Fjalia e famshme e Da Vinçit “Syri është një dritare, përmes të cilit shpirti sheh dhe shijon bukuritë e Artit” e ka përcjellë artisten, Argenita Fetahu gjithë jetën e saj artistike.
Shkruan: Zoje Sadiku
Si studente e Fakultetit të Arteve, pas përfundimit të nivelit master ajo dëshirën dhe talentin e saj e përqendroi edhe më shumë në krijimin e muraleve, duke mos lënë anash as pikturën. Në fund të fundit, artistja e re thotë se ndjesitë që të sjellin të dyjat janë pothuajse të njëjta.
“Është një ndjenjë e bukur kur shef punën tënde në një hapësirë publike ku identifikohet vendi me diçka që i rigjallëron banorët dhe vendin e tyre”, shprehet Argenita.
Vizioni nga shkencëtarët e mesjetës u cilësua si “më fisniku i shqisave” dhe iu dha një rëndësi jashtëzakonisht e madhe.
“Për shkak të tij (syrit), shpirti është i kënaqur në burgun e tij njerëzor dhe, pa të, ky burg njerëzor është vuajtja e tij”. Kështu vazhdon fjalinë e tij artisti dhe shkencëtari i madh Leonardo Da Vinçi, për të përshkruar se sa vlerë të madhe ka arti.
Prandaj për Argenita Fetahun as izolimi me javë të tëra nuk e ka demoralizuar si pjesën më të madhe të njerëzve. Sepse për të, artisti është gjithmonë i izoluar brenda vetes, e pasionin për pikturën e muralet e ka zhvilluar edhe brenda shtëpisë së saj. Një pjesë të murit të shtëpisë nuk është më si dikur, ajo me shumë dashuri e ka shndërruar atë në një vepër arti.
“Për mua kanë qenë ditë refleksioni, kur jam munduar të reflektoj me atë që unë e bëj”, tregon ajo.
Muralet e Argenitës gjenden në shumë kafene, dyqane e ambiente të shtëpive, ky është një “ngushllim” për të, sepse kjo do të thotë që muralet po vlerësohen nga të tjerët në Kosovë, përkundër që krijuesit pamorë, sipas saj, shpesh mbesin të zhgenjyer nga mungesa e përkrahjes nga institucionet.
“Fatkeqësisht, shumë krijues pamorë mbeten të zhgënjyer ngaqë nuk përkrahen nga instucionet e kulturës aq sa duhen, ndaj shpeshëherë nuk përfillet inciativa jonë”, thotë Argenita.
Krijimet e saj janë të ndryshme, ato varen nga frymëzimi i artistes, por edhe nga kërkesat e klientëve, që dëshirojnë të kenë diçka relaksuese dhe të bukur brenda mureve ku ata jetojnë dhe punojnë.
Kur punon me një pasion aq të madh është pak e vështirë të veçosh diçka, por nga gjithë moria e punimeve të saj, Argenita e ka një që i flenë pak më shumë në zemër. Është ky murali “Nusja e Zadrimes”, i “lënë” në këndin e njërës prej kafeneve të Prishtinës, për të pritur e përcjellur atje mysafirë gjatë gjithë ditës.
Muralet kanë një histori të gjatë të ekzistencës së tyre. Fillimisht gjurmët mbreslënëse në shpella të njerëzve të kohës së paleolitit, duke vazhduar kështu përdorimin e tyre edhe në qytetërimet e mëvonshme. Shumica prej tyre për mijëra vite u kanë bartur brezave të rinj mesazhe, përmes së cilëve përshkruhet ekzistenca e qytetërimeve të fuqishme e të sofistikuara të kohës.
Sot jeta e Egjiptit të lashtë ka arritur të kuptohet pothuajse në detaje nga imazhet brenda varreve të faraonëve, dikur perandorë të mëdhenj. Duke qenë se pothuajse çdo kulturë në mënyrë të mrekullueshme arriti t’i përvetësojë ilustrimet në mur, Argenita e gjen frymëzimin tek të gjitha llojet ngapak.
“Ka murale të shumta ku mund të inspirohemi, por nga ato me famë botërore gjenden në Meksikë, New York, Philadelphia, Los Angeles, Kuba, Filipine dhe në Indi e shumë e shumë vende të tjera.. Por asnjërin nuk mund ta veçoj sepse çdo mural e ka veçantinë e saj”, shprehet artistja.
Pasioni i Argenitës nuk shuhet aq lehtë, ai do të vazhdojë të nxjerrë më të mirën nga artistja, për t’i përmbushur të gjithë ata të cilët arrijnë ta kuptojnë vlerën që ka arti në plotësimin e vetëvetes./Ndertimi.info
You must be logged in to post a comment Login