Raporti “Kushtet e mungesës së ujit në Evropë” që bazohet në indeksin e shfrytëzimit të ujit plus (WEI+), ka konstatuar se gjatë të paktën një sezoni në vitin 2019 mungesa e ujit ka prekur 29% të territorit të BE-së.
Pavarësisht se marrja e ujit ra me 15% në BE midis viteve 2000 dhe 2019, nuk ka pasur reduktim të përgjithshëm në zonën e prekur nga kushtet e mungesës së ujit. Në fakt, që nga viti 2010 ka një përkeqësim të situatës. Kjo, e shoqëruar me faktin se ndryshimet klimatike pritet të rrisin më tej frekuencën, intensitetin dhe ndikimet e ngjarjeve të thatësirës, e bën të pamundur që mungesa e ujit të reduktohet deri në vitin 2030. Përpjekje shtesë nevojiten për të siguruar përdorim të qëndrueshëm të ujit.
Burimet e ujërave të ëmbla janë thelbësore për shëndetin e njeriut, natyrën dhe funksionimin e ekonomive dhe shoqërive. Megjithatë, në të gjithë BE-në, këto burime kërcënohen nga presione të shumta. Për të adresuar këtë, Direktiva Kuadër e Ujit kërkon që Shtetet Anëtare të promovojnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe të mbrojnë burimet e disponueshme ujore.
Mungesa e ujit përcaktohet kryesisht nga (1) kërkesa dhe konsumi i ujit, të cilat në masë të madhe varen nga popullsia dhe lloji i aktiviteteve socio-ekonomike; (2) kushtet klimatike, të cilat kontrollojnë disponueshmërinë e ujit dhe sezonalitetin e furnizimit; dhe (3) karakteristikat e peizazhit dhe aspekteve gjeologjike të pellgjeve.
Vlerësimi i kushteve të mungesës së ujit në të gjithë Evropën në nivelin e pellgut të lumit dhe sipas sezonit është më informues, krahasuar me vlerësimet e përmbledhura vjetore në nivel evropian apo edhe në nivel vendi.
Indeksi i shfrytëzimit të ujit plus (WEI+) realizohet duke matur konsumin e ujit si përqindje e burimeve të rinovueshme të ujërave të ëmbla të disponueshme në nivelin e nënpellgut të lumit dhe sipas secilit prej katër tremujorëve të vitit (3 muaj rresht).
Vlerat WEI+ mbi 20% tregojnë se burimet ujore janë nën stres dhe për këtë arsye mbizotërojnë kushtet e mungesës së ujit, ndersa vlerat mbi 40% tregojnë se stresi është i rëndë dhe përdorimi i ujërave të ëmbla është i paqëndrueshëm.
Përqindja e territorit të BE-së që është prekur në të paktën një nga katër tremujorët e vitit nga vlerat WEI+ është mbi 20% në vit.
Ky indeks tregon se 29% e territorit të BE-27, duke përjashtuar Italinë, u prek nga kushtet e mungesës së ujit në vitin 2019. Pavarësisht se marrja totale e ujit ra me rreth 15% në BE midis 2000 dhe 2019, zona e prekur nga kushtet e mungesës së ujit ishte relativisht e qëndrueshme gjatë periudhës, megjithëse ka pasur një rritje që nga viti 2010.
Në përgjithësi, mungesa e ujit është më e zakonshme në Evropën Jugore, ku afërsisht 30% e popullsisë së saj jeton në zona me stres të përhershëm ujor dhe deri në 70% e popullsisë së saj jeton në zona me stres sezonal të ujit gjatë verës.
Marrja e ujit për bujqësinë, furnizimin publik me ujë dhe turizmin janë presionet më të rëndësishme mbi ujërat e ëmbla.
Në kuadër të këtij hulumtimi janë përfshirë edhe të dhënat nga Kosova, të raportuara nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës./Media Ndërtimi.