Kompania e ndërtimit “Rexha” shpk, tashmë është bërë kontraktues i rregullt në Komunën e Prishtinës. Kjo kompani viteve të fundit ka fituar më së shumti kontrata në Prishtinë, por komuna ka një përvojë jo të mirë me të.
Për shkak që bëri defekte dhe nuk i riparojë, kontrata me kompania “Rexha” për punimet në platonë e “kurrizit” ka kohë që është ndërprerë nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompania është paguar për punimet e përfunduara deri në ndërprerjen e kontratës. Pjesa tjetër e punimeve, të cilat nuk janë përfunduar, që parashihen në projektin e revitalizimit të platosë së “kurrizit”, do të trajtohen me procedurë shtesë të prokurimit, shkruan lajmi.net.
Por, në kohën që komuna ia ka ndërprerë kontratën, ka lidhur një tjetër me të po në atë zonë, e që ka të bëjë më “Ndërtimi i parkut rekreativo –sportiv në Dardani dhe renovimi i hapësirës” përballë ndërtesës së Postës. Vlera e kontratës është 473, 369.61 euro. Mandej, komuna kishte refuzuar disa herë ankesën e një kompanie kur tenderi ishte në procedurë, ofertë e cila ishte më e lirë.
Ka disa javë që kanë nisur punimet në këtë zonë.
Muhamed Emra, zyrtar i lartë për ndërtim urban në Komunën e Prishtinës e ka konfirmuar se kontrata për punimet mbi plato është shkëputur, pasi kompania nuk ka sanuar defektet dhe se garancioni bankar që kishte deponuar kompania është tërhequr.
“Ju njoftojmë se kontrata: Bulevardi mbi pllatone e Kurrizit është shkëputur. Kemi kërkuar përmes shkresës nga operatori për sanimin e defekteve te paraqitura mirëpo operatori nuk është përgjigjur kërkesës tonë, me ketë rast kemi kërkuar nga zyra e prokurimit tërheqjen e sigurimin të garancionit të kontratës në fjalë”, ka thënë Emra për lajmi.net. Ai nuk ka treguar se sa është vlera e dëmeve.
Pjesa tjetër e punimeve, të cilat nuk janë përfunduar e që parashiheshin në projektin e revitalizimit të pllatosë së “kurrizit” do të trajtohen me procedure shtesë të prokurimit.
Punimet mbi tunelin e kurrizit, për herë të parë kanë filluar në vitin 2015. Vlera e këtij projekti shkoi në afër 1 milion euro, kurse projekti në tërësi pritej të zgjaste 180 ditë pune. Pjesë e këtij projekti ishte ndërrimi i të gjitha pllakave mbi kurriz, shtimi i hapësirave gjelbëruese mbi plato, ndriçimi, fontana etj.
Lajmi.net ka raportuar edhe më herët për dëmet e shkaktuara dhe cilësinë jo të mirë të punimeve në platon e kurrizit në lagjen ‘Dardania’.
Një avaz i njëjtë e kishte shoqëruar komunën edhe në vitin 2019 me këtë kompani. Para pak kohësh, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike ka vendosur në favor të kompanisë “Rexha” SH.P.K në një padi që kjo e fundit kishte bërë ndaj Komunës së Prishtinës, për shkëputje të njëanshme të kontratës.
Padia është bërë në vitin 2019, për kontratën e vitit 2017, me titull “Ndërtimi i urave në Pjesën Perëndimore të Unazës Qendrore” me çmimin prej 1 milionë e 969 mijë euro.
Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që e ka parë lajmi.net thuhet, se “Miratohet si i bazuar kërkesëpadia e paditësit “Rexha” në atë mënyrë që e paditura Komuna e Prishtinës t’i paguaj paditësit shumën në tersi prej 887, 592,47 euro dhe në emër të kompensimit shumën prej 50 mijë të borxhit të mbetur e të papaguar për punët e kryera”.
Ndërkaq, në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar si pasojë e mos aktivizimit të makinerisë dhe materialeve të tjera duke përfshirë edhe fuqinë punëtore t’ia paguajë shumën prej 658.664.68 euro. E në emër të fitimit të humbur komuna e Prishtinës duhet të paguaj shumën prej 178.927.79 euro. Të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8 për qind duke e llogaritur prej datës së parashtrimit të padisë me dt. 12.04.2019 e deri në pagesën definitive.
“Gjykata e miratoj kërkesëpadinë e paditësit edhe përkitazi me kamatëvonesën e kërkuar, ashtu që e detyroj të paditurën që përveç borxhit kryesor paditësit ti paguaj edhe kamatën ligjore prej 8% në vit nga data e parashtrimit të padisë, gjegjësisht nga data 28.06.2019 e deri në pagesën definitive bazuar në nenin 382.1, pikë 2 të LMD-së”, thuhet në vendim.
Sipas arsyeshmërisë së vendimit, thuhet se punët duhej të kryheshin në një afat prej 180 ditësh nga dita e nënshkrimit të kontratës. Mirëpo më pas Komuna e Prishtinës ka neglizhuar dhe nuk e ka realizuar obligimin e saj për të krijuar kushtet dhe hapësirat e punës.
Komuna e Prishtinës nuk ka dashur të përgjigjet për këtë çështje.
Kjo kompani ka fituar disa kontrata nga Komuna e Prishtinës, dhe aktualisht pos punëve në Dardani të Posta është duke punuar edhe në projektin “Ndërtimi i parqeve rekreativo –sportive, renovimi i kompleksit Qafa”. Për këtë projekt, komuna ia ka aprovuara para pak kohe kësaj kompanie edhe punët shtesë, duke lidhur një tjetër ankesë kontratë. /Lajmi.net/