Ndërtim

Kundërshtohet ndërtimi i hidrocentralit në Soponicë të Kaçanikut

Published

on

Kundërshtimit të qindra banorëve anekënd Kosovës për futjen e lumenjve në gypa i janë bashkuar edhe banorët e disa fshatrave të Kaçanikut.

Hidrocentralet e planifikuara në këtë zonë kanë krijuar sherr në mes të banorëve dhe ndërmarrjes “2 Korriku” që po planifikon të ndërtojë një hidrocentral përgjatë lumit Lepenc në fshatin Soponicë të Kaçanikut.

Ibrahim Dalloshi, administrator i fshatit Soponicë, ka thënë për Kallxo.com se nuk kanë marrë pjesë në dëgjimin publik të organizuar nga ndërmarrja.

Dalloshi pretendon që në këtë dëgjim publik kanë marrë pjesë vetëm punëtorët e ndërmarrjes.

“Kompania e ka mbajtë dëgjimin publik pa pjesëmarrjen e fshatit. Është mbajtur në dhjetor të 2020-ës dhe aty kanë marrë pjesë disa individë të kompanisë. Ne e kemi marrë informatën në muajin mars. Më pas kemi bërë kërkesë në komunë dhe ata na kanë deklaruar që nuk dinë asgjë. Më pas kemi shkuar në Ministrinë e Ambientit dhe aty e kemi kuptuar që është mbajtur dëgjimi publik”, ka thënë Dalloshi.

Për dyshimet e ngritura nga banorët, Prokuroria e Ferizajt ka filluar hetimet.

“Referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe është në procedurë hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë duke mos dhënë detaje të tjera shtesë për lëndën.

Ndërmarrja “2 Korriku” në një deklratë për Kallxo.com ka deklaruar se tashmë kanë kompletuar tërësisht dosjen dhe sapo të marrin autorizimin final do të fillojnë me ndërtimin e hidrocentralit pavarësisht ankesave të banorëve.

Ejup Kovaçi, pronar i “2 Korrikut”, ka thënë se ka mbajtur dy dëgjime publike me banorët e interesuar, ndërsa shton se nuk është përgjegjës për mospjesëmarrjen e banorëve.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”.  Trajtimi i kësaj teme të auditimit është me rëndësi të veçantë pasi që shfrytëzimi i ujërave për prodhimin e energjisë elektrike duhet të bëhet në mënyrën e duhur duke mos ndikuar në cilësinë dhe rrjedhën e ujërave.

Raportimet e ndryshme në media dhe hulumtimet fillestare në fazën e planifikimit në këtë fushë tregojnë se ka indikacione që procesi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi dhe mungesë të transparencës.

Po ashtu ka indikacione për moskoordinim mes palëve përgjegjëse gjatë procesit të licencimit, mungesë të mbikëqyrjes së duhur nga institucionet përgjegjëse që për pasojë mjedisi mund të rrezikohet nga kjo veprimtari. Ndikimi që ka kjo veprimtari në mjedis dhe treguesit fillestarë të problemeve në këtë fushë kanë shërbyer që ZKA-ja të fillojë këtë auditim./Media Ndërtimi.

Trending

Exit mobile version