“Kushtet në këtë pjesë të klinikës janë katastrofë”, thotë një infermiere duke treguar nga një sallë e operacionit e Klinikës së Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lagështi, rrjedhje uji, mure të çara e kabllo elektrike mund të vërehen gati në çdo cep të saj.
Me qëllim të, siç thuhet, përmirësimit të kushteve dhe ofrimit të shërbimeve më të mira, në vitin 2019 ka nisur ndërtimi i një objekti aneks, apo shtesë, shumë pranë Klinikës së Ortopedisë.
Për finalizimin e tij, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka lidhur kontratë me një kompani ndërtuese, në vlerë prej mbi 2.2 milionë eurosh, ndërsa për punët e paparashikuara ka ndarë edhe mbi 592.000 euro.
Ka qenë e paraparë që projekti të finalizohet brenda dy vjetësh, por ky afat nuk është përmbushur. Dhe kontrata, ndërkohë, ka pësuar ndryshime, apo plotësime.
“Kontrata lidhur me ndërtimin e aneksit për Klinikën e Ortopedisë është në implementim e sipër”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Drejtorisë së QKUK-së, dhënë REL-it.
“Faza e parë [e projektit] – pjesa e sallave operative – ka përfunduar dhe është në proces të pranimit teknik. Faza e dytë fillon pas pranimit teknik të fazës së parë”, thuhet po ashtu në deklaratë.
Aty sqarohet se pas kontratës për aneksin e parë, me kompaninë ndërtuese është bërë edhe një kontratë shtesë për një aneks të dytë të Ortopedisë.
Nga QKUK-ja thonë se punimet në aneksin e dytë nuk kanë nisur, sepse aneksi i parë nuk e ka kaluar ende kontrollin teknik.
Nga kompania ndërtuese “Ada consulting group” thonë se vonesat në punime kanë ndodhur për shkak të kontratës shtesë dhe, rrjedhimisht, punëve shtesë; pastaj masave kufizuese që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit dhe inflacionit në rritje.
Kompania ndërtuese, e cila këmbëngul se ka vepruar sipas kontratës, dhe udhëheqësia e Ortopedisë thonë se janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhjeje, por nuk japin detaje.
“Ne jemi të interesuar që të dalim në objektin e ndërtuar”, thotë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica.
“Na është premtuar se do të lëshohet për punë në janar – nuk ndodhi. U tha prapë që në qershor, as atëherë nuk ndodhi. E tash na është thënë në shtator…”, thotë Jashanica për Radion Evropa e Lirë.
Derisa palët japin versionet e tyre të ngjarjeve, për finalizimin e anekseve të reja të Ortopedisë nuk ka asnjë afat të ri./Media Ndërtimi