Connect with us

Infrastrukturë

Komuna e Gjakovës kufizon konkurrencën e lirë në tenderin 4 milionësh për renovimin e stadiumit

Published

on

Organizata INPO reagon  kundër kufizimit të konkurrencës së lirë, trajtimit jo të barabartë, favorizimit dhe diskriminimit të një apo më shumë operatorëve ekonomikë në tenderin për “Renovimi i stadiumit të qytetit në Gjakovë-Tribuna Perëndimore”, me numër të prokurimit 632-24-5437-5-1-1 dhe vlerë të parashikuar 4,000,000.00 euro, inicuar nga Komuna e Gjakovës.

INPO ka analizuar dokumentet e tenderit dhe ka gjetur se komuna ka vendosur një varg kërkesash për kapacitetet teknike dhe profesionale të cilat janë irelevante, jo proporcionale me lëndën e prokurimit, diskriminojnë operatorët ekonomikë (OE) të interesuar dhe favorizojnë OE të caktuara.

Më qëllim të sigurimit të ligjshmërisë dhe integritetit të aktivitetit të prokurimit, INPO ka kërkuar nga Komuna e Gjakovës që të rishikojë, kërkesat si në vijim:

1)“Operatori Ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka ose mund të angazhojë staf të mjaftueshëm për realizimin me sukses të punimeve me këto kapacitete minimale, Staf profesional dhe të mesëm teknik së paku lista e stafit të mesëm teknik minimum 35 punëtor të cilët duhet jenë të çertifikuar për siguri dhe shëndet në punë, nga një kompani e çertifikuar nga MPMS – Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.“

2)“Një kimist industrial me pesë vite përvoje pune i çertifikuar nga MPMS për siguri dhe shëndet në punë, i njëjti duhet të posedoj licencë për VNM nga ministria përkatëse me pesë vite përvojë pune.“

3)“(i) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 9001 2015 për menaxhim të cilësisë (ii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 14001 2015 për menaxhim të ambientit,  (iii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 45001 2018 për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë.“

4)“Operatori Ekonomik duhet të jetë i pajisur me licencë ISO – ISO 9001- 2015 – Standard Ndërkombëtar për menaxhimin e sistemit të cilësisë – ISO 14001 – 2015 – Standard Sistemi e menaxhimit mjedisor – ISO 45001 – 2018 – Standard i për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë. – ISO 26000 – 2010 – Sistemi e menaxhimit te përgjegjësisë shoqërore – Social Responsibility – ISO 39001 – 2012 – Sistemi për menaxhimin e sigurisë së trafikut në rrugë – ISO ISO 99 – 2012- Sistemi i Integruar i Menaxhimit – ISO 28001 – 2007 – Sistemi i menaxhimit te sigurisë ne zinxhirin e furnizimeve – ISO 50001 – 2018 – Sistemi i menaxhimit te energjisë.“

Komuna pas rekomandimit të INPO-s, ka korrigjuar vetëm disa nga kërkesat, konkretisht duke  i larguar nga dosja e tenderit vetëm kërkesat për “(i)Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 9001 2015 për menaxhim të cilësisë. (ii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 14001 2015 për menaxhim të ambientit,(iii) Një Lead Auditor sipas kërkesave të standardeve ISO 45001 2018 për sistemin e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë, si dhe kërkesat për “ISO 26000 2010 – Sistemi e menaxhimit të përgjegjësisë shoqërore dhe ISO 28001 2007 – Sistemi i menaxhimit te sigurisë ne zinxhirin e furnizimeve.”

INPO i rikujton komunës së Gjakovës se kërkesa për minimum 35 persona staf i mesëm dhe teknik të çertifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është kërkesë e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, sikundër që as kërkesa për një kimisit industrial të çertifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë. Madje, kërkesa për një kimist industrial, nuk është parë të jetë kërkesë e tenderëve të tjerë të natyrës së njejtë, siç është ai për renovimin e stadionit të Prishtinës dhe Gjilanit.

Se ky tender kufizon konkurencën e lirë dhe favorizon OE të caktuara, është edhe fakti që komuna në mënyrë të kundërligjshme ka bërë shkurtimin e afateve ligjore për dorëzimin e tenderëve, nga minimum dyzet (40) ditë sa është e paraparë me ligj për kontrata të punës me vlerë të madhe, në njëzet e një (21) ditë.

Andaj, INPO fton komunën e Gjakovës që të përmirësoj dhe të korrigjoj këto kërkesa diskriminuese, favorizuese dhe që kufizojnë konkurrencën e lirë të OE-ve dhe të ju jap kohë dhe mundësi të gjithë OE-ve të interesuar të përgatisin dhe dorëzojnë ofertat e tyre. Po ashtu, i bëjmë thirrje Kryetarit te Komunës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurohet se zyrtarët e tij nuk aplikojnë kritere dhe kërkesa diskriminuese dhe të kundërligjshme në aktivitetet e prokurimit të komunës dhe se paraja publike menaxhohet dhe shpenzohet vetëm përmes zbatimit të plotë të rregullave të prokurimit dhe atyre financiare./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

A kanë të ardhme veturat elektrike në Kosovë?

Published

on

Importi i veturave elektrike në Kosovë nuk është në ritmin e importit të veturave me djegie të brendshme. Destinacioni kryesor prej nga vijnë këto vetura me djegie të brendshme është Gjermania. Janë me qindra autosallone që shesin vetura të përdorura, së paku 10 vjet më të vjetra sesa data e importit.

Ligji për Automjete ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Ky ligj po ashtu ndalon importimin e makinave që nuk plotësojnë standardin Euro 4, për mbrojtje të ambientit nga lirimi i gazrave dhe grimcave PM. Euro 4 është një nga standardet, që kategorizon veturat që janë të prodhuara nga viti 2006 dhe gjatë lëvizjes me naftë nuk liron më shumë se 0.25g/km okside të azotit, teksa në lëvizje me benzinë nuk liron më shumë se 0.08g/km okside të azotit.

Përkundër neneve të këtij ligji që synojnë ta parandalojnë emetimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë, nuk ka asnjë nen që bën dallimin për importin e automjeteve “të gjelbra”. Ato i nënshtrohen procedurave sikur automjetet me djegie. Veç një dipozitë përmendet aty, ku thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mundet që të ndryshojë procedurat e regjistrimit dhe kostove për mjetet motorike elektrike dhe hibrid.

Momentalisht, në Kosovë, importi i një veture elektrike është i njëjtë me importin e një veture që djeg naftë dizel apo benzinë.

Nëse importohet veturë elektrike e re, dogana do të kushtojë 10% e vlerës totale të produktit, në këtë rast të veturës. Këtu përjashtohen vendet e origjinës që janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) , Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian (MSA)  dhe që vijnë nga Britaninë e Madhe, teksa për Turqi vlen 2%, pasi Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë me Turqinë. Kurse TVSH është 18%. Në rastin kur importohen veturat elektrike të përdorura, obligimet janë të njëjta sikur me vetura të reja, përpos që shtohet taksa e akcizës. Akciza është tatim, i cili vendoset pasi ai produkt ka kosto shtesë për qytetarët dhe nuk është esencial, sikur mund të ketë kosto shtesë në dëmtim të ambientit. Por, veturat elektrike, edhe pse nuk lirojnë asnjë gaz dhe asnjë grimcë në ajër, në Kosovë duhet të paguajnë.

Akciza ppër automjete deri tetë vjet të vjetra paguhet 400 euro për njësi, deri nëntë vjet paguhet 600 euro dhe deri në 10 vjet paguhet 700 euro.

MPB s’ka kthyer asnjë përgjigje në pyetjet e K2.0 në lidhje me ndonjë nismë për ndryshime. Njëjtë, përgjigje nuk ktheu as Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MIT), që ka në supe ndryshimin e këtij ligji.

Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku futet edhe transporti rrugor, është diskutuar që veturat elektrike të trajtohen më ndryshe nga veturat me djegie të brendshme.

“Ministria e Infrastrukturës është duke punuar që të rregullojë një ambient ligjor më të mirë për importim të veturave elektrike, që me i stimulu qytetarët. Janë duke pa çka ka bërë rajoni dhe si ta bëjmë ne më mirë”, tha për K2.0 deputetja Fitore Pacolli, e cila udhëheq këtë komision parlamentar.

Rajoni në këtë pikë ka ecur shumë kohë më përpara. Në vitin 2020, Shqipëria vendosi ta hiqte pagesën e TVSH për import të veturave elektrike. Në vitin 2017, në Maqedoninë e Veriut pati një zvogëlim nga 18% në 5% të TVSH për veturat elektrike që importohen. Në Serbi, qytetarët që do të blejnë vetura elektrike do të subvencionohen deri në një masë të çmimit të përgjithshëm të veturës, duke ua bërë më tërheqëse heqjen dorë nga veturat me djegie të brendshme.

Veturat elektrike janë të qëndrueshme për mjedis

Synimi i qeverisë së Kosovës është që deri në vitin 2031 ta ulë emetimin e gazrave serrë për 32%.

Por, si në rastin e burokracisë në instalimin e paneleve diellore të energjisë, edhe në mbështetjen e importit të veturave elektrike, sjellja dhe përshtatja e kornizës së duhur ligjore stagnon. Përdorimi i veturave elektrike, ndonëse mund të ketë kosto të lartë investimi, ka ndikim të madh në uljen e ndotjes së ajrit dhe emetimin e gazrave serë në atmosferë. Ndryshe prej makinave që përdorin lëndë djegëse si nafta dhe benzina.

