Connect with us

Aktuale

Këshilli Evropian prezanton fondin prej 1 trilion euro për rimëkëmbjen pas pandemisë

Published

on

Në kuadër të buxhetit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkon të mobilizojë 1 trilionë euro për të mbështetur ekonominë e bllokut pas krizës së pandemisë së COVID-19. Këtu vetëm një pjesë e vogël janë fonde direkte, sepse pjesa tjetër janë garanci, rishpërndarje dhe për herë të parë në histori borxhe.

Plani i prezantuar nga von der Leyen, sjell një rritje të pushtetit për vetë atë, sepse ajo e ka në dorë mbikëqyrjen e “Fondit të Rimëkëmbjes”. Shuma gjigante do të thotë dyfishim të shpenzimeve të BE-së. Buxheti normal i saj, për vitet 2021-2027, ende i pamiratuar përfshin po ashtu 1 trilion euro.

Si do të shpërndahen paratë?

Komisioni Evropian jep prej dekadash ndihma rajonale për të mbështetur rajonet më të dobëta ekonomike të Evropës. Kjo do të funksionojë kështu edhe në ndihmat për Coronavirusin, por ende është e hapur, nëse shtetet që bëjnë kërkesë do të marrin përsipër edhe një pjesë të shpenzimeve.

Fondet do të shpenzohen për qëllimet afatgjata të BE, projektet kundër ndryshimit të klimës, dixhitalizimin apo shkencën e zhvillimin.

Nga “Fondi i Rimëkëmbjes” nuk do të mbahen me injeksione financiare industritë që kërcënohen nga falimentimi për shkak të Coronavirusit. Për këtë ka për të pasur grindje në BE, sepse shumë vende shpresojnë për ndihma të menjëhershme me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës. Paratë do të shkojnë për vendet më të prekura nga COVID-19. Nuk ka pra fonde për arkat e shtetit. Por a mund të ketë kaq shpejt projekte për të tërhequr paratë. Italia, që tani nuk është në gjendje të tërheqë fondet e miratuara për të në Bruksel. E a mund të mobilizojë Brukseli kaq shpejt nëpunës për të shpërndarë miliarda të reja?

Kundërshtime

Kur kancelarja gjermane, Angela Merkel e presidenti francez, Emmanuel Macron paraqitën fondin e rimëkëmbjes me vlerë prej 500 miliardë euro, Merkel tregoi, se si do t’i bindte edhe ata që dyshojnë në shtëpinë e saj.

“Një përgjigje e përbashkët për krizën është edhe në interesin gjerman”, tha ajo.

Sekretari i Shtetit për Evropën, Michael Roth përsëriti në Bruksel po këtë argument. Solidariteti nuk është vetëm një gjest zemërgjerësie, por “solidariteti është në interesin e të gjithëve”.

Kjo deklaratë i adresohet “katër kursimtarëve” në BE. Austria, Danimarka, Holanda e Suedia. Ato duan që mjetet për fondet e ndihmës pas Coronavirusit të mos jepen si grante, si propozuan Merkel e Macron, por si kredi të kthyeshme.

Kundër këtij qëndrimi është absolutisht kundër Italia. Ministri italian për Evropën, Enzo Amendola kritikoi planin e grupit të të katërve si defensive dhe të papërshtatshëm.

“Komisioni Evropian ka nevojë për më shumë guxim më 27 maj”, tha Amendola.

Zgjidhja e problemit pritet të jetë një përzierje e kredive me grantet. Ursula von der Leyen dëshiron një përzierje 60:40 – ose 70:30 për të kënaqur grupin e kursimtarëve.

Ende pa ujdi për buxhetin e BE-së

Grindja komplikohet, kur në të njëjtën kohë duhet mbyllur edhe plani financiar afatmesëm i BE. Edhe këtu vendet anëtare janë larg një ujdie. Grupi i katër kursimtarëve duan shkurtime në buxhet. Edhe në kohë normale gjithmonë ka pasur grindje deri në orët e vona të natës për buxhetin e BE e bëhen negociata të forta. Tani duhet të gjendet një ujdi në të njëjtën kohë për dy arka me miliarda dhe të ketë miratim madje njëzëri. Pritet që një ujdi mund të arrihet vetëm në një samit të jashtëzakonshëm, që duhet ta përcaktojë presidenca gjermane e BE që fillon më 1 korrik.

Kush duhet të paguajë?

“Fondi i Rimëkëmbjes do duhet të financohet nga leja që jepet historikisht vetëm njëherë për BE-në që të marrë borxhe. Për këtë presidentja e KE-së përdor si bazë për kredi buxhetin e BE-së, me qëllim që të marrë në tregjet financiare miliardat e nevojshme. Këto para do duhet që të paguhen në tre periudhat e ardhshme të buxhetit të BE për rreth 20 vjet. Përkatësisht do të rriten edhe pagesat e rregullta të vendeve anëtare në arkën e përbashkët evropiane, kur të fillojë edhe kthimi i parave. E rëndësishme është që këto kredi të jenë gati me fillimin e vitit 2021 për të arritur efektin e tyre.

Por marrja e borxheve nga Komisioni Evropian kontestohet nga ana juridike, gjë që mund të sjellë edhe vonesa.

Friedrich Heinemann nga Instituti Ekonomik ZEW paralajmëron se, “Fondi i Rimëkëmbjes nuk do t’i zgjidhë në fund të fundit problemet dramatike të Italisë dhe Greqisë”.

Pagesat si grante paraqesin vetëm 2 për qind deri 3 për qind të kapacitetit ekonomik të secilit vend. Gjermania duhet të mbajë barrën kryesore. Sipas zhvillimit të koniunkturës, Berlini duhet të paguajë nga 23 miliardë euro deri 38 miliardë euro në arkën e përbashkët të BE-së. Polonia me një kontribut prej 10 miliardë euro mund të kthehet për herë të parë nga pritës i fondeve të BE në pagues neto.

Në varësi të llogaritjeve, nëse merret për bazë kapaciteti ekonomik apo nëse futet aty edhe rritja e papunësisë, pritet që jugu evropian të marrë pjesën e luanit në këto fonde. Fondet do të rishpërndahen nga Lindja në Jug tani. Franca, Italia, Spanja do të jenë përfituesit kryesorë. Por këto fonde duhet të kenë edhe miratimin e vendeve lindore të BE-së. Negociatat pra janë në shumë fronte shpërthyese. /Deutsche Welle/

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending