Connect with us

Ndërtim

Kompania e lidhur me zyrtarin e PS ndërtoi ‘pa leje’ në zemër të Tiranës

Published

on

Mazhoranca po përpiqet të mbulojë me një fushatë dezinformimi faktin se ndërtuesit e kateve pa leje në kullat e Tiranës – të cilët ajo i ka përfshirë në një skemë legalizimi dhe amnistie penale përmes një VKM-je me bazë të dyshimtë ligjore, janë njerëz të lidhur me pushtetin.

Fushata e debatueshme e qeverisë në denoncimin e shtesave pa leje në kullat e ndërtuara në Tiranë vijoi të premten me denoncimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi te një pallat 13-katësh pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë.

Nëpërmjet një video të regjistruar, por që u transmetua sikur ishte ‘live’ në faqen e kryeministrit Edi Rama në ‘Facebook’, Çuçi i shoqëruar nga drejtuesja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici dhe drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi tha se çdo metër pa leje i pallatit në fjalë do t’i kthehet popullit.

“Ky subjekt, jo vetëm ka kate pa leje, por ka dhe një ndryshim skandaloz të projektit nga ai i miratuari më përpara,” tha Çuçi me pallatin në sfond.

“Kjo që po bëjmë nuk është një fushatë mediatike apo demagogji”, pretendoi ai më tej ne video.

Pas shfaqjes live në Facebook, BIRN vizitoi sheshin e pallatit me 11 kate plus dy kate papafingo të denoncuar si skenë krimi, por në vend të policisë, aty kishte vetëm punëtorë ndërtimi.

Sheshi i zbrazur për të bërë videon ishte mbushur sërish me makina të parkuara, ndërsa nga brenda ndërtesës oshëtinte zhurma e makinerive të ndërtimit. Në një shesh të dytë, punëtorët e krahut vazhdonin të bënin llaç të pashqetësuar.

Serioziteti i fushatës që bazohet në një Vendimi të Këshillit të Ministrave të 7 shtatorit është vënë në dyshim nga opozita dhe ekspertët, të cilët akuzojnë qeverinë se synon në fakt amnistimin penal të ndërtuesve pranë qeverisë, duke shkelur si Kodin Penal ashtu edhe Kushtetutën.

Rasti i fundit i denoncuar nga Çuçi duket se u jep të drejtë pretendimeve të opozitës.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pallati i denoncuar nga ministri i Brendshëm në zonën e “Myslym Shyrit” është ndërtuar nga “ARB & TRANS-2010”; një kompani e themeluar nga Arben Maloku, 36 vjeç, i cili deri në 9 shtator 2022 mbante funksionin e kryetarit të njësisë administrative të Zall-Herr të bashkisë së Tiranës dhe është kryetar i Partisë Socialiste në të njëjtën njësi administrative.

Të pyetur nga BIRN nëse ndaj “ARB & TRANS-2010” ishte bërë kallëzim penal pas konstatimit të shkeljeve ligjore, Bledi Çuçi, Policia e Shtetit dhe Dallëndyshe Bici nuk kthyen përgjigje. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po ashtu nuk ktheu përgjigje për lidhjen e ish-zyrtarit të bashkisë me katet pa leje në kryeqytet dhe mungesën e referimeve nga institucionet në varësi të tij për këtë ndërtim.

Ndërsa përfaqësuesja e “ARB & TRANS-2010”, Esmeralda Maloku pranoi se ishte në dijeni të deklaratave të Ministrit të Brendshëm, por theksoi se ajo nuk mund të thoshte se çfarë qëndrimi do të mbante kompania.

Në fillim të shtatorit, qeveria miratoi një VKM, sipas së cilës katet e ndërtuara pa leje ose dhurohen në këmbim të legalizimit të godinës, ose paguhen nga ndërtuesit me çmimin e tregut, plus një masë administrative. Në këmbim, vetë kryeministri dhe ministrat u kanë premtuar ndërtuesve se nuk do të ndiqen penalisht.