Numri i mjeteve motorike të regjistruara në Kosovë — nga veturat e deri tek kamionët me rimorkio — ka pasur trend rritës vazhdimisht. Përderisa në vitin 2016 numroheshin afro 320,000 mjete motorike, prej të cilave mbi 260,000 vetëm vetura, në vitin 2023 sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës numërohen mbi 460,000 mjete motorike, prej të cilave afro 369,000 vetura.

Një publikim i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2023, thotë se transporti ka një rritje vjetore prej 4.4% në ndotje të ajrit në Kosovë dhe rritja në motorizim shënohej 80% në periudhën 2010-2020.

Për 100 kilometra në qytet, një makinë që djeg naftë shpenzon mesatarisht 8 litra. Nga kjo djegie lirohen 21.4 kg CO2. Ndërkohë një makinë që djeg benzinë, për 100 kilometra në qytet shpenzon mesatarisht 10 litra benzinë. Nga kjo djegie, lirohen 19.36 kg CO2.

Por, makinat elektrike nuk emetojnë gazra serë gjatë lëvizjes. Tek veturat elektrike llogariten vetëm emetimet që i shkakton gjenerimi i energjisë, që në Kosovë, në mbi 90%, është nga termocentralet. Si rrjedhojë termocentralet llogariten të emetojnë 1 ton dioksid karboni për prodhimin e 1 MWh energji elektrike. Në një përllogaritje të tillë del se për 15 kwh mbushje, në termocentral lirohen 15kg CO2.

Autor: Uran Haxha
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

Continue Reading

Infrastrukturë

Durmishi: Punimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë po realizohen me ritme të shpejta

Published

on

Zëvëndësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka publikuar pamje nga punimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.

Durmishi ka thënë se po ecin me ritëm të shpejt.

“Punimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, po ecin me ritme të shpejta, ku po punohet çdo ditë.

Kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë pasi është rrugë e cila përballon një fluks të lartë lëvizjeje, dhe ka rëndësi të veçantë pasi është rrugë që lidh qytete e fshatra të vendin tonë” shkruan zëvëndësministri në njoftim./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Barcelona shpallet nga UNESCO kryeqyteti Botëror i Arkitekturës për vitin 2026

Published

on

Duke iu bashkuar Kopenhagës dhe Rio de Zhaneiros, Barcelona është emëruar Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës i UIA-s për vitin 2026 nga UNESCO.

Ky titull njeh angazhimin e qytetit për të promovuar vlerat e arkitekturës, planifikimit urban dhe qëndrueshmërisë. Duke kaluar Pekinin si pretendenti tjetër për titullin e vitit 2026, Barcelona fitoi ofertën me propozimin e saj të titulluar “Një sot, një nesër”, me një plan për të pritur një seri ngjarjesh transformuese në të gjitha rrethet e saj dhe për t’u bërë një laborator kërkimor që analizon kapacitetin e arkitektura për të transformuar realitetin me kalimin e kohës.

Për dhjetë muaj, nga festivali i Santa Eluàlia në shkurt në Santa Llúcia në dhjetor, qyteti planifikon të jetë i gjallë me një gamë të gjerë aktivitetesh që synojnë angazhimin e publikut. Sipas përditësimit të fundit të qytetit, kalendari do të përfshijë ekspozita, rrugë arkitekturore të drejtuara, seminare, dyer të hapura për ndërtesa të rëndësishme, instalime dhe konferenca të nivelit të lartë.

Kryetari i bashkisë, Juame Collboni dhe UNESCO-UIA kanë paraqitur një qasje gjithëpërfshirëse për edukimin dhe përfshirjen e qytetarëve në ligjërimin arkitektonik. Kryebashkiaku Callboni theksoi qëllimet e dyfishta të këtyre nismave: thellimin e të kuptuarit publik të rolit të arkitekturës në përmirësimin shoqëror dhe nxitjen e një vlerësimi të ri për peizazhin ekzistues urban. Nisma planifikon gjithashtu një ceremoni hapëse dhe mbyllëse me ndikim, duke shfaqur ndriçimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në të gjithë qytetin, duke shtuar një festë vizuale të trashëgimisë arkitekturore të Barcelonës.

Në lajme të tjera të ngjashme në Barcelonë, përfundimi i shumëpritur i Sagrada Familia pritet të bëhet në vitin 2026, që përkon me 100 vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudi. Këtë vit, Bienalja Evropiane Nomadike, Manifesta 15 Barcelona Metropolitana ka zbuluar një program të decentralizuar që përfshin peizazhin e qytetit nga 8 shtatori deri më 24 nëntor.

Themeluar në vitin 1948, Unioni Ndërkombëtar i Arkitektëve (UIA) është një organizatë joqeveritare e mbështetur nga UNESCO dhe synon të nxjerrë në pah rolin e arkitekturës dhe planifikimit urban në formësimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe trajtimin e sfidave globale. I caktuar çdo tre vjet, Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës së qytetit do të bëhet një forum ndërkombëtar për debat rreth çështjeve që lidhen me mjedisin urban./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending