimeve, Kushtetuesja konstatoi se aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara me nenin 31 të Kushtetutës.
“Në bazë të këtyre parimeve, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [AC–I–19–0213] i 16 marsit 2022 i Kolegjit të Apelit, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kuptim të së drejtës në seancë dëgjimore, ndër të tjera, për shkak se (i) fakti që parashtruesi i kërkesës nuk ka kërkuar seancë dëgjimore para Kolegjit të Specializuar, nuk nënkupton heqjen dorë nga kjo e drejtë; (ii) parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar shprehimisht mbajtjen e një seance dëgjimore publike para Kolegjit të Apelit, duke krijuar kështu detyrimin që ky Kolegj të trajtojë domosdoshmërinë e mbajtjes së seancës dëgjimore; (iii) Kolegji i Apelit nuk kishte trajtuar “çështjet ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”, çështje këto bazuar në të cilat do të mund të kishin ekzistuar “rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, (v) Kolegji i Apelit nuk kishte arsyetuar “heqjen dorë nga seanca dëgjimore” andaj, (iv) parashtruesit të kërkesës i është mohuar e drejta në seancë dëgjimore në dy nivele të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në kundërshtim me garancitë kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i kësaj, Kushtetuesja konstaton se aktgjykimi i i lartpërmendur i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme duhet të deklarohet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje.
“Gjykata gjithashtu e theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale, përkatësisht mungesën e seancës dëgjimore në dy instanca vendimmarrëse dhe se, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet dhe nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues”, thuhet në fund të njoftimit.