Kryeministri Albin Kurti, në hapjen e Konventës së gjashtë të Industrisë së Drurit, ka thënë se kjo industri ka kontribuar në rritjen e eksportit vendor. Ai ka thënë se pritjet janë që eksportet totale për produkte të drurit që nga viti 2021 e deri në fund të këtij viti të arrijnë vlerën prej 600 milionë euro.
“Kjo industri në zhvillim të vazhdueshëm ka kontribuar në rritjen e eksportit e në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit tonë. Eksportet totale për dyer, dritare, mobileri të drurit dhe ndërtesat e parafabrikuara në dy vitet e fundit 2021-2022 dhe 10 muajt e vitit 2023 janë me vlerë 563 milionë euro. Deri në fund të muajit dhjetor presim të jenë rreth 600 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
I pari i ekzekutivit ka thënë se vlera e eksportit të mallrave në vitin e kaluar ka shkuar në 920 milionë euro. Ndërkaq, eksportin e shërbimeve e ka quajtur si vlerë rekord, duke thënë se ka arritur në mbi 2,5 miliardë euro.
Kryeministri u shpreh tutje se qeveria do të qëndrojë pranë ndërmarrësve, derisa kërkoi nga këta të fundit që të rrisin pagën mesatare të punëtorëve të tyre.
“Ky sektor krijon vende pune dhe është shtytës i zhvillimit ekonomik, industrial dhe mjedisor. Kjo rritje ekonomike është rezultat i ndërmarrësisë dhe sukseseve të ndërmarrësve tanë në rritjen e eksporteve në rajon e më gjerë. Përpunimi i drurit dhe mobilieve në kuadër të politikës industriale vlerësohet si nënsektor në rritje. Kontribuon me 12 për qind në bilancin tregtar. Të vetëdijshëm për potencialin dhe nevojën, qeveria ka hartuar strategjinë për zhvillimin e industrisë. Strategjia synon të promovojë zhvillimin industrial, të shtojë vende të punës e të siguroj një ekonomi më qarkore”, deklaroi Kurti.
Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Zenel Kelmendi, ka thënë se industria e drurit në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rritje të dukshme.
“Nëpërmjet kësaj konvente synojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të shkëmbejmë ide, të inspirohemi nga puna dhe suksesi i njëri tjetrit dhe me këtë jemi ofertë serioze në tregjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai potencoi se përmes Konventës së Industrisë ndërmarrësit do të kenë mundësi që të krijojnë ura bashkëpunimi mes vete.
“Industria e drurit ofron një teren për inovacion dhe produkte të cilësisë së lartë. Nëpërmjet kësaj konvente ne synojmë të krijojmë ura bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Kjo është mundësi e shkëlqyer për sektorin tonë. Le të shfrytëzojmë këtë konventë për të ndarë njohuritë tona e për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme për sektorin”, shtoi ai.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për këtë industri.
“Politika industriale i dedikohet mbështetjes në sektorin e prodhimit, për të shpalosur potencialin e tij për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Tashmë kemi filluar zbatimin e kësaj politike ku kemi paraparë edhe shumë fusha të intervenimit dhe masa që do të përkrahin sektorët e prodhimit, rritjen dhe diversifikimin e eksporteve, përmirësimin dhe kualifikimit të fuqisë punëtore”, ka deklaruar Hajdari.
Ministrja tutje tha se kanë bërë reforma serioze në fushën e të bërit biznes në Kosovë, derisa theksoi se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në industrinë e drurit.
“Vendi ynë ka potencial të jashtëzakonshëm në shumë sektor industrial, e njëri nga ta është edhe industria e drurit. Jam e lumtur të ndajë me ju sukseset nga raporti i progresit në hartimin e politikave industriale. Ministria e Industrisë nëpërmes Agjencisë KIESA vazhdon të mbështet prodhuesit vendor me grande dhe subvencione të ndryshme, duke u mundësuar prodhuesve tanë pjesëmarrjen në panaire brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi ministrja Hajdari.
Përgjatë Konventës, kompanitë kosovare të përpunimit të drurit kanë shfaqur produktet e tyre për publikun, dhe studentët kanë ekspozuar dizajnet e tyre të mobilerisë si pjesë e Garës Studentore të Dizajnit./Media Ndërtimi