Kryeqyteti danez është shpallur nga UNESCO si Kryeqytet Botëror i Arkitekturës.
Qytetit, dizajni i të cilit është i pari në Skandinavi që riinterpretoi materialet natyrore në ndërthurje me elementet e Dritave të Veriut, është Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës 2023, cilësim që UNESCO cakton çdo tre vjet për metropolet, të cilët dallojnë në cilësinë e ndërtimit dhe urbanistikës së tyre.
Porti i vjetër tregtar (në gjuhën daneze, København), që shtrihet në ishujt Sjælland dhe Amager, përballë ngushticës Øresund, i dyti pas Vjenës në Indeksin Botëror të Jetësueshmërisë në 2022 (Global Liveability Index) të Economist, është këtë vit djepi i një sërë ngjarjesh, që kulmojnë çeljen e Made in Denmark më 24 mars, ekspozita e parë mbi arkitekturën daneze.
Ajo organizohet në hapësirat e Qendrës së Arkitekturës Daneze (Danish Architecture Center, DAC), në qendrën shumëfunksionale BLOX, në “distriktin e birrës”, Bryghusgrunden, e shndërruar në një Distrikt Kulturor.
Me veprat dhe projektet simbol të ndërtesave, hapësirave urbane dhe arkitekturës së peizazhit, Made in Danmark ilustron fazat e njohurive dhe dijeve, nga vikingët e deri më sot, e cila ka rezultuar jetike për zhvillimin modern demokratik të qytetit.
Të njëjtën fundjavë, Open House Kopenhagen do të çelë hapësira dhe porta, zakonisht të mbyllura për publikun: 40 shtëpi private, pallate dhe kopshte të lashta si Zieglers Gaard në stilin Rokoko, Brønnums Hus simbol në sheshin Kongens Nytorv, që dikur vizitohej edhe nga Hans Christian Andersen.
Dhoma e ndenjjes në katin e dytë të godinës, është ende e zbukuruar me letër-muri origjinale prej lëkure dhe fletë ari.
Deri më 10 prill, DAC do të shfaqë gjithashtu ekspozitën që feston njëqindvjetorin e Vilhelm Luritzen Architects, studio që projektoi terminalin e parë të aeroportit, një kryevepër e modernizmit që daton në vitin 1939, si dhe të gjitha zhvillimet e tij deri në terminalin 3 në 1998.
Në gamën e ngjarjeve të shumta që lidhen me Kryeqytetin Botëror të Arkitekturës, është edhe ekspozita e çelur në Bashkinë e Neo-Rilindjes, Københavns Rådhus, me stemën e qytetit dhe kullën e sahatit, e cila gjurmon fazat e ndërtimit të saj, nga viti 1892 e më pas.
Një turne i paprecedentë me guidë, shoqëron vizitorët në një studio të rindërtuar me materiale nga epoka e arkitektit Martin Nyrop, i cili e konceptoi atë në stil hibrid romantiko-kombëtar, të frymëzuar nga Palazzo Pubblico në Siena.
Nga ana tjetër, ekspozita në DAC “What we have in common” (çfarë kemi të përbashkët), do të hapet më 5 maj deri në tetor, me fokus arkitekturën bashkëkohore, që lehtëson zhvillimin e ndjenjës së komunitetit: sheshe, hapësira urbane që ruajnë dimensionin “rural”, rezidenca studentore të krijuara nga kontejnerë të vjetër dhe apartamente të reja në zona të mëdha të përbashkëta.
Ekspozita Aware, e planifikuar nga 17 nëntori deri në prill 2024, përsëri në DAC, do të fokusohet në marrëdhënien emocionale që zhvillohet midis hapësirave arkitekturore dhe individit.
Statuja më se e famshme prej bronzi e Sirenës së Vogël ndodhet në veri, në hyrje të portit, peshon 175 kilogramë me lartësi 125 cm, e ulur mbi një shkëmb që del nga uji, e kapur në momentin e metamorfozës së bishtit në këmbë.
Një histori me një kthesë të papritur, që meriton të përmendet. Në vitin 1909, Carl Jacobsen, një mbrojtës i pasionuar dhe pronar i birrës Carlsberg-Tuborg, ra në dashuri me personazhin pasi pa në teatër baletin “Sirena e Vogël” dhe porositi skulptorin danez Edvard Eriksen të krijonte një statujë të tij për ta vendosur në Portin e Kopenhagës.
Zgjedhja e modeles ra mbi balerinën tërheqëse Ellen Price, e cila hoqi dorë gjatë realizimit, sapo e kuptoi se nudoja e saj do të ekspozohej para qytetarëve dhe marinarëve. Skulptori nuk e humbi zemrën dhe e zëvendësoi me gruan e tij Eline.
Duke shkuar në jug, në Kulturkvarter (distrikti i kulturës), ku ndodhet BLOX, ka shumë për të vizituar: përveç DAC, Diamanti i Zi me fasadën e tij prej graniti të errët, bregdeti spektakolar i ndërtesës, në Søren Kierkegaards Plads, i inauguruar në 1999 si vazhdim i Bibliotekës Mbretërore.
Në të njëjtin Kulturkvarter, parku shumë i dashur Tivoli dhe Pallati Christiansborg, pallati zyrtar i kurorës daneze, ku vizitohen sallat e mbledhjeve dhe të festave, mund të admirohen sixhadet e krijuara nga artisti Bjørn Nørgaard, të cilat tregojnë më shumë se një mijë vjet të historisë daneze, si dhe koleksioni i enëve prej bakri nga kuzhinat që janë ruajtur te pandryshuara nga viti 1937.
Pallati mbretëror ChristiansborgNdodhi në Christiansborg historia e fatkeqe e dashurisë midis Carolina Mathilde, gruaja e Christian VII, dhe Johann Friedrich Struensee, rrëfyer në librin “Mjeku i oborrit” nga Per Olov Enquist dhe në filmin Royal Affair të Nikolaj Arcel në 2012.
Në sallat e Pallatit, dy të dashuruarit lexuan Volterin. Ata kërcyen së bashku për herë të fundit në ballon me maska të 16 janarit 1772, gjatë lojërave tarot dhe një banketi me pata, ngjala dhe kërmij./Media Ndërtimi