Faktet që ngrisin dyshimet për kurdisje, marrëveshje paraprake dhe favorizime në projektin afaristo-banesor të NPB-së
Bashkëinvestitori privat i NPB-së angazhoi në punë konkurrentin si nënkontraktues
Ndërmarrja Publike Banesore kishte hapur shpalljen e interesit për bashkinvestim me kompani private, vetëm për tri ditë, 10-12 mars, prej orës 9:00 deri në orën 15:00.
Nga shtatë aplikantë, vetëm tre operatorë ekonomikë kishin ofertuar për bashkëinvestim në projektin e afaristo-banesor në Lakrishtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, minimumi i ofertuesve që lejohet me aktet e brendshme të NPB-së:
- “Made Group Construction” bashkë me “Madekos” dhe “Arkos” që fitoi projektin si grup i operatorëve ekonomikë
- Kompania “Joos & Krasniqi” dhe
- Kompania “Pe-vla-ku”

Sipas zhvillimeve që kanë rrjedhur para dhe pas, ngrihen pretendime të bazuara se ofertimi për këtë projekt ishte bërë me marrëveshje paraprake me NPB-në dhe mes vetë kompanive konkurruese.
“Made Group Construction” si lider i grupit të operatorëve ekonomikë fitues ishte regjistruar si biznes nga pronari i saj Drilon Buzuku më 9 mars 2021 një ditë para se Ndërmarrja Publike Banesore të hapte shpalljen për shprehjen e interesit për këtë projekt që kap vlerën 120 milionë euro.
Prej 9 deri më 12 mars, Buzuku përveç regjistrimit të biznesit kishte arritur të bënte konsorcium me dy kompani të tjera dhe të aplikonte për të hyrë në garë për projektin e NPB-së.
“Made Group Construction” pasi është shpallur fitues i ka ofruar punë dhe e ka angazhuar në projekt konkurrentin, përkatësisht kompaninë “Joos & Krasniqi” nga Juniku.
“Joos & Krasniqi” ndonëse nuk e fitoi tenderin dhe ishte renditur e dyta në listë u nënkontraktua nga fituesi “Made Group Construction” për rrënim të objekteve në Lakrishtë. E tërë kjo përkundër se Ndërmarrja Publike Banesore ishte poseduese e lejes për rrënim nga Komuna e Prishtinës. (Rreth kësaj në shkrimin e radhës)
Punimet e bëra nga makineritë e kësaj firme dëshmohen edhe në fotot dhe videoincizimet nga terreni. Këtë e konfirmon edhe Shaban Hoti, përfaqësuesi i kompanisë “Joos & Krasniqi” i cili është lajmëruar në numrin e telefonit që figuron në formularin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.
“Po, jemi si nënkontraktor që na ka kontraktu Made Group. Kemi apliku s`kemi mujt me qenë fitues. Na u ka ofru si punë edhe e kemi pranu. Nuk kemi pasë marrëveshje paraprake, por e kemi bo masandej”, theksoi Hoti.
Pronari i “Made Group Construction”, Drilon Buzuku nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjet e drejtuara përmes emailit privat, duke kërkuar që të mos ia humbasim kohën me thirrje e emaile.
Për përfaqësuesin e “Joos & Krasniqi” nuk është e panjohur as kompania “Pe-vla-ku” e cila është renditur e treta. Shaban Hoti konfirmon se me kompaninë “Pe-vla-ku” kanë qenë ortak në projekt tjetër, por, ai mohon se ka pasur koordinim ose marrëveshje tripalëshe për projektin afaristo banesor të Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrishtë.
“Me kompaninë“Pe-vla-ku” kemi pasur projekt të përbashkët në Gjilan lloti 8”, theksoi ai.
Përveç në këtë projekt këto dy firma kanë qenë ortakë bashkëinvestues edhe në disa projekte të tjera si në: Autoudhën Klinë-Pejë Loti 6 i financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe projekte në Shqipëri.
(Hulumtim nga gazetari i mediumit publik të Kosovës, Arsim Halili)./Media Ndërtimi.