Connect with us

Infrastrukturë

Komuna e Graçanicës shkëmbeu parcela me biznesmenin Rexhë Shoshi, protestojnë banorët me peticion  

Published

on

Për Stanisha Petroviqin nuk ka asnjë fjalë tjetër që mund ta përshkruajë vendimin për shkëmbim të një prone mes Komunës së Graçanicës dhe një biznesmeni, përveçse “i turpshëm”.

Për të ngritur zërin kundër këtij shkëmbimi, i cili, siç thotë, është vetëm një karakteristikë e korrupsionit që “mbretëron në këtë komunë” jo larg Prishtinës, Petroviq nënshkroi një peticion qytetarësh.

Ai është njëri nga dhjetëra nënshkruesit, me të cilët u takua para ndërtesës së Komunës së Graçanicës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në këmbim, ai do të fitojë një copë toke prej 17 hektarësh, e cila gjendet përgjatë bregut të Liqenit të Badovcit.

Ky vendim u miratua njëzëri më 28 shtator në seancën e Kuvendit Komunal të Graçanicës.

Toka që do të kalojë në pronësinë e Shoshit, është aktualisht në pronësi të komunës.

Ligji i Kosovës e lejon këtë lloj shkëmbimi, por, në këtë rast, është e paqartë se përse autoritetet lokale nuk i kanë shpjeguar arsyet përse toka, në të cilën rruga është në pronësi të një personi privat, është etiketuar si tokë “strategjike”.

Kundërshtarët e vendimit të tillë besojnë se kompania e Shoshit, së shpejti, do të fillojë të ndërtojë diçka në atë vend.

Rexhë Shoshi, me të cilin Komuna e Graçanicës shkëmbeu parcela, sipas informacioneve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, është pronar i dy kompanive.

Në të njëjtën faqe thuhet se kompania AMF COMPANY është një kompani pasive, pra nuk operon, por se, për këtë arsye, TCT SH.P.K. është shumë aktive, përkatësisht merret me punë që variojnë nga transporti i produkteve të ndryshme deri te ndërtimi i objekteve të banimit, rrugëve, autostradave etj.

REL kontaktoi Shoshin për ta pyetur se çfarë planifikon të bëjë me pronën që do të marrë nga Komuna e Graçanicës dhe nëse është e vërtetë se kjo pronë është “e papërdorshme”, siç pretendon kryetarja e Komunës së Graçanicës.

Shoshi tha se po udhëtonte jashtë vendit dhe se do të përgjigjet sapo të dalë nga aeroporti. Megjithatë, deri në përfundimin e këtij artikulli, ai nuk u përgjigj.

Radio Evropa e Lirë konstatoi se, vitin e kaluar, edhe Komuna e Prishtinës ka shkëmbyer prona me Shoshin. Autoritetet lokale kanë dhënë disa nga parcelat e tyre në vendbanimin “Prishtina e Re” dhe, në këmbim, kanë marrë parcela, në të cilat “është ndërtuar një rrugë që përdoret për interes publik”.

Në mars të këtij viti, ndërkaq, Shoshi ka kërkuar nga autoritetet lokale në Prishtinë leje për të filluar ndërtimin e një objekti banesor dhe komercial në parcelat që i ka marrë në këmbim.

Bashkë me kërkesën, ai ka dorëzuar edhe një projekt-propozim për ndërtim. REL nuk ka arritur të marrë vesh nëse autoritetet lokale në Prishtinë e kanë miratuar ose jo kërkesën e tillë.

Çfarë thotë ligji?

Ligji për vetëqeverisjen lokale thotë se komuna, në emër të interesit publik, ka të drejtë të shkëmbejë pronë të paluajtshme me persona fizikë dhe juridikë, me institucionet qendrore dhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Neni 24 i këtij ligji përcakton kushtet me të cilat mund të bëhet shkëmbimi ndërmjet një komune dhe një personi privat.

Sipas ligjit, pasuria e paluajtshme e komunës mund të shkëmbehet vetëm për sigurimin e pronës që është me interes publik, “në përputhje me kompetencat ligjore në nivel të vetëqeverisjes lokale”.

Ligji, ndër të tjera, thotë se për fillimin e procedurave për shkëmbimin e pronës komunale, kryetari është i obliguar që të paraqesë një raport zyrtar të vlerësimit, se nuk ka pronë tjetër komunale të përshtatshme për këtë qëllim.

Kush e nis dhe kush e përfundon procesin e shkëmbimit të pronave?

Vendimin përfundimtar për shkëmbimin e pronës, pas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e merr Autoriteti i Vlerësimit Financiar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ministria thotë se vlerësimi në rastin e shkëmbimit të parcelave në mes të Komunës së Prishtinës dhe personit privat, Rexhë Shoshi, ka përfunduar, përkatësisht komuna ka marrë pëlqimin për kryerjen e këtij shkëmbimi.

Ministria thotë se Komuna e Graçanicës nuk ka dërguar ndonjë kërkesë të ngjashme për vlerësim.

Iniciativa për shkëmbimin e pronës me Shoshin është ndërmarrë fillimisht më 15 qershor të vitit 2021 nga kryetari i atëhershëm i Graçanicës, Sërgjan Popoviq, pasi një vendim i tillë është miratuar në Kuvendin Komunal.

Arsyetim i Popoviqit ka qenë se shkëmbimi do të bëhet për “interesin publik”, pra “për lidhjen e 32 parcelave me një rrugë publike”.

Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh nga burime të mirinformuara se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka refuzuar ta vlerësojë atë vendim si të ligjshëm, pasi Kuvendi Komunal ka qenë me mandat teknik, për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale.

Burimi i njëjtë shpjegon se autoritetet aktuale lokale në Graçanicë nuk kanë qenë të obliguara që sërish të iniciojnë shkëmbimin e tokës. Nga ministria kompetente nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë./Media Ndërtimi.

Infrastrukturë

“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh

Published

on

Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.

Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.

“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.

Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.

„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.

Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.

“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.

Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.

“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme

Published

on

Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.

Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.

Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.

Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.

Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.

Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.

Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.

Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.

Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.

Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.

Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.

Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.

Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.

Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri

Published

on

Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.

Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.

Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.

Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.

Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.

Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi

Continue Reading

Trending