Por opozita dhe ekspertët mendojnë se ndërsa vendimi forcon sanksionet administrative, ai në thelb është një një përpjekje nga qeveria për të amnistuar veprat penale të ndërtuesve pranë saj, të cilët rrezikojnë sipas Kodit Penal deri në 8 vjet burg për ndërtimet e paligjshme me qëllim fitimi.

Për t’u mbrojtur nga këto akuza, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sulmuan të premten Prokurorinë e Tiranës, duke aluduar se VKM-ja ishte një zgjidhje për shkak se kjo e fundit nuk kishte vepruar.

“Kur u vijnë dosje nga subjekte të kamura për evazion fiskal, për ndërtim pa leje, për krime të tjera, e shohin si një mundësi për të pasuruar xhepat e tyre”, tha ministri Çuçi në videomesazhin e filmuar pranë rrugës “Myslym Shyri”.

Çuçi theksoi se ndërsa institucionet në varësi të tij kishin përgjegjësi, barra më e madhe binte mbi drejtësinë, por nuk shqiptoi ndonjë rast konkret të mosveprimit.

Por kryeprokurori i Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se për sa kohë ai drejtonte prokurorinë, nuk ka pasur raste të tilla. Çela tha gjithashtu se të gjitha çështjet e denoncuara publikisht nga anëtarët e qeverisë “janë nën hetim nga prokuroria”.

Kryeministri deklaroi të enjten se ishte nënshkruar kontrata e parë e dhurimit nga një ndërtues në favor të shtetit bazuar në VKM-në e shtatorit, për rreth 4600 metra katrorë të ndërtuara pa leje në qendër të Tiranës. Një ditë më vonë, ai këmbënguli se mosreagimi i prokurorisë për këtë rast ishte arsyeja për miratimin VKM-së nga qeveria.

Rama paraqiti dy fletë të një denoncimi nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në të cilat pretendohet se kompania ‘Ideal Construction’, me ortak të vetëm biznesmenin Armand Lilo, ka shkelur lejen e ndërtimit dhe se duhej të procedohej penalisht.

Kompania në fjalë po ndërton kullën e pagëzuar si “Eye of Tirana” në afërsi të sheshit “Skënderbej”. Denoncimi mban datën 1 korrik 2022, por Rama i referohet se ka ndodhur “kohë më parë”.

“Dhe ky nuk është i vetmi rast, por rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë”, tha kryeministri në deklaratën e tij.

Ndryshe nga sa aludoi Rama, prokurori i Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se rasti i kullës “Eye of Tirana’ dhe kallëzimi i IKMT-së ishin duke u hetuar.

“Edhe ky rast është në hetim si të gjithë rastet e tjera,” tha Çela, ndërsa shtoi se nuk donte të përfshihej në debatet politike.

I pyetur për akuzat dhe sulmet e përfaqësuesve të qeverisë ndaj organit të akuzës, drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment.

Ndërtim

Qeveria jep 6 milionë euro shtesë për punimet e rrugës Prishtinë-Podujevë

Published

on

‘Punët me intensitet të lartë’ në rrugën Prishtinë – Podujevë kanë bërë që Qeveria e Kosovës të ndajë edhe 6 milionë euro shtesë për këtë projekt infrastrukturor.

Më 3 korrik 2023, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka bërë të ditur inauguruar fillimi i punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Kompanitë që kanë fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës për të ndërtuar rrugën Prishtinë – Podujevë, rezultojnë se në të kaluarën kanë pasur gjoba të shqiptuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për nxjerrje ilegale të mineraleve.

Të dhënat e siguruara nga KPMM tregojnë se kompanitë ndër vite janë gjobitur për nxjerrje ilegale të zhavorrit, gurit të fortë, rërës apo të reshpes.KPMM ka bërë të ditur për KALLXO.com se kompanitë e gjobitura e që janë duke punuar rrugën Prishtinë – Podujevë janë ‘Pro&Co Group’, ‘2A Group’, ‘Bageri-1’, ‘Bageri’, ‘Kosova Aslfalt’ dhe ‘Beni-com’.

