Featured
Kulla unike e Osdautajve, identifikim i Isniqit
Dy simbole i ka fshati Isniq i Deçanit, më i madhi i kësaj komune e padyshim njëri prej fshatrave më të mëdhenj e më të bukur të Kosovës. I pari është bliri, një trup i moçëm në qendër të fshatit që e rrethojnë pesë male a bjeshkë, të shtrira në Roshkodol, Zllonopoj, Belle, Milishevc dhe Pleqje – për t’i dhënë një pamje mahnitëse këtij vendbanimi rural, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në fshatin që dikur numëronte 36 kulla, simboli i dytë është Kulla e Osdautajve, unike në Kosovë. Ajo është e vetmja godinë e llojit të vet që ka katër kate. Shteti e njeh dhe e ruan si objekt i ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, por familjarët thonë se është më e vjetër se kaq.
Sido që të jetë, kulla e bliri përthekojnë dihotominë e trashëgimisë së natyrës e të kulturës në këtë vend. Të dyja kanë krijuar ndër vite edhe histori. Më shumë sesa familjarët e Osdautajve, rrëfimin edhe për kullën, por edhe për blirin e tregon intelektuali i fshatit, Rexhep Maksutaj, ish-arsimtar i anglishtes, tash pensionist i pasionuar pas trashëgimisë kulturore.
Një tregim i tij lidhet me luftën e fundit në Kosovë, e kësisoj argumenton edhe se pse këto të dyja janë simbole të Isniqit.
“Po u bojka Isniqi prapë Isniq”
Maksutaj, që shtëpinë e ka afër blirit e jo shumë larg kullës së Osdautajve, rrëfimin për të dyja këto preferon ta tregojë nga oda e Kullës. Në kullën më të famshme të fshatit ai hyn si në shtëpinë e vet. Jashtë kronologjisë së rrëfimit, pjesa që lidhet me luftën e fundit është përshkruese e asaj pse kulla e bliri janë simbole të Isniqit.
Kulla e vetme me katër kate
Dera e oborrit të kullës së Osdautajve është e hapur si në shumicën dërrmuese të rasteve. Pas vetëm dy thirrjeve në adresë të zotit të shtëpisë del 18-vjeçari Denis Osdautaj, djali i madh i Haxhiut, që ka trashëguar kullën. Del edhe Haxhiu, por preferon që për kullën megjithatë të flasë i biri i tij Denisi, ashtu siç ai ka dëgjuar nga të parët.
“Ashtu siç ma ka treguar historinë e saj axha im kulla e ndërtuar me gurë është ndërtuar çdo vit nga një kat, deri në katin e tretë. Kur ka ardhë në katin e tretë pushteti i asaj kohe nuk ka lejuar që të ndërtohet edhe kati i katërt, por familja megjithatë ia ka arritur, thotë ai.