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Group for Legal and Political Studies, Institute for Development Policy (INDEP) dhe Instituti GAP, në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë për shkeljet e njëpasnjëshme ligjore në procesin e prokurimit “Zgjerimi i rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë” nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Edhe përkundër rekomandimeve të KRPP-së, si dhe shkeljeve të evidentuara, MMPHI ka vazhduar jashtëligjshëm me nënshkrim të kontratave dhe operatorët ekonomik kanë filluar punën. Ne kërkojmë që të rishqyrtohen dhe të anulohen vendimet e marra në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe ju bëjmë thirrje organeve kompetente ta hetojnë këtë aktivitet të prokurimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Vazhdon ndërtimi dhe renovimi i shtëpive të shqiptarëve në Veri të Kosovës

Published

on

Në Mbledhjen e 162-të të Qeverisë, miratuam vendimin për vazhdimin e mëtutjeshëm të Rindëritimit dhe Renovimit të Shtëpive individuale të familjeve, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë gjatë periudhës kohore 1998/1999.

Gjatë luftës së fundit, vendit tonë i janë shkaktuar dëme masive shkatërruese nga Serbia, që vazhdojmë t’i vuajmë ende edhe sot.

Bazuar në situatën e gjendjes faktike të familjeve në Veriun e Republikës se Kosovës, dhe sipas Raportit të Komisionit Vlerësues të Komunës së Mitrovicës mbi dëmet e shkaktuara të luftës gjatë viteve 1998/99, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me organin kompetent komunal, është marrë vendimin për vazhdimin e projektit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara gjatë asaj periudhe kohore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Pezullohet ndërtimi i linjës hekurudhore Budapest-Beograd

Published

on

Puna e ndërtimit në linjën hekurudhore Budapest-Beograd është pezulluar pasi konsorciumi kontraktor kinezo-hungarez përpiqet të përmbushë standardet e sigurisë të Bashkimit Evropian (BE).

Konsorciumi, i udhëhequr nga konstruktorët kinezë dhe homologët e tyre hungarezë, po përballet gjithashtu me tejkalime buxhetore, vonesa të projektit dhe negociata politike mbi projektin, i cili shihet si një komponent kryesor i Iniciativës së Rripit dhe Rrugës së Kinës.

Fillimisht i nisur me një buxhet prej 2.1 miliardë euro, projekti është goditur me një sërë pengesash, më e fundit prej të cilave është dështimi për të siguruar një sistem sigurie që përputhet me standardet e BE-së. Kjo ka ngecur aktivitetet e ndërtimit në linjën hekurudhore.

Një nga kërkesat kryesore për projektin është të mundësojë që trenat të udhëtojnë me shpejtësi deri në 160 km në orë. Për ta arritur këtë, linja hekurudhore duhet të jetë në përputhje me sistemin e sigurisë të standardizuar nga BE, i njohur si Sistemi Evropian i Kontrollit të Trenit (ETCS).

Përpjekjet e konsorciumit për të përmbushur këto kërkesa thuhet se kanë rezultuar të pasuksesshme deri në këtë pikë.

Sipas raporteve nga rrjeti lokal i gazetarëve Telex, projekti gjithashtu tani ka nevojë për fonde shtesë, kryesisht për shkak të rritjes së kostove të ndërtimit.

Kompania hungareze në konsorcium, RM International, ka tërhequr fuqinë punëtore dhe makineritë e saj nga kantieri.

Raportohet se ata janë ricaktuar për rinovimin e linjës kryesore hekurudhore të Hungarisë midis Budapestit, Gyor dhe Vjenës.

Përmirësimi i linjës hekurudhore Budapest-Beograd është një projekt hekurudhor me shpejtësi të lartë prej 350 km i financuar kryesisht nga Exim Bank e Kinës, e cila po kontribuon me 85% të investimit total të projektit.

Continue Reading

Trending